Infermjerja emërohet nëndrejtore ekonomike

494
Sigal

Në DSHP drejton një infermiere, në sektorin spitalor punon një mjeke që ka tre vite që duhet të dilte në pension

Pas rasteve të shumta të skandaleve me emërimet e drejtorëve të Rilindjes në Korçë, botuar në gazetën “Telegraf” ditë më parë, zbulohen raste të tjera të këtij skandali. Denoncimet e radhës vijnë nga socialistë të pakënaqur, nga qytetarë të thjeshtë, intelektualë dhe nga brenda strukturave të forcave politike të qeverisjes aktuale…

RASTE TË SKANDALEVE

Po ju sjellim disa nga numri i madh i emërimeve pa kriter: Emërimi i dy nëndrejtoreve në DSHP Korçë: Njëra është infermiere që sapo ka mbaruar shkollën për infermieri, ku struktura organike e cilëson për mjeke. Si mund të marrë pjesë në seminarets, ku janë mjekët dhe të flitet për diagnoza të ndryshme, ku dihet se çfarë studiohet në Shkollën e Infermierisë dhe në Fakultetin e Mjekësisë. Si mundet kjo infermiere të shkojë dhe të kontrollojë mjekët, qoftë të rinj apo me shumë vite eksperiencë. Tjetra është emëruar nëndrejtore ekonomike pa mbaruar shkollën e lartë (ka marrë diplomën e nivelit të parë dhe është në vazhdim të shkollës). Mosha e saj është aty tek 57 vjeçe d.m.th dhe tre vjet del në pension dhe akoma nuk është diplomuar, e cila drejton specialistë që kanë mbi 20 vite punë dhe kanë mbaruar shkollat në UT vite më parë. Në DRSKSH Korçë, janë tre mjeke në pozicione të ndryshme dhe asnjëra nuk meriton të qëndrojë në pozicionet që kanë. -Së pari  përgjegjëse e zyrës së mjekut vazhdon të jetë mjekja L. B., e cila u vendos nga ish-drejtore M. Nasto. Ajo ka mbaruar vetëm Fakultetin e Mjekësisë dhe nuk ka asnjë specializim pasuniversitar të mirëfilltë apo të jetë e kompletuar të paktën me një gjuhë të huaj të mbrojtur. Ajo  ka punuar në konsultorin e fëmijëve. Nuk e kuptojmë pse e mbajnë akoma në zyrat dhe nuk e dërgojnë aty ku e ka vendin – në konsultore.  Drejtor P.T., e mbanë në punë dhe jo nga aftësia… Së dyti, nëndrejtorja aktuale është thjesht vetëm me Fakultetin e Mjekësisë. Së treti, tek sektori spitalor vazhdon të punojë mjekja L. B., e cila ka tre vjet që ka dalë në pension dhe pretendimi i drejtorit është që  ta mbajmë në punë se është gjynah, sa të mbarojë procesi i djalit të saj. Djali i saj është, ish -bankier personal në  Raiffeisen Bank, dega Bilisht, i hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”. Në ISSH-së Korçë në vendin e mjekut drejtore aktuale emëroi një specialist për shëndetin publik, ai nuk ka lidhje dhe nuk ka studiuar për mjekësinë dhe aq më tepër që i duhet të firmosë për diagnoza të ndryshme. Korça është qytet me kulturë dhe nuk mungojnë profesionistët dhe të aftët…

DENONCIMET

Në informacionet që vijnë në redaksi nga qytetarët korçarë, por dhe nga renda të strukturave të PS-së e forcave të tjera aleate, jepen dhe disa raste të tjera të abuzimeve skandaloze në emërimet e reja në administratë nga koalicioni aktual që qeveris vendin. Ndoshta më flagrant në shumë emërime skandaloze, është ai i një drejtori emigrant, sjellë në redaksi nga një grup grash socialiste të Korçës.

“Të gjithë e njohin drejtorin që një telefonatë e solli në karrige nga emigrimi në një kontinent të largët, ku ishte prej vitesh. Ai njihet në Korçë si drejtues i strukturave të PD-së ndër vite, por çuditërisht, segmente të fuqishme shtetërore jo vetëm në Korçë, por dhe në Tiranë, e kanë sjellë nga emigrimi në një funksion të rëndësishëm në Korçë. Një pushtetar i rëndësishëm në qeveri i ka telefonuar mikut të tij dhe i ka thënë që të shkojë të paraqitet tek zyrat e PS-së në Korçë pasi emërohet drejtor në një sektor të rëndësishëm. Miku nga emigrimi kështu ka bërë. Ka ardhur në Korçë, e në vend që të shkonte tek zyrat e PS-së,(që në fakt nuk i dinte), këmbët e çuan tek zyrat e PD-së lokale, aty ku kishte qenë vite me radhë, si një nga funksionarët e lartë. Shkoi atje, ku duhej (se me të pyetur, thonë, gjen dhe Stambollin) dhe mori detyrën e lartë. Ne si socialistë që votuam për këtë qeverisje, ashtu si dhe për shumë raste të tjera, ku miqtë e shokët e ministrave e partiakëve në Tiranë sjellin drejtorë njerëzit e tyre, jo pak dhe nga PD-ja. Janë raste që duken të pabesueshme, por është realitet këtu në Korçë”,- shkruhet mes të tjerave në letrën e grave socialiste. Në ditët në vazhdim, gazeta “Telegraf”, nisur nga informacionet që i kanë ardhur, do të publikojë raste të tjera të abuzimeve me emërimet në administratë….

 Emërimet skandaloze

-Një infermiere e sapo dalë nga shkolla, emërohet nëndrejtore e DSHP-së në Korçë.

-Po një infermiere, në moshën 57 vjeçe, është emëruar nëndrejtore ekonomike në DSHP pa mbaruar shkollën e lartë (ka marrë diplomën e nivelit të parë dhe është në vazhdim të shkollës).

-Tek sektori spitalor vazhdon të punojë mjekja L. B., e cila ka tre vite që ka dalë në pension.

Të larguarit nga puna, protestë tek ISSH për viktimën Brunilda Meka

 KORÇË – Një protestë homazh është zhvilluar mesditën e djeshme në Korçë për Brunilda Mekën, gruan 52-vjeçare, e cila dy ditë më parë vrau veten duke nxjerrë si arsye, transferimin nga vendi i punës.

Protesta u organizua nga Shoqata e të Larguarve nga Puna duke nisur para Prefekturës së Korçës dhe ka vijuar me një marshim sensibilizues në bulevardin “Republika”, për t’u ndalur para Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku kanë kryer homazhe. Protestuesit kanë vendosur një fotografi të 52-vjeçares në hyrje të këtij institucioni, kanë ndezur qirinj dhe më pas kanë apeluar për t’i thënë ndal, spastrimeve masive të administratës nga qeveria. Nertila Qafzezi, Kryetare e Shoqatës së të Larguarve nga Puna deklaroi: “Për të gjithë të larguarit nga puna sot është një ditë e zezë. Brunës prej kohësh i është bërë presion për t’u larguar nga puna, ashtu si dhe shumë të tjerave. Largimi i Brunës ishte një padrejtësi. Ajo kishte 20 vjet në këtë pozicion dhe i bënë presione nga më të ndryshmet për ta larguar. Kur nuk ia dolën, i thanë se do ta transferonin në fshatin Mollas të Ersekës,  duke e ditur se kjo është një padrejtësi,  pasi Bruna nuk mund t’i linte fëmijët dhe burrin e paralizuar për të shkuar në atë fshat”. Ish-punonjësja e ISSH-së, Brunilda Meka, nënë e dy fëmijëve, helmoi veten dy ditë më parë në banesën e saj në kushtet e tronditjes si pasojë e transferimit nga pozicioni i punës që mbante. Bashkëshorti i saj bëri përgjegjës për vdekjen, kreun e IISH-së në Korçë. Për rastin në fjalë, Prokuroria është ende duke hetuar, ndërkohë që, Partia Demokratike ka deklaruar se ky rast është pasojë e spastrimit të administratës nga Qeveria, ndërkohë që, Partia Socialiste nga ana e saj sqaroi se znj. Meka ishte transferuar në detyrë dhe jo pushuar dhe vetëvrasja e saj po përdorej për qëllime politike.