Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një zinxhiri operacionesh të bujshme nga ajo që quhet me një retorikë të stërpërdorur “Antimafia italiane”. Me shumë bujë, sirena policie, helikopterë, konferenca shtypi, e tituj bombastikë për “organizata kriminale shqiptare” që shkatërrohen në orët e para të mëngjesit.
Por çfarë ndodh më pas?
Lirim i menjëhershëm.
Rënie akuzash.
Madje dëmshpërblime për shqiptarët që janë poshtëruar publikisht dhe arrestuar padrejtësisht.
Ka ardhur koha të thuhet troç: këto operacione janë një farsë e turpshme. Një spektakël mediatik i drejtuar nga një pjesë e prokurorisë italiane që i ka kthyer shqiptarët në mish për statistika. Fushata “antimafia” po përdoret për të marrë fonde, për të justifikuar ekzistencën e strukturave të dështuarat hetimore dhe për të ushqyer mitin e një mafie shqiptare që në realitet nuk ekziston si strukturë e organizuar kombëtare, por që në imagjinatën raciste të disa zyrtarëve italianë përdoret për konsum të brendshëm dhe për përfitime politike.
Nëse dikush ka durimin të lexojë vendimin skandaloz të Gjykatës së Barit për masat e sigurisë ndaj të dyshuarve shqiptarë, do përballet me një absurditet të pashembullt juridik: 1350 faqe “arsyetim” pa asnjë element provues konkret, pa asnjë fakt të qartë penal, vetëm përshkrime të mjegullta, interpretime të lira, dhe fjalë që rrotullohen pa sens në një cirk të pastër linguistik. Si të thuash, një “prozë hetimore” më shumë se një dokument penal.
Por ajo që e bën këtë rast edhe më skandaloz është mënyra se si u përzgjodhën “të dyshuarit”: shumë prej tyre ishin thjesht persona që kishin folur rastësisht në telefon me ndonjë të përgjuar, pa pasur dijeni as për përmbajtjen e bisedës, as për ndonjë aktivitet të paligjshëm. Disa prej tyre ishin biznesmenë të suksesshëm, njerëz me integritet e pa asnjë precedent penal, të cilët u përfshinë vetëm sepse kishin një numër telefoni të regjistruar në ndonjë listë kontakti.
Dhe më keq akoma: shqiptarë të shumtë janë marrë në pyetje pa përkthyes, nën presionin e hetuesve italianë, dhe kanë nënshkruar deklarata në italisht, që nuk i kanë kuptuar kurrë. Ka dëshmi që flasin për kërcënime, dhunë psikologjike, e në disa raste edhe fizike, për t’i detyruar të firmosnin deklarata që më pas janë përdorur si “prova” në gjykatë.
Unë flas me përgjegjësi të plotë për gjithçka që po them. Kam përballuar nga afër rastet në sistemin italian të drejtësisë dhe jam dëshmitar i drejtpërdrejtë i një fenomeni të rëndë: racizëm institucional, manipulim provash, inskenime, dhe dënime të rënda pa asnjë bazë ligjore vetëm sepse të dyshuarit ishin shqiptarë.
Shqiptarët dënohen pa qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, në mungesë, me dënime monstruoze që shkojnë nga 15 deri në 35 vite burg, shpesh pa asnjë provë materiale, vetëm mbi baza interpretimeve të mjegullta të ndonjë përgjimi apo thashethemi të pa konfirmuar. Këto nuk janë më raste të rralla. Janë kthyer në praktikë. Dhe është e dhimbshme ta thuash: përballë një italiani, shqiptari dënohet edhe kur nuk ka qenë as prezent.
Policë që ngatërrojnë fjalët e përkthyera, prokurorë që shesin shfaqje televizive dhe gjykatës që e firmosin vendimin me kokë ulur. Ky është realiteti për shumë shqiptarë që janë përballur me drejtësinë italiane: një farsë ligjore ku emri, mbiemri dhe origjina jote janë më të rëndësishëm se e vërteta.
Ky nuk është më vetëm problem i drejtësisë italiane – është problem i shtetit shqiptar, i cili hesht, ul kokën, dhe nuk mbron qytetarët e vet përballë një abuzimi të qartë e të përsëritur. Ku është Ministria e Jashtme?
Ku janë ambasadat shqiptare?
Ku janë deputetët që “mbrojnë diasporën”?
Si mundet që në shekullin XXI, shtetas shqiptarë të trajtohen si kriminelë me urdhër racor dhe të lirohen më pas në heshtje pa kërkuar askush falje?
Është koha të ngrihemi. Jo për të mohuar problemet reale që ka një pjesë e emigracionit, por për të refuzuar shantazhin e përgjithësimeve kriminalizuese, për të mbrojtur të pafajshmit dhe për t’i kërkuar llogari atyre që abuzojnë me pushtetin hetimor vetëm për propagandë dhe karrierë personale.
Sepse nuk kishte faj. Kishte vetëm një muhabet të zbrazët dhe një përkthim të keq.