Agron Malaj u rrëmben ujin banorëve të Matit me kompaninë e vëllait të tij

303
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Aktivistë të shoqërisë civile dhe banorë të Matit, protestuan disa ditë më parë para Bashkisë, kundër ndërtimit të një Hec-i dhe betonizimin e lumit

Kryetari i Bashkisë së Burrelit, Agron Malaj, përdor bashkinë dhe PS-së për pasurimin personal. Tenton të rrëmbejë ujin e banorëve me kompaninë që ka kaluar në emrin e të vëllait Fatos Malaj. Ka marrë 60 tendera me vlerë miliona euro në Tiranë, me një tjetër kompani, po në emrin e të vëllait. Rama hesht, SPAK para një tjetër afere.

Nuk i mjaftojnë 60 tendera klientelistë që ka marrë të tjerë nga kabineti qeveritar me vlerë dhjetëra milionë euro, por u rrëmben edhe ujin banorëve të bashkisë që drejton vetë.

Agron Malaj, sot kryetar i Bashkisë së Burrelit i propozuar nga Rilindja, mund të jetë kryebashkiaku i vetëm në planet që u përlan ujin banorëve të bashkisë që drejton vetë, me kompaninë e tij, të cilën e ka kaluar në emër të vëllait, Fatos Malaj.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe banorë të Matit protestuan disa ditë më parë para Bashkisë së Burrelit, kundër ndërtimit të një Hec-i në rrjedhën e lumit të Lunresë. Ata kërkuan të ndalej betonizimi i lumit. Bashkia e Burrelit drejtohet nga Agron Malaj, i zgjedhur pa garë, por që e ka kthyer atë në një biznes të vetin familjar.

HEC-i po ndërtohet nga kompania “ARM-Albania sh.p.k”. Pas kësaj kompanie fshihet vetë kryetari i bashkisë Agron Malaj, i cili e ka kaluar në emrin e të vëllait Fatos Malaj. Rasti është i paprecedentë dhe një sfidë e madhe për SPAK. Por, nga ana tjetër, është edhe një damkë e madhe për Partinë Socialiste, e cila po përdoret nga Agron Malaj për pasurimin e tij, fillimisht si drejtor dhe që nga viti 2019, si kryetar bashkie.

Kurrë më parë një përfaqësues i PS-së nuk e ka përdorur Matin për ta plaçkitur si Malaj. Por ndërsa në Mat po bëhet gati t’u marrë ujin banorëve që banojnë prej shekujsh në atë zonë, në Tiranë, Agron Malaj bën kërdinë me tendera klientelistë dhe korruptivë.

Malaj ka marrë rreth 60 tendera me vlerë dhjetëra milionë euro, me anë të kompanisë ‘GLOBAL SECURITY Sh.p.k’, e cila figuron në emrin e të vëllait, Fatos Malaj.

Tenderat i ka marrë për shërbimin e sigurisë fizike me procedura korruptive, me negocim paraprak, pra me pazar në tavolinë. Çdo tender është një histori më vetë korrupsioni me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo situatë është e paprecedentë dhe degraduese për PS-në, pasi nga njëra anë Agron Malaj jep vetëm tendera abuzivë si kryetar i Bashkisë së Burrelit, ndërsa në të njëjtën kohë merr tendera vetë në Tiranë, me kompaninë e kamufluar në emrin e vëllait.