Reformimi i Gjykatës Kushtetuese, të Lartë, Administrative dhe KLD

534
Fehmi Abdiu, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” evidenton të metat e punës dhe mangësitë ligjore të Gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe Administrative, duke propozuar edhe ndryshimet konkrete në Kushtetutë dhe në ligjet për këto gjykata, në kuadrin e reformës në Drejtësi. Zoti Abdiu, në konkluzionin e përgjithshëm, pohon se për emërimin e anëtarëve të KLD, GJK, GJL, një pjesë të zgjidhen nga Presidenti, një pjesë nga politika, një pjesë nga Konferenca Gjyqësore, dhe secili të zgjedhë në mënyrë kualitative ato që ka kompetencë të vetë. 

-Zoti Abdiu, cilat janë dobësitë funksionale të Gjykatës së Lartë? 
– Për Gjykatën e Lartë është e domosdoshme të rishikohet funksioni i saj fillestar, për disa arësye. Së pari, eksperienca e deritanishme ka dëftuar se GJL asnjëherë nuk e ka përmbushur funksionin e vet fillestar, ndaj atyre subjekteve që ajo është kompetente për të gjykuar. Thuajse të gjitha gjykimet e saj, kanë përfunduar, pa shkaqet të bazuara ligjore dhe kushtetuese, me zgjidhje shumë të diskutushme juridike, e të pranueshme në grupimet të caktuara politike. Së dyti dhe më kryesore, si shkak për të ndryshuar Kushtetutën dhe për t’i kaluar juridiksionin fillestar, ndaj subjekteve për të cilat flet Kushtetuta, që deri tani i shqyrtonte Gjykata e Lartë duhet të shërbejë fakti se deri më sot mendoj se është prekur, është cënuar një parim i rëndësishëm kushtetues, sepse subjekteve që shqyrton GJL nuk u është lejuar aplikimi i standarit kushtuetues mbi të drejtën e ankimimit të çdo vendimi të shkallës së parë. Pra, mendoj se ky standart i parashikuar nga Konventa Europiane, nga Kushtetuta jonë me dispozita të veçanta, është prekur sepse vendimet e GJL që ka dhënë për ato kategori subjektesh që shqyrton, janë konsideruar si vendime të formës së prerë dhe ndaj tyre nuk është lejuar e drejta e ankimimit. Pra, kjo praktikë duhet të marrë fund, prandaj mendoj se juridiksioni fillestar për ministrat, deputeta, gjyqtarë të lartë, etj, duhet t’i besohet Gjykatës së Apelit, Ajo t’i gjykojë ata si gjykatë e shkallës së parë. Dhe kundër vendimit të saj, subjektet që gjykohen të kenë të drejtën të ankimojnë të vendimit gjyqësor të Apelit. Kjo ka shumë rëndësi, prandaj në rastin e reformës ky problem duhet domosdo të zgjidhet. 

– Çfarë roli të ri duhet të ketë Gjykata e Lartë, në sistemin gjyqësor?
– Problemi i Gjyktës së Lartë ka qenë objekt debati dhe diskutimi dhe vazhdon të jetë. Ata persona që duhet të japin kontribute për të trajtuar më mirë mendimet edhe në këtë debat të reformës së tanishme në drejtësi, deri tani, nuk janë ndjerë. Nuk ndihen gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, as për të dhënë opinione, dhe as mendime. Nuk kemi dëgjuar deri tani, asnjë opinion as nga kryetari i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë, sipas mendimit tim, duhet parë në dy aspekte. Së pari, a duhet të mbetet Gjykatë e Lartë, kështu siç është, në organizim, apo do të shndërrohet në Gjykatë Kasacioni. Së dyti, që ka shumë mundësi që të mbetet kështu siç është, dhe unë mendoj që në aspektin strukturor, është më e drejtë të mbetet kështu. Veçse Gjykata e Lartë duhet të ndryshojë shumë gjëra. 

– Çfarë konkretisht duhen ndryshuar në Gjykatën e Lartë?
– Së pari, Gjykata e Lartë nuk është gjykatë gjykimesh, numëroze, voluminoze, me çështje dosido, me apo pa shumë rëndësi, etj, etj. Gjykata e Lartë, thelbin e subjektin e vet ka praktikën unifikuese të gjykatave. Këtë aspekt, të më falin kolegët, unë i kam mendimet shumë personale, ndaj mendoj që që nuk është përmbushur pritshmëria. Numri i vendimeve unifikuese ka qënë mjaft i vogël, pse jo, edhe disa prej tyre, në aspektet teorike, profesionale, lë për të dëshiruar, mund të ketë mangësi. Së dyti, Gjykata e Lartë nuk e përligj veten, kështu siç funksionon, që mbart me vite të tëra nëpër syrtare e magazine, dhjetra e qindra çështje për t’i kontrolluar. Realisht, Gjykata e Lartë nuk i kontrollon dot ato të gjitha, pavarësisht se çfarë themi ne. Në fund të fundit, pas disa viteve të depozitohen kërkesat atje, ato përfundojnë në dorën e një këshilltari, të një specialisti, i cili ushtron , nëse plotësohen kushtet ligjore për të kaluar në gjykim ose jo dhe i paraqet opinionin e vet, që si rregull në pjesën dërmuese, të 99 % e rasteve, pranohet nga Kolegji, për të kaluar çështja ose jo për shqyrtim. Pra, këtu ka një handikap. Njërën anë ne themi dhe pranojmë se vendimet e gjykatave të Apelit janë vendime të formës së prerë dhe si rregull në momentin që vendimet gjyqësore marrin formën e prerë, ato duhet të zbatohen, nga ana tjetër, ne lejojmë që të bëhet rekurs kundër vendimeve për çështje, probleme ligjore, kur palët pretendojnë se është zgjidhur keq në kundërshtim me ligjet. Pra, është zbatuar ligji gabim. Ky handikap, duhet gjetur si duhet të zgjidhet. Numri i çështjeve që shkojnë në Gjykatën e Lartë duhet të jetë shumë më i pakët. Afatet që duhet të përfundojnë ato, duhet të jetë absolutisht shumë i shkurtër, cilësia e vendimeve seleksionuese absolutisht duhet të jetë më cilësore, sepse shumë herë është për të qeshur, pra, edhe transparenca e Gjykatës së Lartë duhet të jetë shumë më e madhe. Në mos gabofsha unë, kontrollet e ushtruara në aspekte të veçanta nga shoqëria civile kanë konstatuar, se çështjet në Gjykatën e Lartë përfundojnë pas muajsh e muajsh, pasi vihen në dispozicion të relatorit. Në Gjykatën e Lartë vendimet arësyetohen pas muajsh e muajsh, edhe në kundërshtim me përmbajtjen e ligjit. Në Gjykatën e Lartë vendimet unifikuese shpallen pas 6-7 muajsh. 

– Atëhere, çfarë duhet të ndryshojë konkretisht në ligjin për Gjykatën e Lartë?
– Këto tregues bëjnë të domosdoshme që në ligjin për Gjykatën e Lartë të plotësohen çdo aspekt, të vendosen afate për gjykim, përfundim, të vendosen afatet për seleksionimin e çështjeve, të vendosen afate rrigoroze, duke zbatuar Kushtetutën, të zbatohet ajo për arësyetimin e shpalljeve të vendimeve gjyqësuara, sepse Kushtetuta kërkon që vendimet të shpallen të arësyetuara, ligji për Gjykatën e Lartë në raste përjashtimore, lejon që të shpallet brenda një muaji, por kurdoherë, Kushtetuta kërkon që vendimet e arësyetuara të shpallen përherë në sallën e gjykimit, në prani të publikut, etj, etj. Në shumë aspekte, Gjykata e Lartë duhet të ndryshojë. 

– Po në mënyrën e organizimit, cila duhet të jetë zgjedhja e anëtarëve në Gjykatën e Lartë?
– Në aspektin organizativ, është e domosdoshme që zgjedhja e Gjykatës së Lartë të plotësohet ligjërisht me kërkesa të tjera. Nuk mund dhe nuk duhet të pranohet për anëtarë të Gjykatës së Lartë gjyqtarë që nuk janë shquar dhe nuk janë dalluar, që nuk kanë dhënë kontriboute serioze në të gjitha fushat e aspektet e drejtësisë, gjyqtarë që nuk kanë kaluar dhe nuk kanë respektuar instancat nga njëra te tjetra, gjyqatarë pa përvojë, ose punonjës që s’kanë qënë në drejtësi, etj. Në Gjykatën e Lartë duhe të gjejnë vend profesionistë, mundësisht prakticienë shkencëtarë, që kanë edhe gjyqtarë të praktikës, por edhe shkencëtarë që janë shquar, për tituj e grada e dalluar edhe për botime. Anëtarët e Gjykatës së Lartë duhet të zgjidhen me një përbërje tjetër të Kuvendit, jo me atë mënyrë zgjedhjeje që bëhet sot dhe me gjysmën e numrit të deputetëve. Kandidaturat për anëtarë në GJ.L duhet të seleksionohen paraprakisht nëpërmjet vështrimit, kontrollit nëse i plotëson kushtet. Pra, ligji për Gj.L duhet të plotësohet në shumë aspekte, sepse ky ligj, edhe pse u miratua tani vonë dhe me ndihmën e ekspertëve të huaj para 2 vjetësh, sipas mendimit tim, nuk është bërë bashkëkohor. 

– Gjykata Kushtetuese në çfarë aspekti duhet të reformohet?
– Gjykata Kushtetuese është institucioni, që sipas meje, edhe pse relativisht i ri, që është krijuar pas 1992, ka dhënë kontribute të vyera për drejtësinë dhe politikën, sepse në funksionet e saj, janë sa politika, edhe gjyqësori. Përsa i përket reformës, unë them, ligji për Gjykatën Kushtetuese, pse jo, edhe Kushtetuta, duhet të plotësohen dhe ndryshojnë. 
Së pari, mendoj se aksesi i qytetarëve shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese duhet të zgjerohet dhe jo të mbetet sikurse është vetëm te e drejta për një proces të rregullt ligjor, që është parashikuar te pika “f” e nenit 181 e Kushtetutës. Shtetasit të kenë të drejtë të kërkojnë edhe papajtueshmërinë e një ligji, ose të një akti normativ. Mendoj se te subjektet që e vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese duhet të bëhen ndryshime. Praktika ka treguar se dhënia e të drejtës e KLSH për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese ka qënë një gjë e pagoditur dhe KLSH tërë jetën e tij 25 vjetë, mund të ketë 1-2 kërkesa, së bashku me subjekte të tjerë, nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë punë. Nga ana tjetër, është lënë padrejtësisht, sipas meje, mënjanë prokuroria e Përgjithshme, e cila duhet të jetë një nga subjektet e rëndësishme kryesorë, për ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, sepse, puna e saj ballafaqohet me mjaft ligje, të cilat, do ta vinin në kushte të tilla, që ajo t’i krijojë mundësinë Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet kërkesave të ndryshme, për të kontrolluar pajtueshmërinë e shumë ligjeve në Kushtetutë. 

– A duhet të ndryshojë edhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
– Mbi të gjitha, përbërja e Gjykatës Kushtetuese, aq më tepër, siç folëm edhe për Gjykatën e Lartë, duhet të zgjidhen në mënyrë të cilësuar nga Parlamenti, jo me mënyrën që ka sot, duhet të selektohen kandidaturat në mënyra maksimale, por jo nga politika, por kryesisht nga qarqet gjyqësore dhe akademike, njerëz që plotësojnë kritere të veçanta, që të jenë elitë të shkojnë, me qëllim që Gjykata Kushtetuese të mbetet, ose të arrihet të jetë Gjykata e shkencëtarëve, e njerëzve që njohin drejtësinë, që e zbatojnë drejtësinë dhe që japin, ide, mendime për drejtësinë, nëpërmjet vendimmarrjes së tyre. Në mënyrë të domosdoshme, duhet të hiqet dorë nga ajo praktikë, që është ndeshur dhe ka spekuluar shumë politika, që lidhur me statusin e gjyqtarëve të GJ.K., veçanërisht me mbarimin e mandatit të tyre. Duhet të rregullohet me ligj, që brenda një periushe 10-15 ditore nga dita që mbaron mandati i gjyqtarit kushtetues, domosdo duhet ligjbërësi, nëse do ta kenë ata vendmmarrjen, ta kenë gjetur dhe emëruar anëtarin e ri. Në pamundësi, ta bëjë para ditës së mandatit të gjyqtarit që i mbaron mandati, që ky i fundit, ditën që largohet, i jep urimit pasardhësit. Kështu, mendoj që do eleminohen shumë problematika që Kuvendi i ka krijuar, deri tani, një dëm shumë të madh jo, vetëm politikës, por edhe drejtësisë dhe ka krijuar përshtypjen, me gjyqtarë kushtetuesë, veçanërisht politikanë të rëndësishëm, mund të luajnë si të duan ata, për t’i emëruar, për t’u zgjatur sa të duan ata mandatin, etj. Raste, që anëtarë të Gjykatës Kushtetuese qëndruan pa mandate mbi një vit, janë histori antikushtetuese, antiligjore dhe antidemokratike dhe duhet të marrin fund njëherë e mirë. Së fundi, për GJ.K, janë bërë shumë rekomandime edhe nga shoqëria civile, por unë do të mendoja që edhe GJ.K. duhet t’i nënshtrohet afateve në shqyrtimin e çështjeve. Shumë gjera atje janë lënë të papërcaktuara në ligj, në idenë që GJ.K, është institucion që vlerëson, bën, përgjithshmërisht çështjet, por praktika ka treguar që shumë çështje zvarriten me vite të tëra, se shumë çështje, vendimet e tyre nuk arësyetohen në kohë, se shumë herë, vendimet nuk shpallen publikisht, etj, etj. Këto probleme ligji duhet t’i detajojë seriozisht. Procedurat e vënies në lëvizje ë gjykimit të grupçështjeve të ndryshme, që janë vendosur në pjesën e dytë të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, duhet domosdo të përmirësohen, sepse janë me shumë mangësi, janë me kontradikta, edhe nuk i shërbejnë sa dhe si duhet punës. Krijojnë, pse jo, edhe konfuzion në Gjykatën për trupën gjyqësore për vendimmarrjen. 

– A duhet që politika të ketë të drejtën të emërojë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, KLD, Gjykatës së Lartë?
– Përsa i përket zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë, domethënë, KLD, GJK, GJL, në përgjithësi, sipas meje ekzistojnë 2 alternativa. Ne kemi patur në Kushtetutë, njërën prej tyre, që të gjithë ata dalin nga politika, nga parlamenti, ligjërisht. Është Presidenti që duhet të ndërmarrë hapat e parë, për emërimet dhe ky imponohet, sipas një vendimi të GJ.K. që të bashkëpunojë me parlamentin, dhe parlamenti ka të drejtën të miratojë ose jo kandidaturat që paraqet Presidenti. Gjithsesi, të gjithë këta anëtarë të KLD, GJK, GJL dalin nga faktori politik, president – parlament. Vendet e tjera kanë përqafuar një alternativë tjetër. Që i kanë ndarë, fjala vjen, nga 9 anëtarë të GJK, që i kanë copëzuar pushtetet, duke i lënë në dorën, e një njeriu, sepse kështu siç i kemi ne, në shumë duar dhe të imponohet bashkëpunimi, është shumë vështirë, për të zgjedhur cilësinë e duhur. Vendet e tjera kanë alternativën që 3 anëtarë të GJK i emëron Presidenti, fjala vjen, 3 i emëron Kuvendi, 2-3 mund të jenë nga Konferenca Gjyqësore. Në këtë mënyrë, secili institucion do të jetë zot për punën e vet, aq sa i jepet, dhe nuk do imponohen ato praktika që imponohen sot te ne, që faktorët politikë të merren vesh patjetër me njëri-tjetrin, sepse në Shqipëri ekziston tendenca dhe koncepti për të bërë sherr me njëri-tjetrin, jo për t’u mirëkuptuar. Fakti, që 10 vjeçarin e fundit ka shumë kandidatura që nuk janë pranuar, nga parlamenti, të propozuar nga Presidenti, dëshmon se kjo procedurë, siç është, nuk funksionon. Duhet përmirësuar. Prandaj, kjo reformë duhet të mbështetet në alternativën e dytë, për emërimin e anëtarëve të KLD, GJK, GJL, që një pjesë të zgjidhen nga Presidenti, një pjesë nga politika, një pjesë nga Konferenca Gjyqësore, dhe secili të zgjedhë në mënyrë kualitative ato që ka kompetencë të vetë.

– Çfarë risi solli Gjykata Administrative dhe cilat janë të metat që janë evidentuar?
– Në lidhje me Gjykatën Adinistrative ka shumë gjëra që duhen përmirësuar, edhe pse kjo gjykatë është krijuar rishtaz, kohët e fundit. Mendoj se për shkaqe më shumë politike dhe mungesë përvoje, nuk iu kushtua vëmendje e duhur, në kohën që u miratua ligji për këtë gjykatë. Para së gjithash, duhet thënë që megjithë se formalisht puna e bërë për Gjykatën Administrative ishte sukses, një fitore për sistemin, ajo punë nuk u bë e thelluar, pasi në këtë sistem sot vihen re mangësi që nuk duhet të ekzistonin. Së pari, edhe pse u krijuan Gjykatat Administrative, ato nuk janë kompletuar me kuadrin e nevojshëm, gjyqësor e administrativ. Ato janë mbytur me dosje dhe mbi dosje dhe nuk sigurojnë dot sot, cilësinë e nevojshme në veprimtarinë e tyre gjyqësore, edhe për shkak të ngarkesës së tyre shumë të madhe, si edhe për mungesë të përvojës, eksperiencës dhe traditës. Së dyti, por më kryesorja, fakti që ligji mbi Gjykatën Administrative ka lejuar strandarte, që bien ndesh me koncepte të Kushtetutës, lidhur me gjykymin, lidhur me gjykatën kompetente. Sot shumë atribute gjyqësore, në aspektin ligjor i përmbushin dhomat e këshillimit të këtyre gjykatave, në kundërshtim me parimet kushtetuese për gjykim transparent, kontradiktor, të thelluar, veprimtari e cila është atribut vetëm i gjykatave dhe jo i dhomave të këshillimit. Pra, dhomat e këshillimit të këtyre gjykatave pa shkaqe, dhe në kundërshtim me standartet, vazhdojnë të veprojnë si gjykata, vazhdojnë të cënojnë parimet e Kushtetutës dhe në këtë mënyrë e dëmtojnë rëndë procesin administrative transparent, publik e gjyqësor. Pra, lidhur me Gjykatat Administrative unë mendoj se duhet të bëhet një analizë të veçantë, pasi e ardhmja në shumë aspekte dhe fusha është e këtyre gjykatave, por këto të fundit, me kuadrin, me mungesën e personelit, me mungesën e përvojës dhe shumë arësye të tjera, për të cilat, duhet të përgjigjet drejtpërdrejt KLD, janë në pamundësi për të përmbushur funksionet e tyre ligore dhe kushtetuese. 
Sigal