Auron Tare: Propaganda e një vendi me çmime të ulta, dëmton turizmin. Turma me pak lekë, vijnë të rrjepin bizneset

89
Sigal

Të bërit turizëm pa asnjë ide se ku po shkon ky vend, pa asnjë plan, të lënit të lirë të industrisë në duar të lloj-lloj njerëzish pa asnjë kualifikim trajnim apo përgjegjësi, sjell një mishmash tipik shqiptar ku një turmë e madhe të huajsh me shumë pak lekë në kontot bankare vjen në një vend, i cili i shikon ata si numra për t’u rrjepur dhe jo për të krijuar një markë turistike “Made in Albania”.

Që të jem i saktë dhe korrekt. Kjo pamje mund të ishte edhe në shume qytete turistike të Mesdheut. Nuk qëndron problemi se dy të huaj ecin me brekë në rrugët e qytetit. Apo se 4 “italianë” ikin pa paguar. Apo se disa të tjerë vjedhin filxhanë kafesh në baret e bulevardit, apo se pas orës 12 në plazhet e Sarandës të mbyt era e hashashit. Problemi është se ka një tendencë dhe propagandë të madhe për ta paraqitur këtë vend si parajsë turistike dhe më keq akoma shumë të lirë. Kjo propagandë, që bëhet prej disa vitesh nga një numër institucionesh dhe sektorësh ka tërhequr një masë të madhe turistësh Loë Cost. Si rrjedhim ka një përballje me një masë të madhe të huajsh, që vinë vërdallë për të gjetur këtë “tokë të Premtuar” me çmime të ulëta. Nga ana tjetër kemi një masë të madhe qytetarësh, të cilët papritmas brenda një ditë u shndërruan në hotelierë, maxhordomë, guida turistike, shoferë të klasit të lartë, udhërrëfyes, agjentë portuale etj, të cilët me një shërbim të ulët dhe jo për faj të tyre, krijojnë amulli në masën e madhe, që vjen për të udhëtuar në këtë vijë bregdetare. Në kontrast janë bujtinat agro-turistike, të cilat bujtësin e kanë të një cilësie të mirë dhe mjaft të interesuar për atë lloj produkti, i cili ka mundur të krijojë një lloj profili autentik vendas. Të bërit turizëm pa asnjë ide se ku po shkon ky vend, pa asnjë plan, të lënit të lirë të industrisë në duar të lloj-lloj njerëzish pa asnjë kualifikim trajnim apo përgjegjësi, sjell një mishmash tipik shqiptar ku një turmë e madhe të huajsh me shumë pak lekë në kontot bankare vjen në një vend, i cili i shikon ata si numra për t’u rrjepur dhe jo për të krijuar një markë turistike “Made in Albania”. Ky kontrast i madh do të luajë një rol në të ardhmen e afërme ku vija jonë bregdetare do të shndërrohet në një lloj vendi pa asnjë identitet, një mishmash ndërtimesh betoni pa asnjë vlerë shpirtërore dhe edukative ku do të pihet alkool i lirë dhe hashash pa asnjë pengese.

Problemi është se ka një tendencë dhe propagandë të madhe për ta paraqitur këtë vend si parajsë turistike dhe me keq akoma shumë të lirë.

Tërheqja e kësaj mase Loë Cost po i heq vendit autenticitetin, garancinë e një vendi ku mund të udhëtosh për të mësuar provuar dhe parë një kulturë vendase. Jemi dëshmitarë se në pak vjet në qytetet tona kjo pamje nuk i bën me njeriut përshtypje dhe kultura lokale po pëson një ndryshim të madh për hir të një fitimi të shpejtë dhe pa kokëçarje. Prandaj vende, të cilat e kanë kaluar këtë fazë janë munduar të ndalojnë shpërthime të tilla ku presioni i numrave dëmton peizazhet historike, vendet shpirtërore, vijën bregdetare dhe kulturën lokale. Fatkeqësisht edhe pse të fundit në lojën e turizmit nuk mundem dot të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe ende vazhdojmë të mburremi se jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit. Ndërkohë askush nuk thotë se jemi vendi me shpërfytyrimin më të shpejtë në Evropë të vijës bregdetare duke shkatërruar arkitekturën lokale, peizazhet, plazhet dhe kulturën tonë. Na rrofshin numrat!