“Aleanca Kuq e Zi, ky është filli i Arianës, që më mban gjallë në kombëtarizimin shpirtëror shqiptar “

634
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr. Myslim Pashaj: “Përgjegjësia e interesit kombëtar më dha forcën e vërtetë “

Jeta e Prof. Myslim Pashaj. Në formatin e veprës së tij: Karriera ushtarake, që fëmijë 13 vjeç, Hartografia si pjesë e veprimtarisë studimore, poezia dhe letërsia në përgjithësi, kënga popullore polifonike, veprimtari pedagogjike universitare. Në karrierën ushtarake arriti gradën e Kolonelit të FA për dhjetë vjet si Drejtor i Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë. Në fushën studimore ka rreth 15 botime librash studimorë, në krijime hartografike dhe projekte të ndryshëm në 30 tituj. Vepra e fundit është “Deti që nuk falet!”  Mban titujt shkencorë, “Doktor i Shkencave”  ” Mjeshtër kërkimesh” dhe “Prof, Asoc”. Në fushën poetike ka botuar 7 libra,  duke filluar që nga viti 1974, një tragjedi si libër i veçantë “Gërdeci në motin e Asteroidit” në 2009-n,  ndërsa ka ndër duar”Gurra e Skënderbeut”. Në larminë  e këngës polifonike, ka krijuar grupin polifonik “Mallakastër- Zëri i Nënës”.  Ndër këngët e tij dallojnë: “Suitë polifonike për Rrapo Hekalin” dhe “Këngë për Ismail Klosin”. Aktualisht është pedagog i jashtëm në fakultetin Gjeologji Miniera, dhe ligjëron leksione në lëndët  “Fotogrammetry” dhe “Remote Sensing”

 

 –  Zoti Pashaj, akti juaj që denoncuat marrëveshjen detare shqiptaro-greke, ka hyrë në histori si  shërbesë kontributi patriotik për Kombin dhe Atdheun. Ishte tërësisht një nismë e juaja personale? Kush ju mbështeti?

– Këtu nuk ka vetëm thirrje atdheu, as patriotizëm, që e kanë të gjithë, por në radhë të parë, këtu ka përgjegjësi intelektuale dhe shkencore studimore, në fushën përkatëse. Në këtë mes unë nuk kam bërë më shumë, se sa duhet të bëj, çdo intelektual në fushën e tij. Kësaj pike iu nisa në atë vijë të shtrembër, që të realizonim së bashku prurjen e saj tek historia dhe gjeografia iliro-shqiptare dhe interesat e kombit shqiptar. Më mbështetën mediumet e vërteta shqiptare. Më sulmuan mediat e shitura të Qeverisë. Universitetet heshtën, Akademia e Shkencave, po ashtu. Me kërkesë nga lart, u çua zë një rektori që të ngrejë një grup pune, për t’u hedhur poshtë “lajthitjet” shkencore etj, Universiteti Europian organizoi një lektorium mbrojtës të veprës tradhtare, të Qeverisë. Më mbështetën figura të larta kombëtare si: Prof. Pëllumb  Xhufi,  Prof. Arben Puto, Prof. Lisen Bashkurti, analisti Mentor Mazarko, Juristi Agron Alibali, Prof. Ksenofon Krisafi, Gjeneral Armand Vinçani, Gjeostudiuesi Pajtim Bello, politikanët e rinj dhe juristë me vlerë: Saimir Tahiri dhe Damjan Gjiknuri,  dhe ushtarakë të shumtë, midis të cilëve, i ndjeri Veli Llakaj etj.. Të gjithë institucionet që diktohen nga Qeveria, edhe tash që Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë, nuk e thonë një gjysmë llafi, se ndjehen që janë aq të llangosura, me qëndrimin e tyre të përdalë.

– Patët telashe personale nga ky akti juaj të kundërviheshit kundër qeverisë për një marrëveshje ndërkombëtare?

– Bëj veprën tënde. Këtu filloi dhe ndeshja. E pabarabartë, dihet. S’mund të kish kthim prapa, kur mbështetja ishte siguria shkencore. Ndërkaq, erdhën sinjalet e para të kërcënimeve, të llojeve të ndryshme. U prish qetësia personale, edhe pse qetësi nuk ka, net pagjumë, prej paralajmërimeve, të cilat kishin devizën: “Do të përfundosh, si Trebicka”. Frymëzim i kërcënimeve vinte nga krahu i qeverisë, e cila ishte lënduar në veprën e saj antikombëtare.

–     Në jetën tuaj, vendimi që ju rrëzuat marrëveshjen e paktit detar, është më i rëndësishmi?

– Ky ishte vendimi për t’u marrë me gjurmimin studimor, jo si një kërkesë e “sfidës për sfidë”, e si të thuash, një aventurë, por ish një përgjegjësi e aspektit moral  intelektual shqiptar dhe po kaq edhe të karakterit. Këtë vendim Kryeministri e quajti “sharlatanizëm”, një ministër i tij e tha me një gjuhë popullore: ” Një budalla hedh një gur në pus dhe ne të mençurit të futemi për ta kërkuar”, një politikan i njohur, tha se, “nuk mund të merremi me një bolshevik”, një tjetër  ” s’merremi me një të lajthitur pensionist”. Vendimi im s’u mor në mbledhje, vendimi ishte brenda vetes time, i prirë drejt asaj udhe, që e thamë pak më parë. S’jam nisur se ” do të fitoj”, as prej pyetjes: ” po sikur të humbë!?”.  Ai ishte pjesë e përkushtimit ndaj profesionit tim, ndaj vlerës morale dhe qytetare të formësuar, por ama,  kish një dritë të cilën ne e lamë ta themi në fund: ” Përgjegjësia e interesit kombëtar: Ia vlen të shkosh në sakrificë”. Ky duhet të ketë qenë një zë i shenjtë.

-Cili motiv ju udhëheq në jetë?

– Motiv për mua ka qenë puna, vullneti për të arritur  përkushtim dhe ndershmëri. Po si të  harrojmë rrethanat që krijohen, të cilat nuk i ke asnjë herë në dorë, si mund t’i zhbirosh udhët e jetës, në rrethana krejtësisht të tjera.

– E keni përjetuar momentin më të lumtur të jetës tuaj?

– Edhe unë e kam kërkuar lumturinë dhe s’e kam gjetur në tërësinë e saj kuptimore.. Kam pas momente lumturie themelore dhe ato qëndrojnë ashtu, të paçeduara, deri tash si: dashuria me Leonorën, lindja e fëmijëve, botimi i librit të parë poetik, krijimi i hartës së parë nga duart e mia,  pastaj s’merret vesh se ç’ndodh një trazim i vijueshëm në një reliev të vështirë jetësor, sa rrethanat që të krijohen të çojnë  deri në dëshpërim, se kjo është kuptimi i jetës.

 – Fëmijëria  juaj e largët, si vjen sot në nostalgjinë e viteve?

– Kam kullotur dhitë, kam provuar të mbreh qetë në arë… kam korrur… nuk jam ngopur me bukë…Babai im lëronte, bënte dru dhe i shiste, punonte bashkë me Dekon, nënën time. Mblidhnin dafina, rigon, nxirrnin kukla të ngroheshim… buka s’mjaftonte. Në kujtesën e parë, vjen një  çati e djegur, me dhoga të çara, një tepsi me byrekë me lakra, …me një ditë të parë në shkollë, apo herë tjetër ku ngjau se unë kisha parë një ëndërr, që ndryshonte nga një natë në pyll, ndën breshër e vetëtima, kur në humbëtirë  ulërinin ujqërit dhe ti i vogël, 12 vjeç, kërkoje të shpëtoje vetveten dhe kopenë e vogël  që e kërcënonte egërsira. Në fëmijërinë tonë të parë, them se na ka rritur besimi i madh që kish Zotua babai im, për nënën tonë Dekon, tek e cila ai gjente kuptimin e vërtetë të mbështetjes. Ata të dy kishin një inat të madh… me jetën e varfërinë duke dashur të dilnin prej saj, duke i mbajtur sytë nga ne dhe ne tek ata. Përpjekja e tyre ishte ai vullneti që rron tej njeriu në mbijetesën e tij. Nga ky vullnet, mes grindjeve, që sillte skamja,  darkë më darkë kur nuk kishte bukë, mbaj mend që në shtëpi ia merrnin këngës…

–    Cili është Myslim Pashaj në marrëdhëniet intime, familjare? I ndryshëm nga ai imazh publik që keni?

– Unë jam një njeri i zakonshëm. Mbart në vete kulturën e origjinës sime, në formësim të saj në kushte të zhvillimit qytetor. Sa do të kulturohemi, kudo që të shkojmë, na thërret ngjizja e parë, kështu që sjellja në mjedisin familjar,  fjalori që përdor, gjestet, ofshamat, herë- herë dhe klithmat, bëlbëzimi i melodive popullore janë të miat, origjinale, shumë të natyrshme.

– Po me Leonorën bashkëshorten tuaj si jeni njohur?  Cilat janë raportet tuaja me fëmijët Auroni, Ejonta dhe Ditoni?

– Po mos të mos kisha takuar Leonorën, nuk do të isha  ky që jam sot. E kam njohur, kur hartografoja fushën e Myzeqesë, diku në rrethinat e Roskovecit. E kisha parë diku, në një shkallë apartamenti, tek buzëqeshte. Isha tronditur, siç u ka ndodhur shumë njerëzve të dashuruar, me shikim të parë. Ajo ishte nëndrejtorishë e Shkollës së Roskovecit. Sa kemi vuajtur në dashurinë  tonë. Po më mirë që pati vuajtje! Njerëzit e saj nuk donin bashikimin tonë, ndofta edhe për një arësye që kish lidhje me religjionin se Leonora ishte orthodokse. Kështu unë kaloja nga drama në dramë. Po edhe jeta e saj, gjithashtu,  kishte një histori tronditëse që kërkon një rrëfim tjetër.Vendosëm që të iknim nga sytë këmbët, nga një shoqëri që nuk di pse për ç’arësye nuk na kuptonte. S’na qasnin në shtëpinë e saj, deri sa lindi fëmija jonë, i parë: Auroni.

– Kush ka qenë  mbështetja më  e fort për ju në jetën tënde?

– Unë jam në mes të një vije të pambarimtë, e cila zgjatet në të dy kahjet. Prej vetes time, nëse ju do të më poziciononi këtu ku jam, shoh dy figura, që nuk më largohen drejt atij ethiri , por, përkundër më afrohen, këto janë binomi: Leonora, bashkëshortja ime dhe Dekua, nëna ime, e cila u largua nga kjo jetë, mes dhimbjeve të mëdha. Fëmijët e mi , të tre janë të vendosur në një gjeometri eliptike, ku lëviz jeta ime. Familja po zgjerohet. Auroni i martuar dhe me dy fëmijë  është në Tiranë dhe drejton një qendër studimore të njohur, Ejonta, punon në një Agjenci Ndërkombëtare në fushën e administrimit publik në Washington DC, ndërsa Ditoni jeton dhe punon në SHBA, edhe ai në Washington.

A ka momente që nuk do donit të përsëriteshin më asnjëherë ?

– Kam patur në jetë ca impulse të shpejtë tronditës që s’i kam komanduar dot. Them se janë disa të tillë.

 – Në vitin 1983 ju u ndëshkuat nga Partia e Punës? Mbani mend përse ndodhi kjo dhe çfarë ndëshkimi ju dhanë?

 – Befas, ashtu sikundër ndodhnin ngjarjet e asaj kohe, në Institutin Topografik vunë gishtin tek një grup, i cili përbënte rrezik, e ky grup “sikur drejtohej prej meje” e që binte ne kundërshtim me ideologjinë e Partisë. Rreth këtij diskutimi që shtrohej, kish një të vërtetë, se unë nuk pëlqeja mënyrën e menaxhimit teknik, po, pa pasur kurrë ndonjë qëllim karrierizmi. Kaq u desh dhe u krijua trazimi i madh, derisa arriti puna të propozohej deri në përjashtimin nga Partia, që ishte edhe pushkatim politik. Në Komitetin e Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes, në korridorin e ftohtë dhe të gjatë, ku rridhte një helm si nga brendësia e mureve, ndjehesha krejtësisht i pajetë dhe aty hamendje të shumta më sillnin përzgjedhje tragjike, për të marrë një vendim për të mos jetuar më. Asnjë faj , asnjë vepër të gabuar…por vetëm  ishte po ai helm i ideologjisë. Shkova në një njësi ushtarake me një frikë që përherë e shtohej. Përgjohesha, shikohesha me një sy tjetër, ndërkaq unë isha po ai i pari, që veç dashurisë për atë reliev të hartografuar dhe përparimit të Shqipërisë, nuk kish asgjë tjetër. Larg shtëpisë, larg Leonorës dhe fëmijëve, vuaja dhe vuaja, në veten time, mbyllur në një dhomë të plasaritur  e të ftohte për vite me radhë, vetëm studioja, shkruaja dhe hulumtoja për një disertacion shkencor. Ruhesha nga sigurimsi ushtarak, që më ndiqte nga pas, fshehur kur shkoja në Manastirin e Ardenicës me teodolit, që masin hapësirat dhe ai kujtonte se unë në ato çaste, po lidhesha me armiqtë e jashtëm , nëpërmjet yjeve… prej atyre tuneleve ushtarake. Sa e rëndë dhe sa qesharake njëkohësisht! Aty një ditë erdhi Dekua, nënë ime dhe më solli një byrek me lakra nga Kroi, për të më thënë: ” O bir, si nuk e kuptove që në këtë parti të vrasin me plumb, po të vrasin me duart që ngrihen lart! “. (Ajo e kishte fjalën për vendimet që merrte partia në mbledhjet e saj ).

–  Arrestohet në Kosovë nga qeveria shqiptare, Idajet Beqiri, me kërkesën e qeverisë Belge, i akuzuar për veprimtari terroriste, sepse u përpoq për bashkimin e kombit shqiptar. Kundër arrestimit të një aktivisti të bashkimit të kombit shqiptar,  politika shqiptare, qoftë edhe opozitare, nuk reagoi fare. Mos vallë jemi më pak patriotë, sot?

– Ndjehem keq për Idajet Beqirin, i cili trashëgon disa cilësi dhe virtyte shumë të veçanta mallakastriote, të cilat unë i çmoj, ashtu siç çmoj edhe veprën e tij në fillin kombëtar, ku ai ka qenë angazhuar që para 20 vjetësh. Ndjehem keq, jo për pamundësinë që të ngre zërin, por që nuk i qartësoj dot disa dyshime që qarkullojnë (të cilat nuk i besoj), që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tij me njerëz, apo qarqe kosovare, që nuk kanë lidhje me veprën e tij kombëtare.  Është dhimbje dhe dramë për të, por edhe për ne miqtë e tij.

–  Figurat dhe kontributi atdhetar  i gjithsecilit, në shërbim të çështjes kombëtare, a kanë sot vendin e duhur në historinë tonë kombëtare?

– Në një Republikë Autokratike nuk kanë vlera veprat e dhe kontributet e gjithsecilit, por ato vihen në shërbim të idealit autokratik, në një shtet të kapur, kur prirja e turpshme e përditshme është ajo që Sali Berisha  kërkon të ngrihet si një figurë okulte, ndaj atij i bëhet aq shumë hosanara, kur i shfaqen popullit skena të tilla të garave të tij të pafund me vetveten, që janë qesharake. Energjia e urrejtjes që pjell Berisha nuk të çon asgjëkund.

–  Sa shqetësohemi ne shqiptarët, që akoma, edhe pse kanë kaluar 21 vjet, nuk kemi arritur të formojmë një edukatë të emancipimit demokratik, qoftë në ndërtimin e një shteti, qoftë edhe në sjellje e në marrëdhënie shoqërore individ-shtet, shoqëri-politikë?

– Unë mendoj se në Shqipëri ka pasur një regres të vijueshëm në ndërtimin e shtetit demokratik të së drejtës. Edukata që ka lindur është ajo që sjell pabarazia, oligarkia e re, klanet pasurore, që kanë kapur shtetin, vjedhja e votës, indiferentizmi ndaj çështjes kombëtare, shndërrimi i klasës politike shqiptare në një bashkësi që nuk i shërben programeve të partive të tyre, por interesave klanore, ç’edukatë dhe ç’etikë është ajo kur jetojmë në një shtet njëpartiak, me një regjim të korruptuar, që ka shtënë mbi popullin si në Gërdec dhe 21 janar. Ka ardhur koha e frikës dhe njerëzit janë bërë pjesë e ideologjisë së frikës dhe kokëuljes. Kjo është republika e së keqes.

– Mendoni se jemi futur në rrugën që na çon në integrimin politik, social, shoqëror në familjen e madhe të demokracisë europiane?

– Jemi një popull fatkeq, i cili është tërhequr për hunde, edhe përgjatë këtij sistemi që quhet demokratik. Fajin e kemi nder vedi. E kemi ëndërruar gjithëpërfshirjen europiane dhe për të kemi ngritur banderola të mëdha. Edhe pse jemi pranuar në NATO, edhe pse po bëhen përpjekje për të marrë statusin e kandidatit për BE, unë shoh figurën e një trupi që ngjitet tek ajo lartësi,  të dobët, të drobitur dhe të lënguar, i dobët kockë e lëkurë, sepse ai vjen nga një shoqëri e pamaturuar demokratike, ai vuan për lirinë e tij të vërtetë.

 –  Edhe pse përditë e më shumë njerëzit e humbasin mirëbesimin te politika dhe te politikanët tanë, i pandjeshëm është reagimi, kundërshtia, përpjekja për të kërkuar një rrugëzgjidhje ndryshe. Si do ta shpjegonit ju?

– Kërkohet një filozofi e re e bashkimit dhe vlerësimit të idealit kombëtar. Duhet bashkim. Kjo është një fjalë goje! Pa u hedhur poshtë këto interesa meskine antikombëtare, nuk mund të ketë përparim. Dalja e partive të reja, mesa shoh në pritjen që u bëhet në popull, ato ngjallin shpresë, por përsëri krijojnë dyshime prej logjikës së njohur. ” Se ato vijnë po nga i njëjti shtrat i klasës politike “.  Partitë e reja, duhet të hartojnë një Manifest të Ndryshimit për të krijuar një besim të ri tek qytetarët.

–  Nisur nga kjo, shumë njerëz mendojnë se duke qenë sa më indiferent për politikën,  është një telash më pak për të mirën e tyre. Mendoni se kjo mendësi të “çliron” sadopak nga  të këqijat e politikës?

– Indiferenca që po krijohet është vrastare. Atë e ka krijuar politika. Kjo indiferencë është për atë pjesë të shoqërisë që nuk voton. Ajo pranon të bëjë sehir, veçse të ruajë atë ka arritur. Sa e rrezikshme! Kurse ata që votojnë shkojnë në vathat klanore (Vëreni Ilir Metën me stanin e tij që atyre nga vjen vota u ka siguruar punë në farefis, në arsim, shëndetësi, ekonomi, ku ka domenet e saj dhe zinxhirin e interesave klanore) A nuk iu duken se këto metastaza kanë hyrë aq thellë në trupin e shoqërisë sonë.

–  Për ju, vendimi që të merreni me politikë, çdo të thotë?

– Nuk kam pasur dhe as që kam ndonjë sfidë politike. Unë jam një qytetar, ish ushtarak dhe intelektual i zhgënjyer, i dëshpëruar, i përkas asaj breznije që kam marrë pjesë në jetën shoqërore dhe veprimtare në të dy sistemet duke i përjetuar këto dështime të mëdha. Fakti që sot jam pjesë e Aleancës Kuq e Zi, ky është vetëm filli i Arianës, që po më mban gjallë në kombëtarizimin shpirtëror shqiptar, tek i cili e kam një shpresë.

– Cila është risia politike që premton të sjellë forca politike AK-ja, me të cilën ju tashmë jeni një ndër udhëheqësit kryesorë?

– Kam hyrë në AK, pikërisht për risitë e saj, se ajo ka dalë si një erupsion i ri, me ide të reja, të cilat po i shpërfaq përditë. Kemi një përkrahje gjithnjë e më të madhe. Krijimi i një bashkësie të re politike, që të gjithëpërfshijë, atë pjesë të zhgënjyer ndër vite të shoqërisë shqiptare, që s’e gjeti kurrë veten tek pseudodemokracia e po kështu një armatë e tërë shqiptarësh që i besojnë ideologjisë kombëtare, bashkimit të kombit, nacionalizimit ekonomik, rikthimit të pasurisë kombëtare të shitur shqiptarëve dhe interesave të tyre. Këto janë në funksion të integrimit në Europë.

– Ju faleminderit!

100- vjetori dhe identiteti ynë kombëtar

 Vijmë në këtë 100 -vjetor, të mangët, mbasi ne nuk i kemi realizuar dot ëndrrat e Rilindësve. Ende sulmojmë historinë dhe figurat qendrore historikë të themelit kombëtar, ne përpiqemi të rishkruajmë historinë, pa hulumtuar në thellësi vlerat e vërteta, ndërkaq rrimë sehirxhinj, kur qarqet serbo- greke na e shformojnë historinë tonë.  Ne kemi krijuar një urrejtja brenda shoqërisë së sotme shqiptare, sa që nuk mund të riparohet aq kollaj, ne kemi hartuar ligje në ndihmë të shitjes së identitetit kombëtar, siç qe CENSUS-i famëkeq, ne krijuam infrastrukturën për të prerë hapësirat detare të Shqipërisë në detin Jon, duke ia dhënë atë Greqisë, ne e kemi shitur pasurinë tonë kombëtare dhe në këtë 100 vjetor Republika është e shitur, ne vijojmë në heshtje të lozim me Çamërinë tragjike shqiptare, ne kemi frikë të flasim hapur për Bashkimin Kombëtar, kur kjo është e shkruar në Preambulën e Kushtetutës. E ç’rëndësi kanë disa festime, disa monumente, disa simpoziume të cilat janë kaq formale.