Analisti Gjekmarkaj: Të anulohen koncesionet që nuk janë jetike

40

Analisti Agron Gjekmarkaj mendon se politika duhet të jetë e bashkuar në kuptimin e ideve dhe propozimeve për situatën e krijuar nga koronavirusi.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë për News24, Gjekmarkaj komentoi situatën në vend dhe reagimet e ndryshme që kanë ardhur si nga politika ashtu dhe nga vetë shoqëria shqiptare.

Ai pohoi se bashkë me familjen janë mirë.

“Falë Zotit deri tani jemi mirë. Është një realitet që as letërsia nuk e ka parashikuar meqënëse unë jam pedagog letërsie di që arabët kanë shpikur qilimin fluturues dhe pastaj u shpik avioni ose Zhyl Verni shpiku 20 mijë legat në det dhe pastaj u bë nëndetësja. Por këtë eksperiencë që gjithë bota të mbyllet në shtëpi sinqerisht është momenti të them iqë fantazia është e tejkaluar nga realiteti.

Është e pazakontë nga çdo pikëpamje por mendoj që njerëzit kanë kurajë për ta përballuar, do ta përballojnë atë. Nuk përbëjnë përjashtim as shqiptarët. E rëndësishme është që të ndjekim të gjitha rregullat që na këshillohen për të ndjekur. Nuk ka asnjë arsye që të tregohemi kryengritës ndaj cenimit të lirive sepse kjo është një gjendje e pazakontë. Është një gjendje e rëndë edhe e vështirë. Kështu që personalisht unë iu bindem të gjitha këshillave drakoniane dhe atyre që japin mjekët në këtë rast”, tha Gjekmarkaj.

Sipas tij, kjo kohë po vë në provë mjekësinë, shëndetësinë shqiptare por edhe vetëdijen qytetare.

“Nuk është mbase koha për t’i shfaqur me bujë elementet që cedojnë por them që do përgjigjesha ndryshe duke ngritur një parabolë tjetër duke thënë cilat janë gjërat që po vihen në provë dhe në provë mbi gjithçka po vihet mjekësia, sistemi shëndetësor shqiptar, mjekët shqiptar, pajisjet e tyre, pse jo vihet në provë vetëdija qytetare, solidariteti që të mirëkuptojmë situatën ku jemi dhe të sillemi me përgjegjshmëri ndaj tjetrit.

Në lidhje me shkrimin që ju përmendët unë e kam vërtetë shqetësim sepse të gjithëve na ka çuar rasti në spitalet tona dhe e dimë gjendjen në të cilat ndodhen dhe gjendja e tyre në shumë rrethe të Shqipërisë le të themi lë shumë për të dëshiruar dhe mendo që ne jetojmë prej 30 vitesh në liri dhe nuk janë pak në jetën e një shoqërie dhe një shteti. Do kishim mundësi që të kishim një tjetër nivel mjekësie por unë mendoj që mjekësia shqiptare është tradhtuar nga politika vit pas viti, mandat pas mandati dhe në përgjithësi është parë si një zonë që nk prodhon shumë vota dhe nuk është investuar nga qeveritë shqiptare duke e lënë në mëshirë të fatit, duke i lënë me rroga të ulëta, duke i lënë pa kërkim shkencor, duke i lënë pa specializime jashtë shtetit, shpesh herë dhe duke i agresuar”, u shpreh ai.

Gjekmarkaj tha se mjekët duhen ndihmuar, së pari duke mos dalë nga shtëpia por edhe qeveria duhet t’u sigurojë gjithçka që iu duhet.

“Mbetem me besimplotë që mjekët shqiptarë do të bëjnë maksimumin dhe në një farë mënyre gjithë shoqëria shqiptare e cila është një shoqëri tani me një farë ankthi të natyrshëm, sytë i ka drejtuar aty por edhe solidaritetin besoj e ka drejtuar aty ndaj tyre dhe mendoj që jo thjesht për faktin që kanë bërë betimin e Hipokratit por duke e njohur dhe natyrën e mjekut shqiptar besoj që do të jenë në lartësinë e detyrës për t’iu përgjigjur kësaj sfide. Por nuk duhet t’i lëmë vetëm, duhet t’i ndihmojë.

Duhet t’i ndihmojmë duke ndenjur në shtëpi në mënyrë që ta ulim sa më shumë masën e infektimit nga njeri tek tjetri por mbi të gjitha duhet t’i ndihmojë qeveria shqiptare e cila mendoj që është pak e vonuar në raport me to duke trokitur në të gjithë dyert ku mund të trokitet, në të gjitha tregjet ku mund të blihet ende, pajisje mjekësore, respiratorë e çdo gjë tjetër që atyre iu duhet për ta përballuar këtë betejë kaq të pazakontë që na ka trokitur në derë”, tha analisti i njohur.

Sa i përket masave dhe reagimit qeveritar, Gjekmarkaj deklaroi se qeveria duhet të dëgjojë çdo zë dhe të anulojë koncesionet që nuk janë të domosdoshme për t’i përdorur paratë e tyre për këtë kauzë.

“Në Itali një mjeke e njohur tha hajde tani t’ju shërojë Ronaldo me milionat e blerë. Kjo vlen në një farë mënyre në përmasa më të vogla në shoqërinë shqiptare për zbilancimet ekonomike që ekzistojnë. Mjekët mendoj që janë një kategori që ende jetojnë me plot vështirësi dhe kanë rroga mjaft modeste të pamerituara, sepse mendoj që e përsëris, pas 30 vitesh shteti shqiptar duhet t’u kishte dhënë atyre një kontekst tjetër ekonomik dhe dinjitoz, me çështje të dinjitetit profesion mendoj. Do duhet të kishin statusin e tyre.

Qeveria shqiptare në këtë rast mendoj se duhet të sillet si një qeveri e shpëtimit kombëtar jo thjesht një qeveri politike. Çfarë dua të them me këtë… Duhet të dëgjojë çdo zë, duhet të spikasë çdo individ, çdo personalitet që mund të japë kontribut, duhet të marrë si pozitive çdo ide që vjen, nuk ka rëndësi a vjen nga opozita apo nga të tjerët. Nuk është koha për të përqeshur opozitën apo ato që propozojnë.

Mendoj që inteligjenca e kryeministrit dhe qeverisë duhet të spikasë qoftë duke marrë vendime kundër atyre vendimeve që janë marrë më përpara. Në qoftë se janë kaq të përfolura një pjesë e koncesioneve në mjekësi ato çfarë nuk janë ekzigjente, nuk ka rëndësi pse i ka kritikuar opozita, por nëse ato sjellin dobi dhe ato para mund të ekonomizohen më mirë për t’i shërbyer kësaj kauze për të zgjidhur këtë pandemi, pse jo do ishte i mirëpritur, i duartrokitur anulimi i tyre.

Në qoftë se ka koncesione që mund të anulohen, nuk duhet t’i bjerë askujt hunda në tokë. Qeveria Rama duhet të sillet si qeveri e shpëtimit kombëtar jo si një qeveri e rilindjes apo maxhorancës socialiste sepse këtu janë në rrezik të gjithë, janë dhe socialistët dhe demokratët, është dhe zoti Rama dhe zoti Basha. Kështu që në këtë kontekst duhet lënë loja politike dhe maskarada tipike politike shqiptare. Duhet një sjellje tjetër, me transparencë. Nuk është propaganda që na zgjidh problemin”, theksoi Gjerkmarkaj.

Ai vlerësoi sjelljen e opozitës në këtë situatë, për të cilën tha se ka spitakur qasja njerëzore mbi interesin politik.

“Për hir të së vërtetës nuk është agresive siç ka qenë herët e tjera. Në këtë rast nuk duhet përgëzuar qeveria për sjelljen e saj por opozita. Mendoj që ka spikatur sjellja e zotit Basha gjatë kësaj kohe. Ka spikatur qasja njerëzore, e cila ka prevaluar mbi interesin politik, ka spikatur dhe për idetë të cilat ndoshta jo të gjitha mund të jenë të realizueshme.

E vërteta rri në mes, thonë latinët. Pse jo dhe idetë e opozitës dhe të qeverisë duhet të bashkoheshin për të nxjerrë më të mirën. Nuk ka më kohë për të bërë politikë dhe për të krijuar skenare të tipit si ajo e mesazhit që kinse paskësh dërguar lideri i opozitës ndrysho qeverinë, gati në kufijtë e marrëzisë që thyejnë dekorin e shqetësimit njerëzor. Duhet bashkëpunim.

Nuk ka kohë për luftë politike Rama-Basha. mendoj që është koha për unifikimin e energjisë, unifikim njerëzish, për unifikim idesh, për unifikim resursesh në mënyrë që të jemi të gjithë bashkë përballë një sfide që na kërcënon njësoj. Nuk është se ky virus përzgjedh, është një rrezik global për të gjithë ne”, deklaroi Gjekmarkaj.