Intervista/ Diplomati Spartak Topollaj: Qeveria shqiptare është në dijeni të deklaratave të Miccotaqis, negociatat vazhdojnë në kospiracion enigmatik. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2009-s nuk mund të ndryshohet kurrë. Këtë tradhëti Shqipërisë, duke i falur territory Greqisë, vetëm Edi Rama mund ta bëjë.
Spartak Topollaj, ish- ambasador
Pa diskutim, që Qeveria Shqiptare është në dijeni të asaj çka deklaron Micotaqis, se negociatat po vazhdojnë në konspiracion të plotë. Rama, dozën e pabesisë po e jep gradualisht, që reagimi popullor dhe ai i Opozitës të amortizohet sa më tepër të jetë e mundur!
Petraq Barjami
Spartak Topollaj, ish- ambassador, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se qeveria shqiptare bën me Geqinë marrëveshjen e detit në një kospiracion enigmatik, sa nuk dihen edhe kush janë negociatorët, dhe si e tillë, kjo mban një erë të rëndë. Diplomati Topollaj, thekson se Greqia ka gjunjëzuar kryeministrin Rama, duke përfituar edhe nga fakti që Shqipëria ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese. Ish -ambasadori Topollaj pohon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në 2009, nuk mund të ndryshohet kurrë, për më tepër që Presidenti i Republikës Ilir Meta, e deklaroi se e mbron atë vendim. Diplomati Topollaj, deklaratën e kryeministrit Rama, që Greqia ushtron të drejtën e saj të mbështetur në të Drejtën Ndërkombëtare sipas Traktatit të Montego Bay në Xhamajkë (UNCLOS ) të 10 Dhjetorit 1982, e cilëson tradhëti kombëtare ndaj Shqipërisë.
– Zoti ambasador Topollaj, kryeministri Rama, duke dashur të sqarojë qëndrimin e qeverisë së tij për deklaratën e kryeministrit Micotaqis për zgjerimin e detit në 12 milje nga Greqia në kufirin detar Greqi-Shqipëri tha se Greqia ka qëndrim korrekt, ndërsa shqiptarët nuk kuptojnë nga E drejta Ndërkombëtare për Detin. Ju, si jurist, si e kuptoni këtë të drejtë ndërkombëtare?
– Që në krye të herës, më duhet të shpreh, ashtu si shumica e shqiptarëve, habinë e madhe me Qeverinë shqiptare dhe MEPJ, për konspiracionin enigmatik dhe tisin e errët, që tash sa vite mbulon negociatat për Marrëveshjen e Detit me Greqinë fqinje?! Çfarë duhet fshehur, veçse nëse ka diçka jo të pastër dhe që mban erë të rëndë?! Po ashtu, mbahet e fshehtë përbërja e ekipit tonë negociator, duke shtuar edhe më tepër dyshimet, se diçka jo e mirë po gatuhet. E për më keq akoma, çdo lajm mbi këtë temë kaq delikate dhe të rëndësishme, mbi sovranitetin e ujrave tona të Detit Jon, shqiptarët e mësojnë nga burimet zyrtare diplomatike dhe politike greke, apo nga mediet e shtetit helen?! Kështu ndodhi edhe tani, kur nga Kryeministri Micotaqis u deklarua se Greqia do i shtyjë kufijtë e saj detarë nga 6 në 12 milje, duke e vënë Shqipërinë para faktit të kryer ?! Këtë do e bëjë pas një dekreti presidencial dhe një ligji të ri në parlament, e me ç’po mundohet të na shpjegojë KM Rama, qenka e drejtë e saj, mbështetur në të Drejtën Ndërkombëtare, çka Shqipëria e paska bërë qysh nga 1990?! Lind pyetja logjike: kur Shqipëria e Ramiz Alisë me poturet e rëna në tokë, paska pasur ngé t’a bëjë këtë, 30 vite më parë, si mund ta “harronte” Greqia , atdheu i Odiseut, me një numër të madh juristësh të njohur, këtë të drejtë?! Rama, për më keq akoma, i bën shqiptarët injorantë, që nuk njihkërkan të Drejtën Ndërkombëtare, kur po ai, nga ana tjetër, na tregon se, këtë e paskemi ditur dhe vënë në jetë, që prej 1990-ës! Po me këtë gjuhë fyese për né, ai foli dje para gazetarëve nga Viena, ku ndodhet, si kreu i rradhës së OSBE-së!
– Besoni, se deklarata e kryeministrit Micotaqis në Parlamentin grek, është produkt i marrëveshjes Greqi-Shqipëri, apo qeveria shqiptare nuk ka dijeni paraprake?
-Pa diskutim, që Qeveria Shqiptare është në dijeni të asaj çka deklaron Micotaqis, se negociatat po vazhdojnë në konspiracion të plotë. Rama, dozën e pabesisë po e jep gradualisht, që reagimi popullor dhe ai i Opozitës të amortizohet sa më tepër të jetë e mundur! Për tetë vite me rradhë (2005-2013), Opozita Socialiste akuzonte egërsisht dhe papushim Qeverinë Demokratike dhe KM Berisha, se e komandonin Gjykatën Kushtetuese në çdo vendim, por edhe këtu ka një paradoks dhe non sens, se ishte po kjo Gjykatë, që me 9 vota pro e asnjë kundër, nuk e njohu Marrëveshjen e 2009 -ës! Koha ka treguar se Berisha është, siç me të drejtë e ka vlerësuar Ambasadori Amerikan Arvizu, burrështetas i shquar dhe politikan race, ashtu si edhe Basha! Mjerë ata që nuk e kanë kuptuar, ose nuk duan t’a kuptojnë të vërtetën!
– Kryeministri Rama dje u tha shqiptarëve se janë të paditur e duhet të lexojnë Konventën e së Drejtës Ndërkombëtare për Detin, që të kuptojnë se Greqia ka të drejtë të zgjerohet 12 milje. Pse Shqipëria nuk e ka këtë të drejtë, që edhe ajo të zgjerohet 12 milje?
– Shqipëria e ka fituar këtë të drejtë që më 1990-ën, e ka paraqitur në OKB dhe i është pranuar. Ajo ka shfrytëzuar të Drejtën Ndërkombëtare sipas Traktatit të Montego Bay, në Xhamajkë (UNCLOS ) të 10 Dhjetorit 1982. Nismëtar dhe “Babai” i saj njihet maltezi Arvid Pardo, që nga 1967, u bënë disa Konferenca e shumë negociata, që nga 1973-shi, por ajo hyri në fuqi më 1994, një vit pasi u plotësua kuorumi detyrueshëm i 60 shteteve firmëtare e ratifikuese me Guajanën, që aktualisht janë 167 me 157! Më parë se të na tregojë korrektesën greke dhe të drejtat e saj, Ramë “patrioti” të mos harrojë se në Greqi ende mbahet Ligji absurd i Luftës me Shqipërinë, se s’ka asnjë lëvizje, qoftë milimetrike për Çështjen Çame, të drejtat, liritë e pronat e tyre, se në burgjet greke janë dhjetra të vdekurit, e po aq të “vetvrarët”, se këtu kemi shkolla e kolegje greke, po aty s’ka asnjë shkollë shqipe për mbi gjysmë milioni shqiptarë, etj. etj.
– Pse kryeministri Rama dje u tha shqiptarëve, qeveria shqiptare e pranon fakt të kryer zgjerimin e Greqisë në 12 milje në kufirin detar, kur ende Shqipëria nuk ka nënshkruar marrëveshjen me Greqinë dhe Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese?
– Ja pra, që këtu është loja, apo më saktë hiléja! E mbetur pa Gjykatë Kushtetuese nga e ashtuquajtura Ramaforma, si asnjë vend tjetër i botës demokratike, ku edhe Institucionet e “reja”, drejtohen nga bijtë apo pjesëtarë të nomenklaturës së kohës së Qoftëlargut, ose kunetër, baxhanakë, vëllezër, motra, e kushërinj të Kryesisë “rilindëse”, ministrave dhe deputetëve të mazhorancës socialiste, Shqipëria mbetet zbuluar dhe odisenjtë e Athinës, pasi me sa duket e kanë gjunjëzuar Ramën, duan të përfitojnë me politikën e tyre të faktit të kryer! Por Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2009, nuk mund të ndryshohet kurrë, aq më tepër, që edhe Presidenti i Republikës, Meta, sapo e ka stërpërsëritur me forcë këtë!
– A duhet që kryeministri Rama paraprakisht, se të pranonte publikisht fakt të kryer zgjerimin e Greqisë në 12 milje, të informonte Presidentin e Republikës të Shqipërisë, Parlamentin dhe partitë politike?
– Ky është detyrim Kushtetues i patjetërsueshëm i Qeverisë dhe MEPJ-së. Nëse nuk është bërë deri më tani, aq më tepër shtohet dyshimi se pas kuintave, në prapaskenë, po luhet ndyrazi! Kam bindjen e thellë se Presidenti i Republikës, nuk do ta lejojë kurrë këtë!
– A mund të konsiderohet Tradhëti Kombëtare qëndrimi i pranimit të faktit të kryer nga Kryeministri Rama për zgjerimin e Greqisë në 12 milje në kufirin detar Greqi-Shqipëri?
– Këtë nuk mund t’a bëjë askush, që i thotë vetes shqiptar, e jo më një Kryeministër, që disa herë, ka bërë edhe të “fortin”, përfshi edhe vetë SHBA, të cilës ne, nuk ia shlyejmë dot, atë që ajo ka bërë për Kombin Shqiptar këta 100- vitet e fundit! E nëse mos e dhëntë ZOTI, Rama shkon deri këtu, përcaktimi i Prof. Dr. Berishës për atë, si “Zografi bis”, mund të merret më e pakta si kompliment!
– A duhet që Parlamenti shqiptar të krijojë urgjentisht Komision Hetimor Parlamentar ndaj kryeministrit Rama për tradhëti Kombëtare?
– Kjo historia me Komisione, më kujton Shvejkun e Jarosllav Hashek-ut të madh me atë Komisionin …,që ata budallenjtë mendonin se do t’i ndihmonte …e që ai i “ndihmoi”, sa i “kënaqi”! Sidomos komisionet e këtij Parlamenti monopartiak, me disa gjasme dhe disa gjysmë opozitarë, nuk priten të mblidhen kurrë. E meqë jemi në pikën e fundit të intervistës sime, ku po flasim për atdhetarë dhe tradhëtarë, nuk mund të rri pa përmendur një fakt tejet domethënës për KM Rama, njëkohësisht edhe deputet i parë i Vlorës. U festua 100 -Vjetori i Luftës Heroike të 1920-ës, eveniment i jashtëzakonshëm historic, për të cilën, Rama pothuaj nuk gjeti kohë të organizonte asnjë aktivitet në nderim të saj, madje as mori mundimin të lëvizte, apo të ndërpriste pushimet superluksoze në Jalë, Dhërmi, apo Rezidencën e Enverit te Uji Ftohtë, si edhe bashkëshoqërinë me Presidentin Kroat Zoran Milanoviç, që me Jahtin e restauruar 39 metrash të Mareshalit Tito, UCHKA (dikur PODGORKA), pushoi në brigjet e mrekullueshme të Jonit, duke i hapur jo pak telashe vetes në vendin e tij, ku e etiketuan si Tito i ri! Së fundmi: Natyrisht, edhe si nip Vlore, në familjen e njohur për atdhetari të Agallinjve, pyeta të afërmit, nëse kishin marrë ndonjë ftesë, pasi Beqir Sulo Agalliu ishte edhe Nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, me Kryetar të madhin Osmën Haxhiu, njëkohësisht Kryebashkiak proverbial i Vlorës dhe kuptohet, mora përgjigje negative?! Më erdhi mirë që Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta, mori pjesë në festimet në Drashovicë.
– Faleminderit!