“Socialistët e LSI-së janë të lumtur që hanë bukën e shtetit të Saliut”

691
Sigal

INTERVISTA/ Ilir Meta: “Unë jam kandari i politikës. Nga peshojnë killot e mia, zgjidhet qeveria”

Shoku Meta, deri më sot, vetëm ju nuk e keni hapur gojën për darkën që i dhe shokut Edi në Gjirin e Lalzit. Disa, gojëkëqij, thonë se ju nuk flisni, ngaqë ju operuan me biçak gojën për t’ju  nxjerrë halat e ngjalave që hëngrët. E vërtet, kjo?

 – E thanë edhe këtë, maskarenjtë e Edit? Po nga inati e marazi i thonë këto. E di ti, përse më kanë kaq inat mua batakçinjtë e tij?

– Unë, që të njoh sa inatçi je, shoku Liri, se je shpirto, si rakia skraparlli 23 gradë, por më le pa mend, që të fusje në shtëpinë tënde, Edin. Iku,- thashë unë,  u bë ujë, edhe rakia e Skraparit, sa më tha shoku Gramoz, atë natë, që ti haje ngjalat me Edin: “E shikon, e futëm në rrjetën tonë edhe Kryengjalën”.

– Ha, ha, ha…Gramozi  ka mbetur akoma sekretari i partisë të Progonatit. Unë, e kisha ëndërruar atë ardhje të të paemrit para këmbëve të mia. Po, ama, të më vinte, ashtu, siç më erdhi, natën dhe te shtëpia ime, kjo ishte përtej imagjinatës. Ja shikoje, e kam videon të tërë. Më mësoi Dritani, tani, që të kem në video, gjithë takimet me miqtë e armiqtë.  Dhe, shoku Ilir, vë në video takimin me shokun Edi. Ai zbret nga xhipi, i vjen vërdallë oborrit, brenda e jashtë, duke kërkuar me shkrepëse, diçka. Dëgjoj në video, zërin e Ilirit, që pyet Edin, çfarë i ra dhe  çfarë humbi. Shoku Edi, i thotë, se përpiqet të kontrollojë mos ndonjë Dritan, apo Spartak është fshehur gjëkundi dhe e kopjon në kamera, ardhjen e tij. Kur u ngjitën, lart, në verandë, shoku Edi, i ra menjëherë në gju shokut Ilir, dhe si Jezu Krishti, që i falej ikonës së gjallë, Ilir Metës, i cili edhe pse dy bojë më i shkurtër se Rama, dukej i gjatë sa vetë Tomori.

-Shoku Ilir, të përgjërohem, me atë çikë shpirtin që më ka mbetur nga padurimi im,  më ndihmo, që të heqë qafe, të mallkuarin Salë. Të kërkoj falje, për gjithçka që kam thënë e kam bërë unë, Edi Rama, kundër teje. Të lutem, falmë të gjitha mëkatet, që kam bërë kundër teje. Të lutem, më ndihmo, që tani, të heqim qafe, të mallkuarin Salë. E kam kuptuar, shoku Ilir, që pa ty, unë, sado Gramozë e Namikë të kem, bythën kam për t’i parë, tërë jetën, të mallkuarit Salë.

–  Po, tani u kujtove , Ramë derziu, që të më japësh thërrime?

– Po, pse thërrime e quan, të të jap dyfishin e ministrive, që të jep i mallkuari Sali? Pak e quan ti, të të jap avokat, vetë Braçen? E  të provojë edhe te “Zëri i popullit”  ndershmërinë tënde. Çfarë, më shumë se kaq, të të jap, unë, i shkreti Ramë?

– Po këto m’i ka dhënë  me kohë, i nderuari shoku Sali, or Ramë ziu. Ti nuk e lexon fare “55” e shokut Fahri, që çdo ditë mua më ka bërë hero në faqen e parë. Po, meqë më lut kaq shumë, sa rri edhe gjunjëulur para meje, po të bëj një nder. Të kërkoj gjëmë më të vockël, që mund të bësh.  Çelësat dua, nga ti. Të tëra çelësat e Partisë, që nuk mi dha Nanua.

–  Ama, shoku, zoti im, Ilir. Ama, Partinë, jo, shoku, zoti im, Ilir. Partinë tani  e kam bërë timen. Unë ndoqa Nano e soin e vet, nuk lashë nishan të tij. Ndaj, solla Erjon Veliajë e Spiropalë, që partia të jetë prona ime.

– Cili është synimi yt politik, këtej e tutje, shoku Meta? Do të jeni përgjithmonë, kaq i majtë dhe në krah të shokut Sali?

– Më mirë të kesh në krah, një shok besnik, sikurse shoku Sali,  që po të dha fjalën e komunistit, nuk e thyen kurrë.  Emërziu, sa herë ma ka dredhë mua fjalën?

– Shoku Ilir, meqë jemi vetëm, ma thuaj, për fjalë nderi, besnikëria e Salës, të bindi që t’i rrish në krah përjetë?

– E paktë të duket fjala që më jep mua shoku Sali? Ku gjen rast, sot në politikë, që një zotëri të mbajë fjalën, veç shokut Sali? Sa herë, shoku Sali,  më ka dhënë fjalën, e ka mbajtur. Kisha mik Dritanin, e ushqeva një dimër të tërë, dhe fap, sa erdhi behari, e bleu Rama dhe më telendisi në Top-Chanel… Po , harroi faqeziu Dritan, që unë kisha në krah, shokun Sali, e jo ditëziun Ramë, i cili, për hatërin tim,  u dha urdhër gjykatësve, të gjithëve aman,  dhe  e bëri Top-Chanel, në Tope Chenel.

-Shoku Meta, ato që the ekraneve,  për votën që i dhe Berishës për President, e ia drodhe paq Ramës, edhe ti e di që unë nuk e ha gorricën për dardhë. Më thuaj, tani, që jemi bashkë, e nuk na dëgjon njeri, ç’të shtyu që i bëre tok votat me Berishës?

– Dy janë llafet. Ajo video që ju dha Dritani, është hiç, nga zarfet që ka Berisha për pehlivanllëqet e mia, e me ato unë nuk dal dot nga hekurat edhe për 333 vite. Po shoku Berishë, me besnikërinë dhe zemërgjerësinë e komunistit, më dha edhe më shumë. Naftën të tërë,  që nga  Butrinti e deri në Ulqin për 444 vjet. Budalla jam unë, që të luftoj për flamurë e të mos pranoja?

– Po socialistët e LSI-së, që të presin t’u paraprish idealeve të majta, nuk do të mbeten me gisht në gojë, kur tok me Salinë, do veni në zgjedhjet e 2013-s?

– Ha, ha, ha…. Më bëre të qesh. Ose je kaq naiv, sa çtë të them, ose bie erë   edhe ty  nga pordhat e ditëziut Ramë, që u qan hallin socialistëve të LSI-së.  Po a i ke pyetur socialistët e LSI-së sa të lumtur e sa krenarë ndihen, që unë e Sala jemi tok, krah për krah?  Të gjithë socialistët e LSI-së, shoku Sali i ka futur në punët e shtetit. Dhe  socialistët e LSI-së, jetojnë kaq të lumtur, duke ngrënë bukën e shtetit të Saliut, si dikur shqiptarët kur  shoku Enveri  ishte me shokun Stalin e  më vonë, kur shoku Enveri ishte  me shokun Mao. Unë jam më i mençur se Enveri,  e nuk ndahem nga shoku Sali, se nuk dua të hamë bar, e të mbajmë kallamin që mbajnë  socialistët e  PS-së,  të ditëziut Ramë në opozitë.