Prof. Dr. Myslim Pashaj: Ikja e aleatëve, mosbesim ndaj socialistëve

496
Sigal

*Sekretari i Përgjithshëm i AK-së

Prof. Dr. Myslim Pashaj, në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar fushatës elektorale, thotë se ky debat është apologjia e dështimit të demokracisë në Shqipëri nga PD-PS. Ndaj, thotë zoti Pashaj, AK-ja do t’i diktojë spektrit politik të diskutojë “Kombi në rrezik”. E megjithatë, zoti Pashaj, pohon se, AK-ja, për shkak të Kodit Zgjedhor, po zhvillon negociata me PS-në, për të qenë në aleancë parazgjedhore. AK-ja, thotë zoti Pashaj, ka në program politik burgosjen e përjetshme të Sali Berishës, rishikimin e privatizimeve e koncesioneve, rishikimin e mandateve të kryetarëve të partive, Kryeministrave e kryetarëve të bashkive, etj.. Zoti Pashaj, sjell në dritë edhe një fakt domethënës. Reagimin ndërkombëtar për privatizimin e 4 HEC-ve.

 – Zoti Pashaj, cila temë do të mbisundojë debatin politik në fushatën elektorale dhe përse?

– Debati i partive të mëdha, që po duket që në krye të herës, nuk është gjë tjetër, veçse një apologji e rrugës së dy partive të mëdha, të cilat kanë sjellë dështimin e madh të demokracisë në Shqipëri, çka ka çuar edhe në largimin nga Evropa dhe jo afrimin tek ajo. Jemi dëshmitarë. Ata po mundohen me të gjithë regjisurën dhe këshilltarinë më të lartë, që të ndikojnë në popull, por po e gënjejnë veten, rëndshëm. Në Shqipërinë e sotme mungojnë çështjet thelbore dhe themelet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sepse jemi drejt një fushate elektorale me pasigurinë më të madhe, sepse vjedhja e votës, mashtrimi, manipulimi, që nuk duken në debatet e sotme dhe as do të duken janë viruset shkatërrimtare të ardhmërisë. Ato mashtrojnë popullin me “taksën”,  “biznesin” “votimin e tre ligjeve…” kur në Shqipëri është i pranishëm lëngimi i shoqërisë. Aleanca Kuq e Zi është një parti kombëtariste, e cila do të ketë sloganin: “Kombëtarizëm. Demokraci dhe Mirëqenie”.  Ajo do t’i diktojë spektrit politik të ligatinës politike që të diskutojë “Kombi ishte në rrezik, teksa është bërë përgatitje nga regjimi e blihej e të shitej etnia, teksa u shit hapur gjeohapësira detare në një marrëveshje antikombëtare, kur 1.5 milion shqiptarë  ikën në emigrim dhe 70 % e të rinjve duan të largohen nga ky vend,  kur politikanët  pa  legjitimitetin ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor,  për t’i bërë të përjetshëm sundimtarët, kur ndërtohet në permanencë një  autokraci vrastare dhe jo demokraci, kur shteti është i kapur, se tregtohen pushtete,  se vidhet vota,  rikrijohen klane e  polarizohet shoqëria, se drejtësia mbetet e kapur, duke vijuar  urrejtja dhe konflikti në një parlament, pa Parlament, se po shitet pasuria kombëtare, kur boshatiset verilindja tradicionale, kur prona nuk shkoi tek i zoti, kur  Shqipëria bëhet gjeografi e çifligjeve të rinj, kur mjerimi ka pushtuar  afër 60% të shqiptarëve, mjedisi është shkatërruar dhe masakruar në mënyrë dramatike, kur urbanizimi është mbytur në beton, se Shqipëria sheh me sy të saj shëmtinë e shenjtërimit që i bën vetvetes Sali Berisha në mashtrimet që i mbjell në çdo stinë.

– AK-ja çfarë  kryetemë do të ketë në fushatën e saj elektorale?

– Do të shpërfaqim në debat : Burgosjen e përjetshme të Sali Berishës, rishikimin tërësor të koncensioneve, limitimin e mandateve politike të kryetarëve të Partive, Kryeministrave, kryetarëve të bashkive dhe komunave, qarkullimin e elitave politike dhe freskinë e lidershipit, reformën e thellë në drejtësi dhe pronësi…

 – Duke qenë se besimi i qytetarëve  te politika  është shumë i pakët, jeni munduar të gjeni përgjigjen e pyetjes: Përse shqiptarët duhet të tregojnë interes për zgjedhjet e 23 Qershorit?

– Ka një sondazh që na rrëfen se përqindja e votuesve do të rritet, sepse ka një zhgënjim masiv.  Do të mbrohet vota me të gjitha mënyrat, ka vajtur thika në palcë, nga mashtrimet, që kanë sjellë zhgënjimin më të madh të shekullit, në kohën kur ende është freskët përgjakja e Bulevardit në Tiranë nga dora e Sali Berishës. Me votë duhet t’ u tregohet vendi matrapazëve antikombëtarë si Ilir Meta, kjo shëmbëlltyrë e shformimit më të madh të demokracisë dhe krijimit të oligarkisë përthithëse dhe mafioze…

– Shpresoni se do të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme?

– Zgjedhjet do të jenë në rrezik sërish. Kështu duken  “bathët e Berishës” : me mandatet, Kodin Zgjedhor, listat e zgjedhjeve dhe një përgatitje e ethshme që e kanë filluar që tani Partia demokratike dheLSI-ja: Oligarkia ka hapur xhepat, kontot, bankat dhe shqiptarët, Familja e Oligarkut po shton çifligjet në brinjët e varfra të Shqipërisë. Ata kanë thasët e tagjisë së vjedhur dhe shqiptarët vuajnë. Ata kanë hapur fshat më fshat zarfet me lekë, janë ofruar lista punëtorësh deri pas zgjedhjeve, administratë që kërcënohet që të japë deklarata se do të marrin pjesë në votime kaq apo aq persona ndryshe… Vijojnë të heqin e kërcënojnë me largim nga puna, si në luftë klasash…Ata organizojnë konventa plot me drita të përgjakura, e lule më pas, e pankartat, darka e dreka dhe fëmijë në mitingje…Tani politikanët e përjetshëm, në prag të zgjedhjeve  kanë marrë edhe armë zjarri. Pushteti po blindohet.

– AK-ja, duke mos patur mundësinë që të ketë përfaqësuesit e vet në administratën zgjedhore, si mund ta mbrojë votën e vet?

– Ne shpresojmë se në një strategji të frontit opozitar së bashku, strategji që po negociohet, në të cilën AK-ja është në transhenë e parë të ndryshimit,  në një marrëveshje të madhe historike vota do të mbrohet.

 – Sipas jush, cila do të jetë vendimtare në rezultatin zgjedhor: Aleancat, që partitë do të ndërtojnë me elektoratin, apo aleancat partiake?

– Ka vetëm fjalë, dëshirë për pazare se kështu janë mësuar partizanët e partive dhe lidershipi i tyre. Ata shkelin sytë me njëri-tjetrin, kërkojnë skuta, kushte, po kurrë drejtësi të demokracisë së votës. Ne jemi në popull në shtresat që na mbështesin, kjo është aleanca e parë. Po siç e thashë edhe më lart, jemi në negociata për një koalicion të drejtë fitimtar.

 – AK-ja, duke qartësuar kundërshtinë e çfarëdo lloj bashkëpunimi  para/paszgjedhor me Berishën, ka qasje që të afrohet me PS-në?

– Ne kemi kundërshti principale me PS-në, por jemi me të, në një front opozitar dhe jemi duke gjetur pikat dhe linjat që na bashkojnë, veçse jo me pazare, por me drejtësi dhe kontribute të njohura nga të dy palët që të arrijmë fitoren. Ne kemi identitetin tonë, formatin tonë kombëtarist, që është edhe thelbi i kauzës sonë.

– Program-platforma që PS-ja ju afroi aleatëve të vet për të nënshkruar kontratat e bashkëpunimit reciprok, ju si do ta vlerësonit?

– PS-është shumë e vonuar dhe vështirësitë ia ka krijuar ajo vetvetes së saj. Ata vet ende nuk po e përcaktojnë dot se “ku u pikon pika…” dhe çuditërisht ka një megalomani të madhe, kur duhet një racionalitet dhe analizë e hollësishme e situatës të tharjes së kënetës politike, në të cilën ata nuk e kanë bërë dot, Projektin e kullimit demokratik.

– Po sikur PS-ja t’ju afrojë edhe juve të njëjtat kushte bashkëpunimi, cili mund të jetë reagimi i AK-së?

– Le ta sqarojmë mesnesh dhe për të tjerë. Ne jemi në një truall elektoral të ri, një format që vjen nga shtresa të ndryshme dhe që ka ardhur në gravitacionin e qendrës të baraslarguar nga të dy krahët. Dhe kjo gjeometri vendosjeje dhe force do të jetë vendimtare në këto zgjedhje. Nuk mund të na diktohen kushte, siç mund të mendohet. Ne duhet të jemi të barabartë dhe duhet të jemi të tejdukshëm me njëri-tjetrin, ndryshe ne do të dalim të vetëm në votime, me forcën e elektoratit tonë.

 – A mendoni se retorika e nacionalizmit, kështu siç po e zhvillojnë partitë, do të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjes së Kombit tonë?

 – Nuk e shohim kurrë kombëtarizimin tonë me ngjyrimin nacionalizmit klasik, të cilin e kanë përcjellë aq keq edhe tek ndërkombëtarët vetë përfaqësues të politikës shqiptare, që simbolin tonë e quajtën që në fillim faqezi. Ligjërimi ynë kombëtar, nuk ka shprehur asnjëherë urrejtje etnike, por realitete etnike të Shqipërisë së shprishur, se nuk kemi kërcënuar fqinjët, sikundër ata bëjnë, s’kemi ringjallur doktrina race e rrënjësh, por kemi thirrur Brenda vetes (Shqipërisë amë) që ajo të mos vijojë të shprishë vlerat kombëtare, t’i shkatërrojë  ato,  por të mbledhë si në një gurrë energjitë e shqiptarëve kudo që janë, të forcojë demokracinë e të rrisë mirëqenien. Prandaj, ju jeni përfshirë në AK dhe ne shumohemi. Dhe kësilloj nuk mund të jetë sakrilegj që në dy shtete në dy Shqipëritë të mos e realizojnë ëndrrën e bashkimit, pa prishur asnjë lloj kufiri me fqinjët.

– Faleminderit!

Reagim ndërkombëtar për privatizimin e 4 HEC-ve

–  Sigurisht.  Lidhur me debatin për shitjen e pasurisë kombëtare, shqetësim të madh kanë krijuar privatizimi i egër i 4 hidrocentraleve.  Një ankesë nga shoqëria civile është regjistruar për IFC-në, që është konsulente e privatizimit dhe merr 1 milion dollarë nga shitja e atyre HEC-eve të pafajshme.  Shoqata e Grave të Arizonës i nisi të Premten një letër urgjente Drejtorit të Bankës Botërore dhe dy anëtarëve të Bordit, amerikanit Solomon dhe italianit Cipollone, që të anulohet shitja. Ndërkohë, shitja ende nuk është finalizuar, sepse duhet të kalojnë 15 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare dhe duhet bërë zyrtarisht transferimi i “pjesëve”.  Por pritet të finalizohet shpejt. Një delegacion i IFC-së(zyra e ankesaveCAO Ombudsman) vizitoi Shqipërinë dhe hetimi do të fillojë menjëherë, mirëpo ata kishin thënë se nuk kanë fuqi bllokimi. Një grup studimor me juristë të shquar shqiptar, këtu në Shqipëri dhe në diasporë kanë arritur në konkluzion që t’i drejtohemi sa më shpejt që të jetë e mundur Gjykatës Kushtetuese. Aleanca Kuq e Zi do të kërkojë nesër anulimin e shitjes, si shkelje e Nenit 59 si dhe pezullimin e saj sa të përfundojë shqyrtimi. E shikoni se çfarë duhet të shpaloset në debatin elektoral dhe jo mashtrimet me të cilat merren partitë e mëdha, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve.