Sigal

ARRSH njofton se tenderi për këtë lot, do të pezullohet deri në kryerjen e verifikimeve. Megjithatë, duket se punimet për lotet e tjera do të vijojnë. Deklarata e ARRSH: Procedura e prokurimit është zhvilluar në përputhje me ligjin Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, VKM-së Nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të Prokurimit Publik” e ndryshuar. Kjo procedurë bazuar në detyrimet ligjore të mësipërme, është procedurë e hapur, e zhvilluar në mënyrë elektronike përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike. Autoriteti Kontraktor ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit. Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka pasur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak. Kontrata e nënshkruar me këtë bashkim operatorësh në fjalë për këtë lot të Unazës nuk ka prodhuar asnjë efekt financiar për Buxhetin e Shtetit.

ARRSH i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare tu kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.

Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.

Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin.