Berisha dekonspiron mercenarët në PS

584
Sigal

Qeveria miraton ligjin e ri për përgjimet, Kryeministri Berisha rrëfen bisedat sekrete të deputetëve të selisë rozë

Ditët e fundit kanë tërhequr vëmendjen dy intervista të rëndësishme që kanë dhënë për gazetën “Telegraf” Prof. Sabit Brokaj dhe Prof. Servet Pëllumbi. Të dy këta personalitete të shquara të politikës dhe të së majtës shqiptare, duke folur për situatën aktuale politike pas raportit realist të OSBE-së, rrëfyen se në Partinë Socialiste ka njerëz që janë blerë nga Berisha dhe punojnë për të. Ishte tronditës pohimi i Prof. Sabitit kur deklaroi se 4-5 njerëz në kokën e PS-së aktualisht punojnë për Berishën. Këtë pohim e përforcoi Prof. Serveti duke thënë se në kohën e SHIK-ut të Berishës e Gazidedes në qarqet e PD-së, thuhej se dy anëtarë kryesie në PS, pavarësisht nga njëri-tjetri, mbanin mikrofona në xhep, që makina “Volvo” e SHIK-ut, me xhama të zinj e me targë TR 1928 Z,  që parkohej poshtë zyrave të selisë së PS-së, regjistronte  mbledhjet e Kryesisë. Dhe, si për të mos lënë asnjë pikë dyshimi mbi vërtetësinë e këtyre pohimeve të dy politikanëve seriozë të së majtës, Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të Qeverisë gjeti kohën të miratonte ligjin e ri mbi përgjimet dhe në fjalimin që mbajti konfirmoi pikërisht këtë: se informohet rregullisht nga selia rozë se çfarë ndodh atje. Sjellja në ligjëratë të drejtë e bisedës midis dy deputetëve socialistë ishte një dëshmi e fortë se Berisha kontrollon jo vetëm nahijen e tij qeverisëse, por edhe opozitën. Natyrisht, me disa mercenarë që ose i paguan mirë, ose i shërbejnë me zell për arsye të tjera. Ai i identifikoi ata si “2 nga ekonomistët kryesorë të PS” dhe gati sa nuk u përmendi emrat. Lexuesi le të hamendësojë se cilët paskan qenë ata që ia kanë çuar të freskëta përgjimet Berishës, por me siguri, atyre që përmendi dje Berisha u kanë shkuar djersë të ftohta. Por, me këtë gjest Kryeministri desh t’u thoshte diçka të thjeshtë si një formë shantazhi: Vazhdoni të më shërbeni, përndryshe u nxora bojën, duke ua bërë publik emrat! Por, nga ana tjetër i thotë opozitës: Unë ua di të gjitha! Di pikat e forta dhe pikat tuaja të dobëta, ndaj dhe di të ndërtoj strategjinë e fitores mbi ju. Është e ndershme apo e pandershme kjo, është tjetër gjë. Prof. Sabiti thotë se është në natyrën e Berishës, që të kontrollojë gjithçka dhe sidomos duke shfrytëzuar pikat e dobëta sit ë njerëzve të tij dhe të kundërshtarëve. Në të vërtetë kjo nuk është ndonjë gjë e re, pasi Berisha është shumë i lexueshëm me veprimet e tij gjatë këtyre më shumë se dy dekada që është në politikë. Por me atë rrëfim thuajse të sinqertë që ai bëri në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ai desh të tregonte se sa i fortë është dhe se si e kontrollon skenën e politikës. Disa mendojnë se kjo tregon pikërisht të kundërtën: dobësinë e Berishës. Se cila është e vërteta, kjo mund të diskutohet. Tani për tani jemi përpara faktit se Berisha ka njerëzit e tij në krye të PS-së, të cilët sa dëmtojnë opozitën në rrugën e saj drejt pushtetit që synon ta marrë në zgjedhjet e ardhshme, aq dhe prishin imazhin e kësaj qeverie. Sepse në fund të fundit këto nuk janë metoda demokratike.

Përgjimet, Berisha: “Do përmirësohet ligji, sjell standarde të reja”

Qeveria miratoi dje ligjin e ri për përgjimet. Në nisje të mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Sali Berisha theksoi se ky ligj është punuar nga specialistë ndërkombëtarë në fushën e përgjimit. “Sot kemi shumë projekte dhe ligje për miratim, 27 të tilla, por do veçoj një vendim, ligjin për përgjimet. Ligji është punuar me një bashkëpunim të gjerë dhe intensiv me specialistët më të mirë ndërkombëtarë. Sjell standardet më të reja në fushën e përgjimit, që ju gazetarët e keni pasion të madh”. Sipas Berishës, ligji do i shërbejë luftës kundër krimit të organizuar dhe kërkesave për transparencë.

“Rama njeriu i pazareve, ndaj mori drejtimin e PS”

Dje në mbledhjen e Qeverisë, duke prezantuar disa projekte që do të merrnin firmën e miratimit nga qeveria, kryeministri Sali Berisha drejtoi akuza të njëpasnjëshme ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas Berishës, kreu i opozitës bën propagandë keqdashëse me anë të 2 mekanizmave me qëllim që të marrë pushtetin. “Një propagandë nxitëse e keqdashëse deri në infinit po bëhet këto kohë në drejtim të ekonomisë së vendit dhe jetës ekonomike të vendit. Është fatkeqe propaganda e z Rama, ai ka 2 mekanizma që mendojnë se e afrojnë me pushtetin. E para, pazaret. Nuk mundem, nuk jam unë njeriu i pazareve, jam njeriu i parimeve ndaj i bëj thirrje të heqë dorë nga logjika e pazareve. Se bëhet figura më e keqe. U nda nga ligji i Gjykatës Administrative më jep këtë se bëj këtë, po s’më dhe këtë. Nuk është politika pazar, por z Rama beson vetëm te pazari”. Sipas Berishës ditën që i zgjodh në krye të PS, kryeministri ka mësuar dhe bisedën mes 2 deputetëve socialistë. “Ditën që u zgjodh kryetar i PS-së, ja çfarë thanë 2 nga ekonomistët kryesorë të PS-së.

Njëri i thotë shokut: ‘Ç’e deshi ky këtë detyrë se mora vesh?’

Tjetri i thotë: ‘Si ç’e deshi, ai mori bankën më të madhe të Ballkanit’.

Ndaj dhe koncepti i tij për partinë është pazari”. Berisha vuri në dukje se edhe deklarata e Ramës për heqje taksash është taktikë elektorale. ‘Rama, pazare me heqjen e taksave për të marrë pushtetin’. Kurse koncepti i dytë i Ramës sipas Berishës është trillimi. “Dëgjoi se në Greqi ka faliment- dhe tha -kanë falimentuar 30 mijë biznese. Trillon”.

DEKLARUAN PËR “TELEGRAF”

Prof. Servet Pëllumbi

Në të vërtetë, nuk më çuditi deklarata e Berishës për bisedën e dy deputetëve socialistë. Më shumë më çuditi fakti që ai e pohon me gojën e tij faktin që ka vegla dhe mercenarë të tij në PS. Kështu u shpreh dje pasdite për “Telegraf”, Profesor Servet Pëllumbi. Më tej ai shtoi se do të donte të ritheksonte atë që tha në intervistën për gazetën tonë dy ditë më parë: Nëpër parti gjithnjë ka pasur e ka arrivistë, që për të realizuar ambiciet e tyre, nuk e kanë për gjë të shiten e të blihen si në pazar. Aq më tepër kur gjendet një Berishë që nuk bën dot pa mercenarizëm dhe pa provokatorë. Njëlloj si  Zogu i Parë! Po përmend një fakt: në kohën e SHIK-ut të Berishës e Gazidedes në qarqet e PD-së, thuhej se dy anëtarë kryesie në PS, pavarësisht nga njëri-tjetri, mbanin mikrofona në xhep, që makina “Volvo” e SHIK-ut, me xhama të zinj e me targë TR 1928 Z,  që parkohej poshtë zyrave të selisë së PS-së, regjistronte  mbledhjet e Kryesisë. Nuk e di në se tani është ndryshe situata, por nga mënyra se si lot Berisha, shpesh, me informacione të brendshme, me ato që diskutojnë e vendosin në kryesi të PS-së, apo në të ashtuquajturin “Këshill politik”, them se Doktor Sabiti nuk gabon me “ECON e vet”!

Prof. Sabit Brokaj

Në deklaratën e tij kur tregon për një bisedë të deputetëve socialistë, Berisha duket se tregohet i sinqertë. Ai tregon botërisht se ka njerëzit e tij në udhëheqje të PS-së. Unë këtë e kam pohuar në gazetën “Telegraf” një javë më parë. Madje kam dhënë dhe një shifër të përafërt se janë 4-5 njerëz në kokën e PS-së që punojnë për Berishën. Prof. Servet Pëllumbi ma përforcoi më shumë këtë bindje me intervistën e tij në “Telegraf” ku tregonte se si dy anëtarë të Kryesisë së PS-së në kohën e SHIK-ut të Gazidedes mbanin mikrofonat e Berishës në xhep. Por pohimi i Berishës në këtë rast tregon se si punon ai njeri. Ai nuk bën dot ndryshe. Berisha nuk bën dot pa mercenarë dhe pa provokatorë. Ai është shumë i prirur të shfrytëzojë dobësitë e të tjerëve, korrupsionin etj., për qëllimet e tij në pushtet. Këtë e përdor me efikasitet brenda partisë së tij dhe këtë mundohet ta shtrijë edhe te kundërshtarët e tij politikë. Mercenarët dhe provokatorët nuk mungojnë asnjë herë në politikë. Mirëpo kjo e keqe minimizohet kur në udhëheqje zgjidhen njerëz idealistë, të përkushtuar, të ndershëm dhe jo militantë mercenarë që shiten e blihen pa të keq nga kundërshtarët.