Sigal

“Propozimi i regjisorit Dhimitër Orgocka dhe i kolegëve për të luajtur edhe një herë rolin e Harpagonit te komedia “Kopraci” e Molierit, fillimisht m’u duk ide e çmendur”, nis të na rrëfejë aktori Koço Qendro.

“Nuk mund ta pranoja. Ishte e pamundur. Tashmë jam 92 vjeç. Roli është tepër i vështirë. Por kolegët nuk e pranuan refuzimin tim. Si t’ua mbushja mendjen që e kisha të pamundur? Nuk gjeja dot arsye të tjera që të më besonin. Ndoshta as teksti nuk më kujtohej më. Shfaqjen e fundit të Harpagonit e kisha dhënë 13 vjet më parë, në vitin 2005 në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit. Shfaqja u prit jashtëzakonisht mirë. Me t’u kthyer që andej, gjithçka që kishte të bënte me rolin, me rrobat, veshjen time të Harpagonit dhe makiazhin i mbylla me çelës. Mendova se i dhashë fund karrierës time, por nuk qe e thënë. Në të vërtetë, shkak për të luajtur Harpagonin u bë interpretimi i disa muajve më parë i një fragmenti nga komedia “Kopraci” kur në Korçë po bëhej e Festivali mbarëkombëtar i Komedisë. Të them të drejtën as interpretimin e atij fragmenti nuk e desha, sepse nuk doja ta hapja më atë kapitull: Jetën time skenike e quaja të mbyllur. Mirëpo kolegët m’u vunë shumë dhe unë nuk i rezistova dot këmbënguljes së tyre. Pashë tekstin që kishin përzgjedhur, dhe iu thashë: “Nuk po jua prish qejfin, kam detyrime për këtë skenë”. Fragmenti u xhirua në natyrë te shtëpia e Polenkës, ndërtesë karakteristike korçare. Shfaqja doli mjaft e bukur. Të rinjtë që nuk e kishin parë “Kopracin” mbetën të befasuar. Njerëzit që u ndodhen aty dhe ndoqën xhirimet, më përqafuan. Shfaqja pati jehonë, shtypi foli, unë vetë mbeta i kënaqur. Mendova se gjithçka u mbyll me kaq, mirëpo nuk ndodhi kështu. Së fundi, nisën të më kërkonin për ta vënë në skenë të plotë “Kopracin” e Molierit. Kjo ishte e pamundur. Edhe pse Harpagonin, “përbindëshin” e parasë dhe të pasurisë, e kisha luajtur me përkushtim të veçantë, nuk mund ta merrja dot përsipër. Vërtet vumë në skenë një fragment të komedisë, por vënia e plotë e saj nuk ishte kaq e lehtë. Nuk mund të ndërmerrja një hap të tillë. Po sikur të mos e çoja dot shfaqjen deri në fund?! Për mua ishte risk i madh. Veç kësaj kishte kaluar shumë kohë. Për herë të parë Harpagonin e kisha interpretuar 40 vjet më parë, në vitin 1978. Si sot i mbaj mend fjalët e profesor Sokrat Mios, kur më tha: “Koço, ke një rol të shkëlqyer, por shumë të vështirë. Dhe Mio kishte të drejtë.

Kur bëhet fjalë për interesat e parasë dhe të pasurisë, Harpagoni shndërrohet në një përbindësh të vërtetë, është gati të vrasë djalin, vajzën, të gjithë, madje në fund të monologut të vet, thotë: “…More në djall të vete, të varem edhe vetë…”. Deri këtu arrin. Ai është përbindësh edhe kur qesh, edhe kur qan, edhe kur ironizon, dhe në çdo veprim tjetër që bën për të vrarë. Mbaj mend gjithashtu kur Mio më tha: “Personazhi është i përshtatshëm për tragjedi, është dramë e vërtetë, mirëpo Molieri e ka vendosur në komedi, ndaj interpretimi i këtij roli është tepër i vështirë dhe përgjegjësia tepër e madhe, sepse duhet të lozësh tragjedinë e dramës dhe t’i bësh njerëzit të qeshin. Por që të ndodhë kjo duhet t’i bindësh vërtet”. Dhe këto i thoshte profesor Sokrat Mio, njohësi i shkëlqyer, veçanërisht, i veprave të Molierit, pasi ai kishte studiuar në Francë dhe ishte vërtet specialist.

Të gjitha ç’më tha ai i provova vetë në skenë. Është vërtet interesante dhe e çuditshme, ti nis e interpreton me seriozitetin më të madh, kurse publiku qesh, edhe aty ku mua nuk më qeshet, por kjo ndodh vetëm nëse hyn vërtet në rolin e personazhit. Të njëjtën ndjesi përjetova edhe në shfaqjen e fundit të Harpagonit në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit më 2005. Mirëpo kolegët dhe regjisori Orgocka nuk u tërhoqën nga kërkesa e tyre. Refuzova sa munda, por nuk i binda dot, por edhe të vazhdoja me “jo”- në time, e kisha të vështirë. Skenës korçare i isha mirënjohës, prej saj përfitova shumë, nuk u shkëputa asnjëherë. Në skenë u ngjita kur isha 22 vjeç; punova për më shumë se 64 vjet. Kjo skenë e ndritur pati regjisorë të shkëlqyer që nga Sokrat Mio, Pirro Mani, Mihallaq Luarasi dhe Dhimitër Orgocka, pasues i denjë i tyre. Pati aktore dhe aktorë të mëdhenj, që nga Dhimitër Trajçe, Aleko Skali, Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Dhorkë Orgocka dhe shumë aktorë të nderuar. Është fat kur aktori luan një rol të vështirë si Harpagoni, por asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar rolet e vogla, sepse për aktorin s’duhet të ketë role të vogla dhe role të mëdha. Në rolet e mëdha përgjegjësia është më e madhe sepse mban edhe peshën e tij, kurse rolet e vogla shpesh shpërfillen, ka aktorë që dalin e thonë 5 llafe pa thënë asgjë, kur në të vërtetë edhe rolet e vogla nëse i godit mirë, mbetën në kujtesën e spektatorit. Unë mund të sjell si shembull rolin e Shefedinit te filmi “Përballimi”; i dhënë me mish e me shpirt pas punës së aktorit, kam shumë batuta që mbahen mend edhe sot kësaj dite. Unë asnjëherë nuk ndihesha euforik kur merrja rolet. Doja të isha i sigurt për atë që mund të realizoja. Ndaj kisha dyshime nëse mund ta realizoja dot Harpagonin pas kaq kohësh, kur karrierën time skenike e quaja të mbyllur. Është e vërtetë që gjatë jetës time si aktor kam luajtur shumë role në skenë, por asnjëherë nuk kam qenë i nxituar. Merre me mend, 34 vjet në Estradën Profesioniste, shumë lodhje, shumë punë. Kam role edhe në kinematografi dhe në teatër, por dy prej tyre, për mua, janë të shenjtë. Sëregiçi te “Nata e dymbëdhjetë” është një rol shumë i bukur, vënë në skenë nga regjisori Pirro Mani. Fillimisht hezitova ta bëja atë rol. Pyeta Pirro Manin: “E bëj dot unë?”. “E bën!” – më tha ai. “E bëj apo jo?”- e pyeta sërish, sepse ke nja 5 veta dublantë pas meje, ndaj vër një nga ata”. “Jo,- tha ai, – ti je Sëregiçi që dua unë.” Pasi kësaj fillova provat në tavolinë dhe në skenë. Kur nisi të më lavdëronte, e pyeta prapë: “Mirë jam?”. Po të mos jesh mirë, të lë unë!” – pyeti i habitur ai. Reagimi i tij më bindi. Shfaqja doli shumë mirë, ishte një nga rolet me të bukura të jetës time. Por, tashmë, roli më i bukur mbetet Harpagoni. Me Harpagonin nuk lamë vend të Shqipërisë pa vajtur: Sarandë, Durrës, Elbasan dhe në shumë qytete të tjera. Vetëm në Vlorë dhamë 24 shfaqje, salla ishte e mbushur çdo natë. Në Shkodër u bë nami. Atje kishte luajtur i madhi Zef Jubani, ndaj patëm një farë droje për të shkuar në Shkodër, por suksesi ishte i madh. Dhamë 17 shfaqje. Shfaqja e Stambollit ishte e 346-a. Megjithatë përsëri hezitoja t’u jepja fjalën kolegëve dhe regjisorit Dhimitër Orgocka. Por kolegët nuk hoqën dorë. As regjisori Dhimitër Orgocka s’kishte ndërmend të tërhiqej nga projekti i tij. Nuk rezistova më, e dhashë fjalën: “Me qënë se insistoni të gjithë, do ta vëmë në skenë!”- u thashë. Lajmi u mor vesh nga rrethi familjar. Të gjithë ishin të shqetësuar: “A do të jesh në gjendje ta luash?” – më pyesnin. “A ke besim se do ta çosh shfaqjen deri në fund?” Lajmi mbërriti edhe në Tiranë. Falënderoj Viktor Zhustin dhe Mevlan Shanën që më erdhën në shfaqje, dhe shumë të tjerë. Përpiqesha t’i qetësoja, të afërmit, miqtë e të njohurit, por ajo që më jepte guxim ishte besimi se Harpagoni më kishte buruar gjithnjë prej shpirtit. U ngjita në skenë desha t’u tregoj njerëzve Harpagonin, përbindëshin e parasë dhe të pasurisë. Nuk e pata të vështirë. Harpagoni kishte jetuar brenda meje. Është për t’u çuditur, gjithë roli m’u kujtua nga fillimi deri në fund menjëherë. Kjo do të thotë se kur aktori hyn në lëkurën e personazhit roli bëhet vetë. U çudita edhe vetë.

E përballova me sukses, por ka një grafik roli i Harpagonit, po të dish ta organizosh me frymëmarrjen dhe dinamikën e rolit, gjithçka bëhet e lehtë; nëse nuk di ta peshosh mirë, skenë për skenë, ke marrë fund; je i dorëzuar. Është interesante, kur mbërrita në fund të shfaqjes m’u duk sikur sapo e kisha filluar. Shfaqjet u pritën jashtëzakonisht mirë. Tashmë kam dalë në përfundimin se arti nuk ka fund. Aktori që thotë: “Unë kam arritur majën më të lartë, bën gabim sepse dalin të tjerë njerëz dhe të dublojnë, dalin akoma dhe më të mirë se ty. Më duhet të them gjithashtu se Korça ka aktorë të mirë, nuk flas për Zamirën, nuk flas për Mateus Frrokun, Ilda Pepin, Blerta Belliun, Syrja Meçon, Refik Xhinakun dhe Shkëlqim Jaupin që janë me të vërtetë aktorë të mirë. Skena kërkon t’i përkushtohesh. Korça duhet të përfaqësohet me dinjitet, ashtu siç e ka në traditë. Por më mirë se kushdo tjetër, ngjitjen në skenë të Koço Qendros, na i rrëfen aktorja e mirënjohur Zamira Kita: “92-vjeçari, Koço Qendro, aktori brilant, njeriu i shkëlqyer, me energji të pashtershme, me natyrshmëri dhe organicitet të pashoq, tregoi edhe një herë aftësitë e tij të mahnitshme. Ne kemi mësuar shumë prej tij, por sado që të mësosh, ne nuk bëhemi kurrë si ai. Ai na hoqi “zvarrë”, sepse ka shumë energji, shumë talent, shumë pasion dhe është pasioni ai që e veçon atë nga të tjerët. Grupit iu bashkua dhe Dhimitër Orgocka, regjisori produktiv gjatë gjithë viteve. Në shfaqje patëm aktorë me shumë përvojë, aktorë në moshë dhe të rinj, gërshetimi i brezave erdhi natyrshëm. Në shfaqje kemi edhe një djalë të ri të Akademisë së Arteve, Blendi Arifin nga Gjilani i Kosovës, për të cilin askush nuk besoi që nuk është nga Korça, sepse ai flet gjuhën letrare. Ndërkohë e lumtur jam që kam pasur Refik Xhinakun dhe Syrja Meçen, të cilët janë aktorë të një brezi tjetër; Refiku po afron të 80-at, edhe Syrjaj është në moshë, por ata u gërshetuan bukur me më të rinjtë, edhe me brezin tonë, Shkëlqim Jaupin dhe Lazarelën, që kishte një karakter shumë të bukur.

Eliza që luhej nga Ilda Pepi dhe Valeri që luhej nga Mateus Frroku, ishin çifti kryesor i të rinjve që shoqëroi gjithë veprën e Kopracit. Do të shtoja këtu dhe Blerta Belliun që luan Marjanën, vajzën bukuroshe me të cilën do të martohet me Harpagonin e famshëm, e cila është një vajzë shumë e talentuar. Po kështu edhe dy të rinjtë, shërbëtorët, Antonio Tole dhe Valentino Hamati, të cilët i kemi afruar dhe duam t’i çojmë në Akademinë e Arteve, të studiojnë për aktorë, sepse kështu shtojmë brezin e aktorëve të rinj. Nëse do të flisja për rolin tim, Frosinën, thotë Zamira Kita, është një nga personazhet më të bukur që unë kam bërë në jetën time. Frosina është shumë afër me Zamirën, ka energji, është karakter me humor, që edhe unë e kam, duke qenë hokatare në jetë, në natyrë, i përshtatem asaj. Frosina është shumë e zhdërvjellët, lëviz shumë në skenë, flet shumë, flet shpejt, flet me gjestikulacione, me mimikë dhe ky është një tipar që unë e kam shumë mirë. Shpresoj që në karierën time Frosina do të zërë një nga vendet më të rëndësishme. Në këtë vepër do të veçoja edhe koreografinë e Bardhi Pojanit që së bashku me Orgockën sollën një lidhje shumë të natyrshme duke i dhënë veprës një tjetër bukuri, si dhe muzikën e përzgjedhur e të formuluar bukur nga Adrian Jorgji. Të gjitha këto bën të mundur që shfaqja e “Kopracit” të vinte ashtu siç e kishte dëshiruar vetë aktori Koço Qendro. Sot ai ndihet i lumtur, befasoi qytetin e Korçës dhe gjithkënd tjetër.