Gjendet vula e vjetër 2.700 vjeçare

620
Sigal

Arkeologët kanë zbuluar një vulë të vjetër 2.700 vjet të epokës së Mbretërisë Urartu në provincën turke Elazıg, raporton Anadolu Agency.

Vula është gjetur në Kështjellën Harput, ku një ekip arkeologësh janë duke kryer gërmime me në krye profesorin Ismail Aytaç.

Aytaç tha se kështjella është ndërtuar në shekullin e 8-të para erës sonë gjatë periudhës së Mbretërisë Urartu, ndërsa më pas ajo ka qenë nën sundimin e shumë civilizimeve të tjera, përfshirë atë romake, sasanide, bizantine, abaside, selçuke dhe së fundmi osmane.

Shefi i gërmimeve Aytaç tha se në Kështjellën Harput gjenden gjurmë të civilizimeve të ndryshme, të cilat zbulohen vazhdimisht përmes gërmimeve arkeologjike.

Një prej tyre është edhe vula prej guri, e cila në fakt është përdorur si vulë cilindrike.

“Kjo vulë shtypëse dhe cilindrike të cilën e kemi gjetur përcaktuam se i përket shekullit të 7-të para erës sonë. Ajo flet për kompetencat e personave të rëndësishëm gjatë periudhës së Mbretërisë Urartu dhe për nocionin e pronës private”, theksoi Aytaç.

“Sa kemi kuptuar, Kështjella Harput, e nisur si Mbretëria Urartu dhe Kështjella Urartu, ka qenë qendër e rëndësishme administrative”, shtoi ai.

Sipas tij, tradita e vulave ka filluar që nga vitet gjashtë mijë para erës sonë dhe ka pasur cilësinë e një firme të një personi ose kompetencave të tij.

Aytaç tha se vulat e parë janë bërë prej argjilës, e më pas prej gurësh dhe metali.

“Në pjesën e sipërme të vulës gjendet figura e dhisë me krahë, ndërsa anësh figura e kalit me krahë”, bëri të ditur Aytaç.