Anti-korrupsioni zbarkon në Kadastrën e Durrësit, sekuestrohen disa dosje

318
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Struktura anti-korrupsion pranë Këshillit të Ministrave ka zbarkuar në Kadastrën e Durrësit.

Sipas një denoncimi të mbërritur, bëhet me dije se një ekip i kësaj structure, prej ditës së premte po ushtron kontrolle në disa dosje dhe procedura të ndjekura nga Kadastra e qytetit bregdetar, lidhur me legalizimin e disa objekteve, por edhe certifikatave të pronësisë të lëshuara.

Dyshimet janë se lejet e legalizimit si dhe certifikatat e pronësisë janë lëshuar nga institucioni kundrejt palëve të 3-ta, në kundërshtim me ligjin, duke falsifikuar dokumentet apo afatet.

Nuk bëhet me dije se për cilat dosje apo subjekte ka nisur kontrolli, por nuk përjashtohet mundësia që në rast të evidentimit të shkeljeve, struktura e anti-korrupsionit të referojë rastet në SPAK.

Pak ditë më parë ishte Kryeministri që paralajmëroi kryebashkiakët se do të përballeshin me SPAK, në rastin e shkeljes së tenderave. Por duket se nga ekipet e Njësisë Speciale anti-Korrupsion, kontrollet kanë nisur me Kadastrat. Prej disa javësh kontrolle të tilla janë ushtruar në disa nga zyrat kadastrale të vendit, por ende nuk ka pasur referime konkrete në SPAK lidhur me shkeljet e mundshme të evidentuara.