Klodi Stralla: Ndryshimet politike vetëm me denoncime, janë të dështuara !

19
Sigal

Deri tani, strategjia e Opozitës aktuale ka qene Denoncimi i korrupsionit të qeveritarëve aktualë, denoncim, që është bërë verbalisht, në median vizive dhe të shkruar, por edhe në formë Kallzimi penal tek organi i akuzës – Prokuroria. Ndonëse kanë filluar shumë çështje penale, bazuar në këto lloj kallzimesh, ndonëse janë bërë edhe shumë arrestime, plot zhurmë e bujë, por edhe vend e pavend, është fakt që ende nuk kemi vendime gjyqësore të formës të prerë (të ekzekutueshme) që të deklarojnë fajtorë persona konkretë dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, nuk kemi asnjë kthim në buxhetin e Shtetit të pasurive të vëna me korrupsion (sekuestrimi nuk është ndryshim pronësie). Përkundrazi, buxheti i shtetit gërryhet, muaj pas muaji, nga gjyqfituesit e shumtë në Arbitrazhin ndërkombëtar, siç është rasti Beketti apo gjyqet e pronarëve në Strasburg ku qeveria, për shkak të arbitraritetit të saj të skajshëm, ka dalë humbëse.

Nëse presim që ndryshimet politike, aq të domosdoshme dhe të vonuara, të bëhen nga sistemi gjyqësor (jo thjesht SPAK-u), mendoj se Opozita gabon rëndë (nuk e di me ose pa qëllim). Duke parë ritmin prej breshke të këtyre gjykimeve, të korruptuarit ka gjasa të ndërrojnë jetë para se gjykata t’i deklarojë ata fajtorë në të tre shkallët e gjykimit, pa le pastaj edhe t’iu konfiskojë pasurinë e vënë me korrupsion. Gjyqësori, edhe sikur të ketë dëshirën dhe vullnetin e mirë, nuk mund ta pastrojë apo reformojë Politikën. Me slloganin “Përgjegjësia është personale!” çdo qeveri jeton 1000 vjet!

Ka shumë diskutime se cila mund të ishte rruga më efikase për të arritur rezultate të shpejta dhe a janë këta opozitarët aktualë njerëzit e duhur që mund ta bëjnë këtë, apo a e dëshirojnë vetë shqiptarët ndryshimin? Por kjo është një temë më vehte. Për mua, rruga e denoncimeve të përditshme, si rrugëzgjidhje për të sjellë ndryshime politike në vend, më duket e gabuar, bile e ka bërë edhe vetë aktin e denoncimit qesharak – populli thotë ia ka nxjerrë bojën. Prandaj tek ne çdo çudi zgjat tre ditë!

Krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë është një shembull sesi gjyqësori mund ta pastrojë politikën, por atë e imponoi faktori ndërkombëtar. Tek ne nuk po duken shenja të tilla.