Artan Hoxha:“Rilindja Shqiptare” është një dokument deklarimesh. Më 23 Qershor, do të kemi zgjedhjet më të mira”

344
Sigal

INTERVISTA/ Artan Hoxha, analist:“Statusi është humbur deri tani për shkak të konfliktit politik dhe bllokimit si produkt i tij”

 Artan Hoxha, si  njeri në radhë të parë, bëri aktin më demokratik, të pakonceptueshëm, jo vetëm nga politikanët e sotëm  shqiptarë, por edhe nga shumica e shqiptarëve. Artan Hoxha, me vetëdorëheqjen nga kandidatura e Presidentit, u ngrit mbi ndërgjegjen ende të paformuar demokratike të klasës sonë politike dhe të vetë shoqërisë sonë, duke  na thënë, me vetëdorëheqjen nga zgjedhja e sigurt si Presidenti i Shqipërisë, se në demokraci vlera kanë morali, personaliteti dhe integriteti i politikëbërësve, që të besosh dhe të shpresosh,  paskëtaj, në kontributin që ata do të japin ata në shërbim të interesave të mëdha të Shqipërisë dhe të Kombit. Artan Hoxha, në intervistën ekskluzive për  “Telegraf”  përcjell bindjen e shumicës së shqiptarëve për shqetësimin që ndjejmë përse ende Shqipëria dhe shqiptarët janë të vonuar në integrimin europian. “Nëse politika shqiptare do të ishte kaq e ndjeshme ndaj qëndrimeve të ndërkombëtarëve dhe statusit në veçanti, do të kishin patur me kohë tjetër sjellje dhe statusi do të ishte marrë që në nëntor 2010”

– Zoti Hoxha,  a kemi krizë politike në Shqipëri, derisa ka humbur besimi jo thjesht te politika, por mosbesimi është tashmë edhe ndaj vetë klasës politike?

– Unë nuk shoh krizë. Pamundësia e Kuvendit për të arritur miratimin e ligjeve, që kërkojnë të paktën 84 vota, nuk është tregues i krizës, por i mungesës së konsensusit për qëllime politike dhe elektorale. Ndërkaq, ka mjaft komente për të ashtuquajturin humbje e besimit tek politika.  Këtë varet si e sheh. P.sh, demokratët besojnë se vendi shkon në rrugën e duhur nën drejtimin e partisë së tyre dhe kjo do vazhdojë nëse demokratët fitojnë zgjedhjet. Socialistët mendojnë të kundërtën. Këto mund t’i shohësh si vlerësime diagonalisht negative, apo si vlerësime paralelisht pozitive dhe secili këndvështrim të çon në përfundimin e kundërt me tjetrin. Sipas të parit, ka humbur besimi e sipas të dytit, besimi është i plotë. Tek e fundit, nëse paskërka humbur besimi tek politika, pse ka patur, ka dhe pritet të ketë pjesëmarrje kaq të lartë në zgjedhje (duke mos llogaritur emigrantët) dhe kaq shumë interesim për debatet politike?

– Derisa Shqipëria dështoi 3 herë në përpjekjet për t’u integruar në BE,  besoni se ka ardhur momenti që Shqipërisë i duhet rotacioni politik? Dhe, me rotacion politik, duhet kuptuar (ngushtësisht) vetëm ndërrimi  partiak i qeverisjes?

– Komisioni Europian është i gatshëm të japë rekomandimin pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, “me t’u miratuar tre ligjet”. Edi Rama thotë se problemi i Shqipërisë me statusin nuk janë mungesa e tre ligjeve, por “mungesa e tre pushteteve”. Pra Edi Rama mendon ndryshe nga Stephan Fule. Por rekomandimin e jep Fule, sipas vlerësimeve të tij dhe jo sipas vlerësimeve të Ramës. Ky i dyti ka në dorë, veç miratimin e ligjeve, pa të cilat Fule nuk jep dot rekomandimin. Pra, statusi u bllokua nga Rama. Ndaj, bllokimi i statusit nuk ka se si të jetë arsye për rotacion në favor të Ramës, por përkundrazi, një arsye kundër tij në zgjedhjet e ardhshme. Rotacioni në parim është i dobishëm, por duhet merituar nga opozita. Mua nuk më duket se me bllokimin e statusit, opozita ka investuar që të meritojë ajo rotacionin. Gjithsesi, zgjedhjet kryhen për të përcaktuar një përbërje të re të Kuvendit dhe shumica e re do të qeverisë. Cilado qoftë ajo, qeverisja s’ka se si të jetë identike me të sotmen. Në mos rotacion, një farë variacioni do të ketë.

– Në Shqipëri, duke përfituar edhe nga sistemi zgjedhor,  ku i jepet kompetencat e përqendrimit të  pushteteve vetëm në duart e liderit partiak, a duhet të na trembë fuqizimi i Lideri(zimit) partiak, në çdo parti politike?

– Është dilemë e vështirë. Nga një anë lideri i fortë ka kosto për interesin publik, përmes rolit të përqendruar, nga ana tjetër, lideri i dobët ka kosto për interesin publik, përmes disiplinës së dobët. Pika e ekuilibrit nuk gjendet me mend, sado i zgjuar qofsh, por me tentativë zgjedhje pas zgjedhjeje, përgjatë proceseve të ngadalta evolutive. Ajo që kemi arritur që në vitin 2005, është që asnjë parti nuk mund të fitojë e vetme 84 vende në Kuvend dhe pra nuk rrezikojmë ekseset e mbipushtetit. Duket se në zgjedhjet e 2009-s u vendos një ekuilibër edhe më poshtë, ku asnjë parti e vetme nuk mund të fitojë 71 vende në Kuvend dhe pra, qeveria duhet të jetë patjetër produkt i aleancave.  Por, ajo që vumë re në periudhën 2009-2012 ishte që, ndërsa nga njëri krah qeveria ishte e detyruar të bazohej në aleanca, për të arritur e kaluar paksa numrin e domosdoshëm prej 71 deputetë, nga ana tjetër opozita socialiste, me 65 deputetët e saj, për shkak të monopolit opozitar, arriti të bllokonte miratimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota. Nëse do te kishim një opozitë të ndarë në dy pjesë, ku njëra pjesë do të mjaftonte që, edhe duke mbetur në opozitë, por duke bashkuar votat me maxhorancën, vetëm për ligjet e shumëkërkuara për statusin e vendit kandidat, kjo do të ishte në interes të Shqipërisë. Shkurt, ndërsa nuk ka më monopol të një partie për formimin e qeverisë, do të ishte e mirë që të mos kishte as në opozitë një monopol vetëm të një partie. Të shohim çdo na japin zgjedhjet 2013-s.

– Zoti Hoxha, sa të drejtë kishte ambasadori Arvizu në kritikën e tij për KQZ-në, duke cilësuar vendimet e saj të politizuara dhe a është me vend paralajmërimi i tij se këto vendime të politizuara përbëjnë një ogur jo të mirë për procesin zgjedhor të 23 Qershorit?

KQZ-ja  është ekstremisht e politizuar, por politizimi i saj nuk është produkt i vetë KQZ-së. Mjedisi politik është i superpolitizuar dhe vetë KQZ-ja është ngritur si mekanizim bi-politik. Ndaj, këtu s’ka vend as për çudi, as për mërzi dhe as për frikë. Zgjedhjet do bëhen dhe rezultati do dalë si edhe në të shkuarën.

– Duke qenë se ngërçi politik për  ndarjen e mandateve dhe ZAZ-t,   acaron klimën politike, a përbëjnë ato thelbin e problemit, apo janë sebepi për të arritur të tjera qëllime?

– Është klima politike e acaruar, që shkakton ngërçin në KQZ dhe jo ngërçi që shkakton klimën e acaruar. Gjithsesi, Shqipëria bëri zgjedhje mjaft të mira edhe në 8 maj 2011, pasi kaloi disa muaj tepër, tepër të rëndë, ndaj s’ka se si të  mos bëjë zgjedhje mjaft më të mira këtë vit.

– Kujt i shërben acarimi i klimës parazgjedhore dhe vënia në dyshim që në fillim të mirëbesimit të procesit zgjedhor?

– Nëse politika shqiptare do të ishte kaq e ndjeshme ndaj qëndrimeve të ndërkombëtarëve dhe statusit në veçanti, do të kishin patur me kohë tjetër sjellje dhe statusi do të ishte marrë që në nëntor 2010. Nëse nuk ishin të ndjeshëm këto katër vite, pse do të bëhen të ndjeshëm në 23 Qershor? Nuk ka arsye, apo jo? Pra, zgjedhjet, apo më qartë, rezultati i tyre janë prioriteti nr. 1 i politikës, “për të tjerat shohim e bëjmë pas zgjedhjeve”, besoj unë se është mënyra se si mendojnë politikanët.

– Ditët tashmë janë të mbarsura me akuza të ndërsjella midis PD-së dhe PS-së për korrupsionin, madje  të  vetë Berishës dhe Edi Ramës. Me të tillë sjellje politike, a mund të bindet opinioni se klasa politike ka vullnetin për të luftuar korrupsionin?

Opinioni do jetë po aq shumë i bindur, apo aq pak i bindur saç edhe në të shkuarën, kur ka dëgjuar akuzat e liderëve të kohës.

–  Duke ndjekur debatin politik PD-PS, a janë nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësitë nga palët politike për dështimin e marrjes për herë të tretë të statusit kandidat?

– Besoj se shqiptarët kanë një mendim unik se statusi është humbur deri tani për shkak të konfliktit politik dhe bllokimit, si produkt i tij. Shqiptarët ndahen, kur bëhet fjalë se cili është shkaktari i konfliktit dhe bllokimit. Unë e kam shprehur mendimin tim qartë. U shpreha edhe në krye të kësaj interviste.

– Palët politike e interpretuan dështimin, në atë kah të interesave të tyre partiake. Në të vërtetë, mosdhënia e statusit është thjesht mosvotimi i 3 ligjeve, apo ka edhe arsye që lidhen me standardet demokratike të (mos)arritura deri tani në Shqipëri?

Rekomandimi jepet nga Komisioni Europian për  t’u miratuar tre ligjet. Këto nuk janë miratuar dhe s’ka rekomandim. Se ç’mund të vendoste Këshilli Europian, pasi Komisioni të jepte rekomandimin pas miratimit të tre ligjeve, këtë nuk e di me siguri. Por, besoj se shanset për miratim të statusit nga Këshilli janë shumë, shumë të larta, por jo 100% garanci. Por, tek e fundit, marrja e rekomandimit do të shënonte kryerjen e hapit të parë të domosdoshëm, pa të cilin nuk ka hap të dytë.

– Edhe PD-ja, edhe PS-ja premtojnë se me fitoren në 23 Qershor, automatikisht, do të hapen edhe rrugët e integrimit. Sa të besueshëm mund të duken këto premtime (elektorale)?

Nëse PD-ja kalon në opozitë, s’ka se si ajo të sillet si PS-ja dhe pastaj të bllokojë 3 ligjet, ndaj rekomandimi për statusin do të jepet nga Komisioni. Nëse PS-ja mbetet në opozitë, me më shumë gjasa, nuk do të vazhdojë bllokimin, se kjo s’do kishte kuptim, por nëse Edi Rama do të zbatojë të njëjtën strategji, si këto katër vite, rruga e integrimit rrezikohet të mbetet përsëri e mbyllur.

– Besoni se pas 23 Qershorit, do të përmirësohet klima e mirëkuptimit, midis palëve politike për një bashkëpunim për çështjet e mëdha kombëtare dhe të integrimit?

Siç e shpjegova më lart, shanset janë teorikisht, shumë më të mëdha pas zgjedhjeve.

 – A mundet që kriza  të ndalet vetëm me kufizimin e sforcuar të shpenzimeve dhe a është e domosdoshme  edhe rishikimin e taksave?

– Mendoj se duhet të ruajmë modelin aktual fiskal, si nga ana e të ardhurave, ashtu edhe e shpenzimeve, pa përjashtuar modifikime të vogla. Ky model funksionoi mjaft mirë në vitet 2006-2008, pra në periudhën para krizës e gjithashtu shërbeu mjaft mirë, si amortizator i efekteve të krizës në vitet 2009-2012. Pritet që Europa të dalë nga kriza në vitin 2014. Ndaj, do ishte e dëmshme të ndërrojmë modelin e sprovuar, edhe në periudhë të  mbarë, edhe në periudhë të vështirë.

– Cila nga taksat duhet rritur dhe sa nga rritja e të ardhurave të pritshme do të vijë nga miradministrimi, lufta kundër korrupsionit, pjesëtimi i procedurave, etj.?

– Besoj se taksat mbi pasurinë e paluajtshme, si p.sh. ato për shtëpitë e dyta, apo të treta mund të rriten, qoftë edhe progresivisht.  Lidhur me miradministrimin, besoj se këtu është rezerva më e madhe përmirësuese, pas daljes nga kriza, por s’mund të them sa mund të jetë efekti sasior.

 

– Sipas jush, a ka krizë ekonomike në Shqipëri, apo thjesht kemi ndikime të krizës ekonomike?

Nuk kemi krizë sipas përkufizimit standard, pra 2 tremujore rresht me rritje negative të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por kemi patur e kemi mjaft shtrëngesa.

– Politika ekonomike qeverisëse a ka marrë masat e duhura që të mbështetë ekonominë?

 – Politikat qeveritare mendoj se janë marrë në kahjen e duhur, duke tentuar si nxitjen e investimeve agregare, ashtu edhe mosdekurajimin e konsumit agregat dhe ndryshe nga çfarë mendohet, qeveria ka pak në dorë përballë efekteve të kësaj krize.

 – Në programin ekonomik elektoral të PS-së, ku premtohet heqja e taksave të biznesit të vogël dhe njëkohësisht rritja e investimeve që shteti do të kontribuojë në arsimin e shëndetësinë publike, si edhe në një rritje të  treguesve të politikës sociale,  a shikoni ndonjë kontradiktë?

 – “Rilindja Shqiptare” është një dokument deklarimesh dhe jo një program i detajuar, ndaj, paragrafët e tij mund të kenë, njëkohësisht, dy a më shumë kuptime, apo zbërthime e në këto kushte  të vështira ta gjykosh. Por diçka tashmë është bërë e qartë. Politika fiskale socialiste kërkon që të përdorë edhe taksat progresive si instrument të shpërndarës dhe këtë e ngre mbi pretendimin se ekonomia e tregut ka krijuar një shtresë prej 5% të shqiptarëve të pasur në kurriz të 95% të të tjerëve të varfër. Si fakt i këtij polarizimi jepet që 5% e depozituesve zotërojnë gjysmën e depozitave. Kjo pikënisje është tërësisht sajesë e ndaj çdo modifikim fiskal mbi një sajesë s’ka se si të  jetë ai i duhuri. Nëse socialistët do t’i përgjigjen ndershmërisht pyetjes, se sa shqiptarë bëjnë pjesë në këtë 5% të depozituesve dhe sa është vlera mesatare e depozitës së këtyre, do të arrijnë vetë në përfundimin se s’bëhet fjalë aspak për 5% të pasur, por për disa dhjetëra mijëra shqiptarë, që kanë përmirësuar jetesën e kanë vënë ca kursime farë modeste mënjanë, si produkt i punës dhe nismës së lirë, nismë që krijon punësim për shumë të tjerë, në 22 vite ekonomi tregu dhe synimi ynë duhet të jetë që nga 5% të bëhen 10% apo 15% e jo t’i dekurajojmë këta, duke shpërndarë ca thërrime më shumë tek të tjerët. Gjithsesi, do flasim më konkretisht për programin socialist, kur socialistët të flasin më konkretisht për idetë e tyre.

– A ndihmon rritjen e treguesve të ekonomisë rritja e pragut të borxhit publik?

– Rritja e kufirit të borxhit u bë e domosdoshme. Mosrritja do të ishte e dëmshme. Ajo ç’ka duhet bërë në të ardhmen është që, kur të vijnë kohë të mira, borxhi të ulet paska, në mënyrë që të kemi mundësi ta risim kur të vijnë përsëri kohë të këqija. Që do ketë kohë të mbara e të vështira, kjo është më shumë se e sigurt.

– Ju faleminderit!