Lëvizja Vetëvendosje: Hajdutëve të dymilionëshit dikush u ka garantuar se s’do të dënohen

50

Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas publikimit të skandalit për vjedhjen e dy milionë eurove nga buxheti i shtetit.

Në një konferencë për mediat, deputeti Hekuran Murati tha se personat që i vodhën shtetit këto miliona, dikush i ka garantuar se nuk do të dënohen.

Sipas tij, rikthimi në qeveri i partive që i ka quajtur “të stërvjetruara”, ka bërë që të krijohet një “normalitet ku krimi nuk ndëshkohet dhe ku kriminelët marrin zemër.”

“Kjo është çështje shumë shqetësuese për shkak se po na e rikthen atë normalitetin e pretenduar. Normalitetin ku krimi nuk ndëshkohet, ku krimi merr zemër, sepse duhet më shumë sesa vetëm planifikim për ta bërë një veprim të tillë. Pra, procedurat edhe rregullat edhe sistemi në Thesar nuk do ta lejonte një gjë të tillë dhe një person nuk do të guxonte ta bënte një gjë të tillë, duke marrë parasysh pasojat…. Kur rikthehen partitë e mendësisë së stërvjetruar, është normale që personat e tillë të bëjnë veprime të tilla, sepse dikush u ka garantuar se nuk do të ndëshkohen”, u shpreh Murati.

Ai përmendi edhe skandalet e kaluara, për të cilat tha se nuk është dënuar askush.

“Kemi situatë të tillë si kur u vodh dhoma e dëshmive dhe nuk u dënua askush, janë dhënë 53 milionë euro dhe nuk ka dhënë llogari askush, janë vjedhë avance në emër të vizitave zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk është dënuar ende askush”, tha Murati.

Pas këtij skandali, Murati tha se LVV kërkon që e gjithë qeveria të japë dorëheqje, pasi rithekson se ata që kryen këtë vjedhje kanë garanci se do të jenë të paprekshëm.

“Nuk mund të flitet këtu vetëm për planifikim. Pra, këtu kemi të bëjmë me guxim – në një sistem ku në fund të ditës gjithçka duhet të barazohet – me bë një veprim të tillë. I vetmi shpjegim është që ai person ka garanca se do të jetë i paprekshëm, njësoj siç kanë qenë personat që kanë vjedhë dhe janë korruptuar në të kaluarën.”