Av.Kujtim Cakrani: Qeveria nuk tërhiqet nga vendimi për hartën gjyqësore

152
Sigal

Migena Neli

“Avokatët që në momentin e parë të rënies në dijeni të këtij plani nga ana e KLGJ nisi kundërshtimet, të cilat u pasqyruan në atë kohë në mediat e vendit. Por KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë tashmë e kishte të qartë idenë e tyre dhe nisi konsultimet duke vënë para faktit të kryer këtë çështje.”

 

Ngërçi i krijuar në sistemin e ri të drejtësisë në lidhje me hartën e re gjyqësore është një problem sa i profesionit aq edhe i qytetarëve të vendit. Për të shpjeguar më qartë të gjithë problematikën kemi zhvilluar intervistë me Jurisitin dhe Avokatin Kujtim Cakrani.

Avokatët e kanë kundërshtuar gjatë gjithë kohës hartën e re gjyqësore në seancat publike që janë zhvilluar, pse u prit deri sa KLGJ vendosi për pranimin e sistemit të ri për të kërkuar bojkotin e punës?

Këshilli Lartë Gjyqësor bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, kanë hedhur fjalët e para për nevojën e një riformatimi të ri të gjykatave aty nga viti 2020, pikërisht në kohën kur reforma në drejtësi kishte larguar nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë. KLGJ ndodhur përpara faktit se në shumë gjykata të vendit duke nisur nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apeleve dhe ato të shkallëve të para numri i gjyqtarëve po binte dhe në pamundësi për t’i zëvendësuar ata me gjyqtarë të rinj, pasi edhe studentët e magjistraturës, që pas përfundimit të shkollës emërohen gjyqtarë apo prokurorë ishin shumë të pakët në numër në pamundësi për të plotësuar vendet bosh, gjetën një mënyrë orgjinale duke ja prezantuar publikut si harta e re gjyqësore, që nënkuptonte mbylljen e shumë gjykatave të faktit në rrethe të ndryshme të vendit, gjykata apelesh me juridiksion të përgjithshëm dhe reduktimin e tyre në minimum. Avokatët që në momentin e parë të rënies në dijeni të këtij plan inga ana e KLGJ nisi kundërshtimet të cilat u pasqyruan në atë kohë në mediat e vendit. Por KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë tashmë e kishte të qartë idenë e tyre dhe nisi konsultimet duke vënë para faktit të kryer këtë çështje. KLGJ përpiloi edhe një raport në formën e projektit në të cilin kishte marrë si referencë vendet më të zhvilluara si Suedia, Finlanda apo Estonia, që për hirë të së vërtetës nuk kanë asnjë lidhje si gjeografike, tradicionale apo juridike me Shqipërinë. Në këtë mënyrë KLGJ dhe MD nisën konsultat me grupet e interestit që në këtë rast ishin avokatët duke zhvilluar disa takime, nga ku gjeti kundërshtimin e këtij projekti. Përfaqësuesit e KLGJ apo MD në këto dëgjesa nuk kundërshtuan asnjë nga propozimet e avokatëve, të cilët dhanë propozime shumë të vlefshme dhe të realizueshme. Psh: Duke qenë përpara faktit se ka mungesë gjyqtarësh në gjykatat e vendit atëherë Kuvendi i Shqipërisë të ndërhynte në kushtetutë nga ku të rishikohej dispozita përkatëse dhe tu jepej mundësi që në sistemin e drejtësisë të futeshin edhe avokatët që kishin një eksperiencë të caktuar në avokati, dhe këta të bëheshin si gjyqtarë dhe prokurorë, dhe në këtë mënyrë do të plotësoheshin menjëherë vendet bosh në gjykatat shqiptare. Gjithashtu pati edhe propozime të tjera që ishin të tipit, nga 6 Gjykata Apeli të mbeten vetëm 4 etj. Pra kundërshtimi ndaj projektit ishte konsistent por KLGJ dëgjonte bënte sikur i vlerësonte dhe në këtë mënyrë vuri në gjumë edhe avokatët të cilët menduan se kërkesat e tyre do gjenin vend në projektin e KLGJ.

 “Është vërtetuar se Edi Rama kurrë nuk ka marrë vendime të konsultuara me grupet e interesit edhe pse vendimet e tij kanë qenë hapur kundër interesit të qytetarëve ai përsëri ka bërë sipas interesave të tij dhe atyre që e kanë shtyrë atë të bëj një ligj të caktuar.”

A mendoni se qeveria  do të ketë tërheqje nga ky vendim nëse avokatët do vijojnë grevën?

Në fakt nga eksperienca e këtyre 9 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, është vërtetuar se ai kurrë nuk ka marrë vendime të konsultuara me grupet e interesit edhe pse vendimet e tij kanë qenë hapur kundër interesit të qytetarëve ai përsëri ka bërë sipas interesave të tij dhe atyre që e kanë shtyrë atë të bëjë një ligj të caktuar. Në këtë  këndvështrim nuk besojmë se qeveria do tërhiqet nga ky projekt, që në fakt është një projekt i mirëmenduar për të mbyllur gjykatat dhe qytetarët mos t’i drejtohen më asaj për çështje civile apo administrative. Ok avokatët do kundërshtojnë me anë të grevës, por greva dhe protesta zë vend tek qeveria e përgjegjëshme dhe jo tek një qeveri që punon kundër interesit të qytetarëve. Sepse fundja ky veprim i qeverisë më shumë nga të gjithë prek buxhetin e qytetarëve shqiptarë se vetë avokatët. Pra nga eksperienca me këtë qeveri nuk duket se do ketë tërheqje nga ana e saj, dhe do ti shkoj deri në fund kësaj marrëzie.

Çfarë do të thotë për avokatët nëse Harta e re Gjyqësore nuk rishikohet?

Nëse kjo hartë nuk do të rishikohet për avokatët do të thotë shumë, sidomos për avokatët e atyre rretheve që gjykatat do të mbyllen. Një armatë e tërë avokatësh do të ngelet pa punë, investimi tyre shkollimi, që ata kanë bërë dhe kanë zgjedhur si profesion avokatinë do të shumëzohet me zero, plus jeta e tyre e lidhur me qytetin përkatës do jetë një tjetër investim i dështuar. Por nga ky projekt nuk do preken vetëm avokatët? Do preken edhe profesionistë të tjerë, si psikologët të cilët punojnë pranë këtyre gjykatave, topografët, vlerësuesit e pasurive të paluajtshme, ekspertët kontabël, noterët pra përveç avokatëve janë edhe shumë profesionistë të tjerë që do falimentojnë. Pra nëse gjithë kjo armatë profesionistësh do mbetet pa punë atëherë çfarë ndodh? Të gjithë do kërkojnë të largohen nga Shqipëria, sidomos profesionistët e rinj. Pra dëmi që do lëri pas kjo hartë e re gjyqësore do ketë pasoja të rënda, financiare, por edhe psikologjike.

Cilat kanë qenë disa nga kërkesat e avokatëve të cilat Ministri Manja deklaroi se janë adresuar?

Siç e theksova më sipër, gjatë dëgjesave që KLGJ dhe MD ka patur me avokatët, ka hasur në një rezistencë të fortë, që nënkupton mosprekjen e gjykatave sepse me kaq gjykata sistemi është në kolaps, imagjino të reduktohen si do shkoj drejtësia sepse fundja, drejtësi e vonuar drejtësi e mohuar, është një shprehje për drejtësinë. Propozimet e tjera nga avokatët kanë qenë të qarta dhe të inplementueshme nga ana e institucioneve të drejtësisë, por që asnjë prej tyre nuk u mor parasysh. Kuptohet që Ministri Drejtësisë Z. Manja është person politik dhe natyrshëm do mbrojë interesat e qeverisë por, për respekt të publikut duhet të jetë transparent për çfarë thotë, lidhur me fjalinë se kërkesat e avokatëve i kemi adresuar. Çfarë kërkese ka adresuar? Pra nëse flasim për të justifikuar veprimet e tyre arbitrare në kundërshtim me interest e qytetarëve flasim por e vërteta është tashmë në shesh dhe nga ky duket qartë që asnjë kërkesë e avokatëve nuk është adresuar nga KLGJ dhe MD.

Çfarë pritet të ndodhë nëse nuk do të ketë tërheqje nga Harta  e re Gjyqësore, a do ketë rritje të rasteve të vetëgjyqësisë?

Shqipëria është një vend me probleme të gjithanshme përsa i përketë çështjeve civile, administrative por edhe ato penale. Me këtë reformë pritet të mbyllen disa gjykata gjithsej nëntë në disa rrethe 3 në Jug dhe 6 në veri të vendit. Siç theksova problematikat e qytetarëve janë të shumta kryesisht ato çështje që kanë lidhje me problemet e pronësisë, një problem që prej 30 vjetësh nuk po merr zgjidhje dhe si pasojë e konflikteve statistikat thonë se kemi 10.000 mijë të vrarë. Mijëra familje janë në konflikte të vazhdueshme ku 90% e tyre janë në gjykata për të marrë zgjidhje. Nëse qytetarëve do ju heqin gjykatat e faktit dhe gjykata më e afërt për ta do jetë afro 100 km pa marrë parasysh shpenzimet, atëherë qytetarët çdo bëjnë? Do gjejnë rrugë të tjera për të zgjidhur problemet, atë të vetëgjyqësisë. Pra ky rrezik nuk është vlerësuar nga KLGJ, sepse në këtë çështje duheshin përfshirë si grup interesi edhe qytetarët, se fundja janë ata që do vuajnë pasojat e hartës së re gjyqësore. Pra në këtë mënyrë si duan të veprojnë për të miratuar hartën e re gjyqësore nuk është analizuar drejt problematika që ka sot Shqipëria dhe çështjet gjyqësore në gjykim pranë gjykatave shqiptare që në fakt janë çështje civile me ndjeshmëri të lartë, sepse kur në mes është prona çdo gjë më pas është e pakontrollueshme dhe jashtë kontrollit të shtetit dhe në këtë mënyrë përfundojmë në vetëgjyqësi.

Cila do ishte mënyra më efikase për të vënë në kontroll numrin e lartë të çështjeve gjyqësore ndërsa drejtësia të vijojë të jetë e aksesueshme për qytetarët?

Tashmë situata e gjyqësorit në Shqipëri është jashtë kontrollit të institucioneve? Kjo për papërgjegjshmërinë e atyrë që propozuan dhe inplementuan këtë eksperiment në Shqipëri. Jo se jam kundër reformave, por kur nisi kjo aventurë duhet të ishin parashikuar edhe pasojat, nëse më 2016 kur reforma u votua në kuvend dhe u ndryshua kushtetuta e Shqipërisë duhet të  kishin hapur edhe shkollën e magjistraturës nga ku numëri studentëve të ishte i lartë dhe sot do kishim të paktën 3 breza magjistratësh, të cilët do ishin gati të zëvendësonin të larguarit nga vetingu. Që të marrësh sot në kontroll systemin e drejtësisë duhet së pari të shqyrtohen 40 mijë dosjet që janë stok në Gjykatën e Lartë, afro 20 mijë dosjet që janë në në vetmen Gjykatë të Apelit Administrativ, dhe mijëra dosje në gjykatat e apeleve me juridiksion të përgjithshëm duhet që Kuvendi Shqipërisë, partia në pushtet bashkë me opozitën të ndryshojnë Kushtetutën e Shqipërisë që e ndërhyjnë sa herë duan të bëjnë qoka për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, dhe vjedhur me qëllim vjedhjen e zgjedhjeve të radhës, ku t’i japin mundësi me kushtetutë që pjesë e sistemit të drejtësisë të bëhen edhe avokatët, të cilët kanë një vjetërsi të caktuar dhe natyrisht duke përcaktuar edhe kriteret. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një shpresë se zgjidhet shpejtë dhe me efikasitet numri i lartë i dosjeve që janë në pritje për gjykim në gjykatat shqiptare.

Sqarim: Nëse nisim nga sot shqyrtimin e afro 40 mijë dosjeve që janë në pritje për gjykim në  Gjykatën e Lartë dhe duke marrë parasysh sa çështje gjykon në muaj kjo gjykatë, duhen plot 13-15 vjet që të përfundojnë! Nëse një qytetar shqiptar sot në vitin 2022 bën një rekurs në Gjykatën e Lartë, ai duhet të presi t’i shqyrtohet çështja në vitin 2035.