Artan Shkreli: Do të doja të restaurohej Teatri, jo të shembej. Deputeti Shalsi: Nuk ka vlerë kulturore

964
Sigal

Petraq BARJAMI

Zv.ministri Artan Shkreli: Do të doja të restaurohej Teatri, jo të shembej

Deputeti socialist Eduard Shalsi: Teatri Kombëtar nuk ka vlera të Trashëgimisë Kulturore, prandaj do të ndërtojmë të ri

Javën që vjen Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese do të rishqyrtojë projektligjin “Për Teatrin Kombëtar”, pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk e dekretoi. Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian, nuk u shpreh qartazi, pas ankesës së Opozitës, por në letrën që dërguan në Tiranë, këshilluan që ky projektligj të rishikohet, procesi i tenderimit të jetë më i hapur dhe transparent. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e shtyu këtë projektligj dhe nuk e futi në procedurën e seancës së parë plenare të Kuvendit, për t’i dhënë kohë mazhorancës që ta rishikojë edhe një herë.

Deputeti Shalsi: Teatri Kombëtar nuk ka vlerë të Trashëgimisë Kulturore

Në lidhje me çështjen e teatrit ka folur edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, deputeti i PS-së Eduard Shalsi i cili është shprehur se godina e sotme e teatrit nuk është një trashëgimi kulturore. “Nuk përfaqëson ndonjë vlerë si Trashëgimi Kulturore dhe do t’i japim Tiranës një teatër modern. Duam t’i japim Tiranës një teatër të ri dhe dinjitoz. Dekreti ka shumë pika dhe nuk po biem dakord. Nuk do të ndërtonin dot teatër me lekët e buxhetit. Ne i japim të drejtë çdo kompanie, çdo subjekti që mund të na japë një ofertë. Ne nuk duam të pengojmë asnjë që të shpalosë idetë e tij.”, – u shpreh Eduard Shalsi. Në lidhje me kompaninë “Fusha shpk” deputeti Shalsi u shpreh se duhet parë çështja nëse do ta marrë kjo kompani ndërtimin e teatrit të ri. Kjo do të thotë se veç kompanisë Fusha në garë do të mund të marrin pjesë dhe kompani të tjera dhe do të bëjmë thirrje.

Deputetja Vokshi:

Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka folur sërish për çështjen e Teatrit Kombëtar. Ajo është shprehur se edhe KE e tha qartë se ligji Rama-Fusha shpk është një ligj klientelist dhe korruptiv. “Rama në asnjë moment nuk ka nevojë për një ligj të ri, një ligj special. Edhe Komisioni Evropian tha se ligji Rama-Fusha shpk është një ligj klientelist dhe korruptiv. PD e ka fare të qartë se ligji Rama Fusha është një projekt për pastrimin e parave të krimit dhe të drogës. Kjo është arsyeja që PD është kundër këtij ligji. PD ka qenë që ditën e parë në krahë të artistëve dhe qytetarëve që duan të ruajnë vlerat kulturore dhe trashëgiminë e Tiranës. Jemi në krah të artistëve, për kthimin dhe rrëzimin e këtij ligji”, u shpreh Vokshi.

Zv.ministri Artan Shkreli: Do kërkoja restaurimin e Teatrit

Për godinën e Teatrit Kombëtar ka folur edhe zëvendësministri, arkitekti Artan Shkreli, i cili ka theksuar se është për një restaurim të saj dhe kjo për shembjen e saj. “Nëse unë do të flisja si Artan Shkreli, si restaurator, që më intereson vetëm Teatri dhe nuk më intereson pjesa tjetër, do kërkoja restaurimin e Teatrit. Ideale do të ishte që një teatër bashkëkohor të ndërtohej diku tjetër, nëse do të ekzistonin paratë për të blerë truallin. Por jemi në dualitetin mes njeriut që do të restaurojë godinat e vjetra me një vlerë historike në këtë qytet dhe atij që kërkon një teatër bashkëkohor. Nëse do të isha sot përfaqësues i shoqërisë civile, do të kërkoja me papërgjegjshmërinë e ligjshme: Gjejini paratë ku të doni dhe restauroni Teatrin! Unë këtë nuk e them dot nga pozicioni që jam.”, – u shpreh arkitekti Artan Shkreli.