Tensionet në kulm/ Trump pritet të marrë sot vendimin e rëndësishëm kundër Putinit

612
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po konsideron marrjen e nje vendimi për të dëbuar të paktën 20 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj helmimit të ish-spiunit rus në Britani, kanë raportuar mediat e huaja.

Sipas burimeve vendimi mund të merret sot dhe mund të varet nga lëvizjet e aleatëve evropianë, në përgjigje ndaj sulmit me agjent nervor në qytetin Salisbury të Britanisë.

Ish-spiuni rus, Sergei Skripa dhe vajza e tij Yulia, ishin gjetur pa ndjenja më 4 mars dhe vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.

Zyrtarët britanikë thonë se “ka gjasa të mëdha” që Moska qëndron pas këtij sulmi, qëndrim të cilin e ka shprehur edhe Bashkimi Evropian.

Londra ka dëbuar 23 diplomatë rusë në përgjigje të helmimit. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe është kundërpërgjigjur duke dëbuar 23 diplomatë britanikë nga Rusia.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah ka thënë se Uashingtoni po e konsideron mundësinë e dëbimit të diplomatëve, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Mbretërisë së Bashkuara në dënimin e veprimeve të Rusisë. Presidenti gjithmonë e konsideron mundësinë për të mbajtur përgjegjëse Rusinë për veprimet keqdashëse”, ka thënë ai.

Agjencitë e lajmeve kanë cituar më 20 mars një burim në Departamentin amerikan të Shtetit të ketë thënë se Këshilli për Siguri Kombëtare i Trumpit i ka dhënë presidentit një sërë masash që mund të marrë kundrejt Rusisë. Mediat kanë raportuar se Moska pritet që të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë, nëse SHBA-ja dëbon diplomatët.

Çdo lëvizje e SHBA-së do të ishte në kundërthënie të dëshirës së shprehur të Trumpit për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Javën e kaluar, Trump kishte telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin për t’i uruar fitoren në zgjedhje, por gjatë kësaj bisede ai nuk kishte përmendur helmimin në Britani.
Sigal