Hyqmet Zane: Banditizmi dhe zjarret në Shqipëri

62
Sigal

Realiteti i zjarreve në pyje nga bregdeti i jugut deri në malësinë e veriut dhe, sidomos, edhe në mes të Tiranës tek “Sarajet” në këtë verë që shkoi u bë një fenomen tronditës dhe që gjithkush ka shprehur keqardhje të madhe. Por i vetmi “ngushëllim” ishte fakti që ky fenomen përfshiu në hapësira të mëdha dhe me shkatërrime po aq të mëdha edhe vendet e Europës Jugore si Turqia, Greqia, Maqedonia, Italia dhe aty këtu deri edhe në SHBA apo në territore të vendeve të tjera. U tha se ishin të parashikueshme dhe që nuk kishin ndodhur ndonjëherë. Duhet thënë se edhe vera e këtij viti pati të veçantën e saj, sepse zgjati më shumë se në vite të tjera në dekada me temperaturë mbi 40 gradë çka nuk kishte provuar globi në këto rajone ku temperaturat nuk shkojnë gjatë dhe kaq të larta.  Për vendin tonë duhet thënë se dëmet e këtyre zjarreve ishin jo të pallogaritshme, por shumë të mëdha dhe me një shkatërrim të florës dhe faunës së pyjeve ku kullotat u dogjën nga zjarrvënia e qëllimshme ose nga pakujdesia. Them e qëllimshme, sepse mendjet që e kanë zjarrin në kokë djegin kurdoherë jo vetëm pyje dhe bimësi, por edhe qytetet dhe jetët e njerëzve, si piromanë të jetës publike. Kemi të bëjmë me një lloj “banditizmi” të sjellë në teori me fjalë e në praktikë më shumë që “hedh zjarr” në çdo gjë jetike dhe që djeg e shkatërron jetën e një vendi dhe shqiptarët provojnë të atilla mysybete që nuk u shkon në mendje t’i bëjnë. U kapën edhe disa njerëz që ende nuk është provuar se kanë qenë “piromanë” të këtyre ngjarjeve. Por më shumë se çdo gjë tjetër mosgadishmëria për të përballuar realitete të tillë me zjarre, ashtu si edhe me tërmete, po aq sa edhe me pandeminë apo aksidentet, që kanë marrë qindra jetë njerëzish, foli qartë se kemi të bëjmë me një lloj qeverisje si të jetë një çetë kaçakësh e jo qeverisje me ligje dhe me mendim, sikur të ishim një rast unikal e jo që dihet se vera i ka këto pasoja dhe dimri ka pasojat e veta me akullin. Ku është gadishmëria ?

Daljet e një kryeministri në ekranet televizive gati sa nuk thoshin që zjarret i vuri opozita apo Berisha se ajo na qenka e “keqja” e këtij vendi, në një kohë që banditizmi i një qeverisje me terminologji lloqesh e fasadash, një qeverisje me amatorizëm dhe dëshira miqsh pranë një kryeministri ka sjellë një gjendje të papërsëritshme me “zjarre” në jetët e njerëzve, i është vënë zjarri të ardhmes së një populli sa jemi në udhëkryqin e një zhuritjeje të shpresës se do bëhet apo nuk do bëhet ky vend. Kush po ia vë “zjarrin” këtij vendi ? Ne e dimë që komunizma ishte një sëmundje e tmerruar, siç thoshte Mit’hat Frashëri, tamam si tërbimi i qenëve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut. Por që do vinte një ditë pas 30 vjetësh të rënies së komunizmit që do të na përsëriteshin modelet e banditizmit komunist, kjo ishte jo thjesht e pabesueshme, por edhe e tmerrshme. Sepse këto “zjarre|” dhe “zjarrvënie”  që djegin pyje dhe kullota, nga i Madhi Zot kemi atë fenomenin që ka krijuar atë formë të jetës e natyrës sa di të bëjë edhe rigjenerimin. Por rigjenerimin e shpresës së vrarë, ikjes së rinisë dhe familjeve të reja që nuk shohin asnjë të ardhme nga papunësia dhe pangopësia, që nuk mund të përballen me një polici që në vend të merret me parandalimin e aksidenteve apo parandalimin e krimeve, bëhet polici e aksidenteve me pjesëmarrje në trafikun e drogës dhe mbjelljes së vendit me bimën vrastare, por edhe që të vret me dashje. Në një moment u tha edhe nga një raport i DASH se problem i madh është Lazarati në një kohë që “dhentë e dhitë e zeres, nami i Hasan Qeres”. Ndoshta është lënë të kuptohet se Shqipëria është bërë si nocioni “Lazarat”, kur ai fenomen në Lazarat u shua dhe ata që e duan zjarrvënien e Shqipërisë janë banditët e trafikimit të drogës nga Amerika Latine dhe mbjellja e drogës edhe në mes të Spanjës  me vjedhje të energjisë elektrike. Me qindar e mijëra trafikantë të shpërndarë në të gjithë Europën janë një problem që po i vë “zjarrin” e namit të keq të një vendi në një kohë që kryeminsitri ynë i “nderuar” bën miqësi me serbin Vuçiç si dikur Enveri me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën apo Fatos Nano i krijonte audiencë Millosheviçit.

“Priomanët” e një qeverisje sipas parimit”unë di, unë bëj, unë e kam në dorë, unë të bëj namin”, pas 8 vitesh qeverisje solli në këtë prag mandati të tretë zjarrëvënie në pyje dhe kudo, në “djegien” e jetës së shqiptarëve nga virusi Covid – 19 dhe Delta pasi tërmeti kishte “paralajmëruar qametin” që do të vinte nga virusi famëkeq që po i vë zjarrin gjithë botës.

Dikur krenoheshim se ishim 28 mijë dëshmorë, një në çdo kilometër në një luftë partizane dhe këtij vendi i takonin “dekorata” të mëdha dhe populli me kontribute të mëdha mori “zjarrin” e ferrit të diktaturës. Ndërsa tani krenohemi me “Open Ballkan” dhe po marrim pasojat me zjarrëvënie nga Zoti si një ndëshkim për “banditizmin” në qeverisje, për “zjarrvënien” në jetët e shqiptarëve dhe kthimin e vendit në një shesh “mikpritës” për bangladeshasit dhe afganët , ashtu si për ujgurët dhe çfarëdo kombësie tjetër ku banditizmi të jetë i lirë të bëjë çfarë të dojë në këtë vend dhe me këtë popull.

120 vjet më parë filozofi ynë i madh dhe i nderuar Faik Konica do të shkruante vargjet :

…As bukë, as brekë s’ju lane!

Ju punoni, ata hanë,

Nuk ju lan’ as pakë nderë,

q’e keni pasur përherë.

***

As nder, as turp, as gjak s’kini:

unji kryet dhe po rrini.

O shqipëtarë barkzbrazur,

fustançjerr’ e këmbëzbathur!

***

Zemërohuni një here:

as krenarë, por veç të dhjerë.”

***

Nuk dihet se cili SPAK apo prokurori drejtësie do të verë  para përgjegjësisë “zjarrvënësit” dhe “banditizmin” e një qeverisjeje, por me siguri them se heshtja e një populli dhe pranimi në heshtje i realitetit, sjell edhe degjenerimin e demokracisë. Franklin D. Roosevelt ka saktësuar se: “Në demokraci liria rrezikohet nëse populli toleron rritjen e pushtetit personal deri në pikën kur ai bëhet më i fortë se vetë shteti demokratik. Në thelb ky është fashizëm kapja e qeverisjes nga një individ, nga një grup, a çfarëdo kontrolli nga pushteti privat”.