Ambasadori Arvizu: “Inkurajoj të gjitha forumet politike rinore që të kërkojnë një dialog konstruktiv me përfaqësuesit e shoqër

540
Sigal

Tryeza e Rrumbullakët e FRESSH-it mbi Aktivizmin Politik dhe Aktivizmin Civil

Faleminderit shumë Elisa për këto fjalë të mira. Mendoj se është e thjeshtë të shihet se pse Elisa u bë kryetare e FRESH. Kur unë isha shkollë të mesme shërbeva si president i Këshillit të Studentëve. Më vjen mirë që nuk u përballa me ty kur konkurrova për pozicionin.  Do të doja t’ju falënderoja ju dhe FRESSH-in që më ftuat të flas sot.  Po e prisja me padurim këtë aktivitet dhe u entuziazmova kur dëgjova për të sepse përfshin udhëheqës të rinj politikë, aktivistë të rinj që bashkohen me shoqërinë civile për t’i ndihmuar ata në formulimin e politikave dhe platformave të tyre.  Sikurse e dini, çështjet e shoqërisë civile dhe rinisë janë çështje që janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht i kam mjaft për zemër.  Kur ish-sekretarja e Shtetit Clinton vizitoi Tiranën më 1 Nëntor – jam i sigurt shumë prej jush e ndoqën personalisht ose në televizion fjalën e saj – ajo iu drejtua udhëheqësve politikë shqiptarë dhe u kërkoi atyre: “Siguroni që zgjedhjet tuaja të ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe që të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Në radhë të parë, kjo duhet në mënyrë që populli i Shqipërisë të mund të ketë besim tek rezultati dhe tek ju si udhëheqësit e tyre”. Znj. Clinton tha gjithashtu se, “demokracia nënkupton jo vetëm zgjedhjet për të zgjedhur udhëheqësit, por gjithashtu, qytetarë aktivë; dhe shtyp të lirë dhe gjyqësor të pavarur  dhe institucione transparente dhe përgjegjëse që janë llogaridhënëse kundrejt të gjithë qytetarëve dhe mbrojnë të drejtat e tyre në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.  Në demokraci, respektimi i të drejtave nuk është një zgjedhje që udhëheqësit e bëjnë dita-ditës, por është arsyeja se, përse ata qeverisin”. Shoqëria civile është një element vendimtar për zgjedhjet demokratike: përfshirja e tyre ndihmon që të sigurohet që partitë politike po e dëgjojnë zërin e popullit.  Ajo mbështet demokracinë dhe u ofron udhëheqësve politikë bashkëbisedues kritikë për të kuptuar më mirë se si mund të shërbejnë më mirë.  Do të doja të shprehja admirimin tim ndaj përfaqësuesve të grupeve të shoqërisë civile që janë mbledhur sot këtu.  Demokracia e Shqipërisë do të jetë më e fortë falë angazhimit tuaj aktiv dhe punës suaj të madhe.  Përdoreni këtë mundësi sot për të edukuar e informuar udhëheqësit e rinj të Shqipërisë dhe për t’i frymëzuar ata për të marrë përsipër çështjet tuaja, si të ishin të tyret.

Një element tjetër i zgjedhjeve demokratike është pjesëmarrja e të rinjve.  Shumë shpesh kemi parë se si të rinjtë, si qytetarë, shumë shpesh lihen në rreshtat e fundit të politikës.  Megjithatë, çështjet e të rinjve janë çështje të vërteta.  Punësimi, arsimimi, shteti ligjor dhe korrupsioni janë gjëra që ndikojnë mbi ju po aq sa mbi çdo segment tjetër të shoqërisë dhe udhëheqësit e mençur politikë nuk e harrojnë këtë.  Si udhëheqës të të rinjve, ju lutem përdoreni këtë mundësi për të dëgjuar me mendje të hapur atë që ka për të thënë shoqëria civile, këndvështrimet e tyre, ato që shoqëria civile ka për të ofruar, dhe përfitoni prej kësaj dijeje për t’i bërë më të forta politikat dhe platformat tuaja. Është e rëndësishme të mbahet mend se, shoqëria civile është një partner i vyer. Në një nga udhëtimet e tij të para jashtë vendit në pozitën e tij të re, Sekretari Kerry vizitoi Egjiptin – një vend që po lufton shumë me vetë vizionin e tij të së ardhmes demokratike.  Megjithatë ka mesazhe të vlefshme prej mesazhit të tij, prej së cilës Shqipëria mund të mësojë. Ai nënvizoi me qeverinë dhe opozitën se “duhet të ketë gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromise kuptimplota mbi çështje që kanë më shumë rëndësi për popullin egjiptian”. Sekretari Kerry shtoi “e them me përulësi e me shumë respekt që arritja e qëllimit kërkon lëshime të vërteta mes udhëheqësve politikë të Egjiptit dhe grupeve të shoqërisë civile”.  Në vitin 2006, kur ai ishte ende Senator i Shteteve të Bashkuara, John Kerry tha: “Patriotët e vërtetë duhet të mbrojnë të drejtën për të pyetur dhe kritikuar.  Detyrimet patriotike për të folur hapur bëhen edhe më të domosdoshme kur të ashtuquajturit udhëheqës refuzojnë të debatojnë politikat e tyre”. Inkurajoj të gjithë këtu sot që të provojnë patriotizmin e tyre, të provojnë se ata e duan këtë vend të mrekullueshëm që quhet Shqipëri dhe të mbajnë diskutime e debate të hapura dhe konstruktive.  Dhe për udhëheqësit e rinj, ju duhet të zhvilloni platforma të forta bazuar në çështjet e parimeve dhe çështje që kanë rëndësi. Ajo që po shohim sot është një hap shumë pozitiv përpara për demokracinë shqiptare.  I inkurajoj të gjitha forumet politike rinore që të ndjekin këto hapa dhe të kërkojnë një dialog konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile.  Jini të sigurt, ju garantoj se Ambasada e SHBA-ve do të mbështesë aktivisht takime të ardhshme të forumeve rinore, si ky i sotmi, që promovojnë ndërveprimin mes partive politike dhe shoqërisë civile.  Faleminderit për ftesën tuaj dhe pres të dëgjoj diskutimet tuaja këtë mëngjes.