“Raporti i OSBE-së është shumë vlerësues për Shqipërinë”

465
Sigal

INTERVISTA/Flet Kryetari i Bashkimit Liberal Demokratik, Arjan Starova: “Nuk besoj se ka vend për “tërmete” në spektrin politik shqiptar”

Ndonëse raporti i OSBE-së, për ecurinë e reformave të integrimit, më shumë analizon mosarritje dhe parashtron edhe kërkesa, nga palët politike, duket se nuk është marrë seriozisht asgjë, derisa secila vazhdon atë politikë që i intereson. PD-ja nuk bën asgjë për reformën parlamentare, ndërsa PS-ja me këmbëngulje, vazhdon që të bojkotojë reformat e Gjykatës së Lartë dhe atë ” Për nëpunësin civil”.  Kryetari i BLD-së, zoti Arjan Starova në intervistën për “Telegraf”,  e vlerëson raportin e OSBE-së “shumë vlerësues për Shqipërinë”, si për të dashur të shfajësojë heshtjen dhe mosanalizën politike.

– Zoti Starova, Raporti i OSBE-së për plotësimin e 12 prioriteteve, është kritik dhe sidomos kjo për detyrat që akoma nuk i ka plotësuar maxhoranca. Keni përshtypjen, se këto kritika diheshin dhe a ka reflektim nga maxhoranca?

– Raporti i OSBE-së është shumë vlerësues për Shqipërinë. Të tjerat, qofshin edhe kritika të forta, janë normale për një vend, i cili ka ende shumë probleme për të cilat koalicioni qeverisës po bën përpjekjet e veta serioze dhe të përkushtuara.

– Sipas jush, cilat janë shkaqet politike që nuk janë plotësuar këto pika që vlerësohen me kritikë nga raporti i OSBE?

– Nëse opozita do të mendonte më shumë për shqiptarët, sesa për kritikën me çdo kusht. edhe kur nuk ka arsye të qeverisjes, në përpjekjet për plotësimin e 12 përparësive, atëherë shkaqet politike penguese në rrugën e integrimit europian do të ishin zhdukur.

– Zoti Starova, a e konsideroni vendimtar miratimin e reformës së kufizimit të imuniteteve në luftën kundër korrupsionit?

– Padyshim, që e vështroj si vendimtar. Nuk i shoh asnjë tregues që të më bëjë të mendoj se ky është një vendim i përkohshëm. Nëse e keni fjalën që kufizimi i imunitetit duhet vështruar si vendimtar në luftën kundër korrupsionit, apo jo, kjo është tjetër gjë dhe mendoj se kurrsesi nuk mund të quhet vendimtar. Lufta kundër korrupsionit dhe suksesi i saj nuk varen vetëm nga heqja apo kufizimi i imunitetit. Vendimi i parlamentit për heqjen e imunitetit është vetëm njëri prej instrumenteve të kësaj lufte, por padyshim nga më të rëndësishmit.

– Sa e pranueshme në opinionin shqiptar, mund të duket politika e Kryeministrit: “Maxhoranca qeveris, opozita përgjegjëse e korrupsionit?”

– Para së gjithash, duhet të jemi të qartë për diçka që lidhet me pyetjen tuaj. Vlerësimi që ju i bëni politikës së Kryeministrit është vetëm i juaji dhe unë nuk mund ta marrë si themel të komentit tim, pa diskutuar më parë rreth vërtetësisë së tij. Mua nuk më duket se përgjegjësia opozitare për korrupsionin ka qenë kryefjalë e politikës kryeministrore për korrupsionin. Është kjo arsyeja që nuk mund të flas për një realitet të përfytyruar në pyetjen tuaj.

– Pak kohë na ka mbetur nga shqyrtimi i dhënies së statusit kandidat. Keni mendimin që janë arritur në Shqipëri standardet demokratike që ka përcaktuar BE-ja në prioritetet e saj?

– Padyshim, që po. Madje, sa herë që jam pyetur publikisht për këtë çështje kam dhënë përgjigje pozitive. Logjika që qëndron pas kësaj përgjigjeje është e thjeshtë. Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara përsa i përket plotësimit të kritereve të marrjes së statusit të vendit kandidat të BE-së. Edhe kur muaj më parë, kishte probleme për përmbushjen e këtyre kritereve, asnjëherë nuk kam menduar se Opozita shqiptare do të merrte përsipër përgjegjësinë e rëndë të bllokimit të statusit të vendit kandidat për në BE. Koha tregoi se opozita shqiptare, përkundër retorikës së saj të ashpër politike, bëri hapat e duhur për të mos e bllokuar hapin e radhës drejt integrimit europian.

– Mendoni se amendamentet e PS-së për ndryshime kushtetuese janë të papërshtatshme dhe u mbyll kapitulli, apo të hershme dhe duhen parë në vazhdimësi?

– Ato amendamente ia vlejnë të diskutohen, por ato nuk mund të vihen si kusht për t’u diskutuar në një kohë me amendamente të tjerë që lidhen me çështje të ngutshme të statusit të vendit kandidat të BE-së. Të barazvlerësuara me çështjet që lidhen me statusin për në BE, ato mund të shndërroheshin në pengesë të këtij statusi.

– Konkretizimi i 12 prioriteteve kërkon realizimin e tyre në bashkësi e harmoni, ndërsa tendenca është që ato realizohen të ndara nga njëra-tjetra. Kjo dëmton në plotësimin e standardet që na kërkohen?

– Për mua nuk ka rëndësi nëse plotësohen të gjitha bashkë, apo veç e veç. E rëndësishme është të plotësohen dhe në të vërtetë ato po plotësohen. Edhe problemet që lidhen me ligjin e Gjykatës së Lartë mendoj se do të zgjidhen në kohën e duhur.

– Shqipëria renditet në vendet më të korruptuara, ndërsa në Shqipëri drejtësia nuk ka mundur të gjykojë asnjë rast. A është e drejtë kritika se mungon vullneti politik të dënojë korrupsionin në Shqipëri? Sa do të ndihmojë kjo reformë e imuniteteve?

– Për këtë nuk jam i sigurt. Të shohim. Reforma e imuniteteve ndihmon fort, por deri diku arritjet konkrete do të varen edhe nga integriteti i njerëzve që punojnë në prokurori dhe sektorin e gjyqësorit në përgjithësi. Debatet politike i rritin ndjeshmëritë e nëpunësve të drejtësisë dhe ndoshta e dhe frikërat e tyre duke nxitur paveprueshmëri, por edhe veprimtaria e nëpunësve të drejtësisë mund t’u japë mësime politikanëve dhe politikës, duke iu mësuar atyre të druhen dhe të respektojnë më shumë njerëzit që punojnë në sistemin e drejtësisë.

– Si i shikoni aleanca e mundshme të 2013-s? Forcat e reja politike a do të luajnë ndonjë rol në balancën e shumicës qeverisëse?

–  Nuk kam asnjë ide sesi mund të rreshtohen forcat politike të reja në zgjedhjet e vitit 2013. Ajo që shoh tani për tani janë dy koalicionet tradicionalë, ai i djathtë me Partinë Demokratike në krye dhe ai i majtë me Partinë Socialiste në krye. Me ligjin e ekzistues zgjedhor dhe me programet që shohim të ravijëzuar te partitë politike të reja, nuk besoj se ka vend për tërmete në spektrin politik shqiptar. Sidoqoftë, mbetet të shohim se çfarë do të artikulohet në politikat zgjedhore të forcave të reja politike apo të atyre që do të jenë jashtë koalicioneve tradicionalë të lartpërmendur dhe për këtë është ende shpejt besoj.

– Faleminderit!