Presidenti Meta pret në takim delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Parlamentit të Kosovës

98

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta priti sot në një takim delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Parlamentit të Republikës së Kosovës, me të cilët diskutoi rreth domosdoshmërisë së intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese për anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe rreth zhvillimeve në rajon.

Presidenti Meta theksoi se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe respektimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë.

“Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, –  theksoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit inkurajoi vijimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA, BE dhe partnerët strategjikë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar. Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë.