Tenderi i Unazës së Re/ Nuk mjaftuan 20 milionë euro, Veliaj i shton edhe 2.5 mld lekë

383
Sigal

Kush ka menduar se fatura 20 miliardë lekë për rehabilitimin e aksit rrugor “Pallati me Shigjeta-Rreth rrotullimi “Shqiponja” ishte jashtëzakonisht e fryrë, nuk ka parë gjë akoma.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet strukturave në varësi të tij, i ka shtuar kësaj shifre të mbifryrë edhe një faturë tjetër, me mbi 2 miliardë lekë (të vjetra), të cilat do të paguhen ekskluzivisht nga taksat e banorëve të kryeqytetit.

Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) ka shpallur së fundmi tenderin për “Spostim rrjet ujësjellësi dhe kanalizime në funksion të objektit: ’’Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja, Loti”.

Fondi limit për tenderin është parashikuar në vlerën e 238 milionë lekëve të reja (pa TVSH) dhe procedura pritet të mbyllet në 8 Tetor 2020.

Në dokumentat e tenderit, të konsultuar nga “Boldnews.al”, sqarohet se projekti për spostimin e rrjetit të Ujësjellësit dhe kanalizimeve është hartuar në bazë të një kërkese të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të datës 21 Prill 2020.

Pikërisht, kjo kërkesë e Autoritetit Rrugor Shqiptar ngre dyshime të forta për mënyrën se si është hartuar projekti i rehabilitimit të aksit rrugor të Unazës së Re në kryeqytet dhe mungesa, në dukje, e koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe vendore.

Projekti për rehabilitimin e aksit “Pallati me Shigjeta – Rreth rrotulli “Shqiponja” u zgjat të paktën dy vjet, nën protestat e banorëve të “Astir-it” dhe skandalit me kompaninë mashtruese “DH-Albania”.

LEXO EDHE  I dha fund jetës në spital ku ishte shtruar nga koronavirusi/ Deputeti tregon momentet e fundit të vjehrrit të tij

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori një rol parësor në betejën kundër protestuesve, duke i fyer e ironizuar, si edhe duke mbrojtur projektin me faturë marramendëse të zgjerimit të Lotit të Parë të Unazës së Re të kryeqytetit.

Por, duket se, përtej betejës me qytetarët e zonës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës, si edhe Bashkia e Tiranës, kanë harruar “diçka të vogël”, spostimin e rrjetit ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve.

Projekti për ndërtimit/rehabilitimin, sidomos akseve kryesore, si rregull përfshin jo vetëm asfaltimin, por edhe sistemin e kanalizimeve, ndriçimin dhe të gjithë përbërësit e tjerë të rrugës. Të gjitha këto parashikime vendosen në preventivin e punimeve.

Por, në rastin konkret, duket se të gjithë institucionet e përfshira, e kanë lënë pas dore çështjen e kanalizimeve.

Dhe, për këtë arsye, ndërkohë që rehabilitimi i rrugës po vijon me ritme shumë të ngadalta, Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’i shtojë edhe mbi 2 miliardë faturës së rrugës, duke ndikuar në vonesat e mëtejshme të përfundimit të projektit, me kosto të larta për qytetarët, jo vetëm buxhetore, por edhe në kohën e shpenzuar pa fund në trafikun e rënduar të atij aksi.

Nga BoldNews.al