Gazetari amerikan, ish-eksperti i inteligjencës, John Schindler i ftuar në një intervistë në një ekran shqiptar tha ndër të tjera se nëse Charles McGonigal pranon fajësinë për çështjen shqiptare, si në rastin e çështjes ruse, atëherë kjo çështje nuk quhet e zbardhur. Schindler në një dalje televizive të hënën në median Syri u shpreh se, administrata aktuale amerikane nuk ka dëshirë t’i shkojë deri në fund çështjes shqiptare të McGonigal, pasi në të është i përfshirë kryeministri Edi Rama, që ata e kanë mbështetur shumë. “Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së është duke hetuar aspektin dhe çështjen shqiptare të çështjes McGonigal dhe kjo përbën një aktakuzë më vete në Uashington. Nuk ka lidhje në aspektin juridik me marrëveshjen që bëri McGonigal në shtetin e Nju Jorkut. Ekziston shqetësimi se aktakuza për Shqipërinë ndaj McGonigal do të zgjidhet përsëri me marrjen e tij përsipër të fajit për t’i shpëtuar gjyqit. Avokatët e McGonigal kanë thënë se presin që të arrihet një marrëveshje me Uashingtonin edhe për pjesën e Shqipërisë. Nëse kjo pjesë që trajton Shqipërinë, zgjidhet me një marrëveshje pa kaluar në gjyq, unë besoj se establishmenti i Uashingtonit do të groposë atë pjesë që lidhet me Shqipërinë, sepse kjo është shumë shqetësuese për qeverinë amerikane. Administrata aktuale ka qenë shumë mbështetëse e qeverisë së Ramës’,- tha ndër të tjera John Schindler.




















