Albin Kurti: Sulmi terrorist synonte aneksimin e veriut të Kosovës

38
Sigal

Kryeministri Albin Kurti përmes një reagimi të hënën dha të tjera detaje për sulmin terrorist nga grupe të armatosura serbe në veri të vendit. Sipas asaj që tha kryeministri i Kosovës më së fundmi duke iu referuar dokumenteve të konfiskuara e të konfirmuara nga Policia e Kosovës sulmi terrorist kishte qëllim aneksimin e veriut të Kosovës. “Në bazë të dokumentacionit të konfiskuar nga Policia e Kosovës, konfirmohet se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës, nëpërmjet një sulmi të koordinuar në 37 pozicione të dallueshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe me trupa”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një rrjet social të hënën kur ka kaluar mëse një javë nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhi në Banjskë të Zveçanit e ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari tjetër policor Alban Rashiti. Policia e Kosovës ka vazhduar me operacionet ku ka konfiskuar arsenal armësh në zonën ku ndodhi sulmi, duke përfshirë këtu: granatahedhës, antiplumb, karikator me fishekë, kapela ushtarake, dorëza, pushkë gjuetie, snjaper, radiolidhje etj. Të gjitha këto sipas Policisë së Kosovës i takonin grupit të armatosur terroristë i cili përbëhej nga më shumë se 30 veta, të cilët pas sulmit u fshehën në Manastirin e Banjskës.