Gardistët shpallen fajtorë për vrasjet e 21 janarit. Dënohen me 23 e 25 vjet burg

349
Sigal

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 48 vjet burg për dy prej të akuzuarve kryesorë për ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues. Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Prokuroria lexoi konkluzionet përfundimtare për ngjarjet e bujshme të 21 janarit, në një sallë të mbushur me gardistë dhe familjarë të të pandehurve. Organi i akuzës pretendon se gardistët kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi demonstruesit dhe për këtë arsye ka kërkuar 23 vjet burg për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj. Për gardistin Agim Llupo, prokuroria kërkoi dënimin me 25 vjet burg, duke e cilësuar fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Sipas organit të akuzës, ai i ka shënjestruar demonstruesit duke i qëlluar në mënyrë selektive. Ndërkaq prokuroria ka tërhequr akuzat për shoferin e ish-kreut të Gardës Margarit Kume, i cili dyshohej për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Përfaqësuesit e prokurorisë deklaruan se akuza ndaj Kumes nuk është vërtetuar. E vetmja vrasje e pazbardhur është ajo e Aleks Nikës, që me shumë gjasa do të mbetet një ngjarje pa autor, pasi plumbi që goditi për vdekje të riun, është tërësisht i dëmtuar. Ndërkaq, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi deklaroi në seancë se, nuk kishte dijeni për faktin se gjatë demonstratës kishte patur viktima, derisa ka dëgjuar lajmet ne media. Sipas Prendit, “prokuroria hetoi vetëm Gardën e Republikës, duke harruar të hetonte ata që sulmuan kryeministrinë dhe vunë në rrezik jetën e kryeministrit”. Ish-shefi i Gardës nuk e pranoi pretencën e organit të akuzës, madje hodhi akuza të forta në drejtim të prokurorëve, me pretendimin se është shantazhuar dhe kërcënuar prej tyre. Prendi deklaroi se, nuk ka marrë e as ka dhënë ndonjë urdhër për të qëlluar në drejtim të turmës, por ka kërkuar që gardistët të qëllonin në ajër. “Prokurorët më shantazhuan e më kërcënuan për orë të tëra, derisa unë të thoja atë çfarë ata donin. Më 21 janar është qëlluar në ajër jo mbi demonstruesit. Çdo veprim ka qenë në planin e masave dhe bazuar në ligj”,- deklaroi Prendi. Pas 38 seancash gjyqësore, gjatë të cilave u paraqitën provat me dëshmitarë dhe provat shkresore, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, duke ia lënë radhën Prokurorisë. Shqyrtimi i provave të palëve në proces është mbyllur me dilemën e madhe lidhur me vrasjen e Ziver Veizit. Dy ekspertët e thirrur nga Gjykata për të analizuar dëmtimin e predhës që u gjet në trupin e Veizit, kanë dhënë përfundime diametralisht të kundërta. Njëri ka pretenduar se plumbi ka ndeshur diku tjetër para trupit të viktimës, duke qenë rikoshetë, ndërsa specialisti tjetër përjashton në mënyrë kategorike mendimin e kolegut. Ai ka thënë se vrasja ka qenë direkt dhe plumbi mund të jetë dëmtuar në kockat e Ziver Veizit, pasi ka gjurmë të tilla në predhën e gjetur në organizmin e viktimës.