Av. Ledio Braho: Ligji e detyron Dvoranin të largohet edhe si anëtar

332
Sigal

 

Ardian Dvorani, këtë të martë, i është drejtuar zv. Kryetares  së KED-së, përmes një letre, ku ai e vë në dijeni se ende nuk e ka marrë vendimin e arsyetuar nga KLGj-ja, për ndërprerjen e mandatit të tij. Ndërprerja  e mandatit nga KLGJ-ja, erdhi pas përplasjeve të gjata me Presidentin Ilir Meta, për mënyrën si ai, e kretoi KED-në, institucioni kyç për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, që tashmë, sipas ligjit, do të drejtohet nga zv.kryetarja Vitore Tusha, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

Në 11 qershor, Këshilli i Lartë i Gjyqësor, vendosi t’i ndërpresë Ardian Dvoranit, qëndrimin në Gjykatë  të Lartë,  e për pasojë dhe kryesimin  e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Tashmë ai është ish-kryetar i KED-së. Ligji që rregullon funksionimin e KED-së, parashikon në nenin 225, se anëtarët e përjashtuar  zëvendësohen  nga një anëtar i po të njëjtit institucion. Por në përbërjen e KED-së,  ka vetëm një anëtar të Gjykatës së Lartë. Juristi Ledio Braho, thotë se ligji detyron  Dvoranin të largohet, edhe si anëtar.

“Të gjitha interpretimet që po bëhen, se ai nuk mund të qëndrojë si anëtar, dhe jo kryetar, kjo është e paligjshme”, -thotë Braho. Sipas tij, ligji nuk le hapësira, as që ai të ndjekë shembullin e Arta Markut, e cila u zgjodh si anëtare nga Prokuroria e Përgjithshme, por më pas kaloi tek vendi vakant i Gjykatave të Apelit. “Situata me Arta Markun, është ndryshe. Kur ajo u largua nga prokuroria, kishte një vakancë për anëtarin e Gjykatave të Apelit. Janë raste të ndryshime”, -shprehet Braho. Përbërja e KED-së,  ndryshon mes datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, kur Presidenti duhet të hedhë shortin.