Albana Vokshi: Vendimi për ndalimin e medias në Kuvend, shkel liritë e medias

308
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pa fjalë të lirë, nuk mund të ketë votë të lirë, nuk ekziston as shoqëria e lirë. Në këtë drejtim, vendi ynë vazhdon të bëjë hapa mbrapa me ritme alarmante. Me një vendim antidemokratik, media ndalohet të marrë pjesë në komisionet parlamentare, aty ku diskutohen ligjet, ndalohet të pyesë deputetët, ndalohet të jetë aty ku ngjarja ndodh. Në vend të informimit të plotë të publikut, gazetarët urdhërohen të komunikojnë me publikun vetëm përmes pamjeve të regjisë së centralizuar të kuvendit.

Vendimi antidemokratik, antikushtetues, i detyron gazetarët të qëndrojnë të izoluar në një dhomë, të rrethuar nga Garda e pushtetit. Vendimi që pengon gazetarët në punën e tyre të informimit me transparencë dhe paanësi të publikut, i pari i këtij dimensioni pas 30 vitesh parlamentarizëm, është marrë në mungesë të plotë transparence nga parlamenti monopartiak me opozitën e emëruar.

Vendimi antidemokratik, nuk është konsultuar me shoqatat dhe grupet e gazetarëve dhe e përsëris me shumë shqetësim, është, në shkelje të të drejtave Kushtetuese për informim, kuadrit ligjor, konventave ndërkombëtare, si dhe vetë frymës se transparencës dhe hapjes me mediat që përcjell ndër vite Rregullorja e Kuvendit. Bunkerizimi i Kuvendit, njësoj si bunkerizimi i qeverisë së Ramës përmes ‘ERTV’-së, ka vetëm një fjalë për t’u përshkruar- Censurë.