“Ha dhe hesht!”, vajti kjo jetë në vendin tonë

726
Sigal

 Nga Hyqmet Zane

 Këto fjalë “Ha dhe Hesht” kanë një kuptim të madh dhe shumë filozofik në brendësi të tij, janë një këshillë e dhënë në një kohë diktature dhe në rrethana krejt të veçanta. Ishin kohë të vështira dhe spiunazhi bënte punën e vet që shkonte jetën deri me ligësi dhe , nëse flisje dhe nuk heshtje, haje 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Këto fjalë më janë thënë në vitin 1978 në një darkë me prindërit dhe dy xhaxhallarët që kanë qenë mbresëlënës kur mbarova shkollën e lartë dhe do të shkoja të filloja punë si mësues .

Tradicionalisht këshillat kanë qenë të shumta në familje si shprehje e urtësisë që kanë pasur brez pas brezi familja e Zenelatëve, si një familje nga Filati i Çamërisë, i njohur për shumë urtësi e intelektualizëm. Nga meraku i madh për ecurinë e punës sime si mësues dhe kujdesi që duhej pasur në punë e sipër meqë do largohesha nga shtëpia në një fshat të largët malor. Çdo këshillë e tyre ishte një tërheqje vëmendje, sepse vërtet ishte kohë diktature dhe ngjarje të shumta kanë ndodhur në atë kohë me njerëzit që thoshin ndonjë fjalë që nuk i pëlqente pushtetit..

Për hir të së vërtetës dhe në respekt të atyre që nuk jetojnë më, fjalët e secili prej njerëzve të mi të dashur, këshillat e tyre ishin pikante, të rëndësishme dhe me shumë vlerë. Ajo që më mbeti në mendje që në fillim nga fjalët e pakta që më tha im atë ishte “Ha dhe Hesht, bab”. Shpjegimin e tha vetë babai duke bërë kujdes të më thoshte se dihet si shkojnë punët në vendin tonë, të ruajnë çfarë thua, të ruajnë ku shkon e me kë rri, do të thotë që sigurimi dhe spiunët e pushtetit duan të dinë gjithçka , veçanërisht për ne çamët. Sipas babait duhej të bëja punën kokulur dhe të mos bëja biseda me njerëz që nuk i njeh se t’i tjetërsojnë.

Këtë këshillë prindërore e miratoi edhe xhaxhai im më i madh se babai, po ashtu edhe xhaxhai tjetër. Secili prej tyre kishte ndonjë këshillë të spikatur, si edhe nana që më tha me shumë zgjuarsi “Kujdes bir, se çfarë bën vetja vetes, gjithë bota të mblidhen, nuk ta bëjnë, qoftë për mirë e qoftë për keq!”. Nuk ka se si të harrohen dhe të mos konsiderohen, se në jetën time u udhëhoqa prej tyre dhe i ruaj si të gdhendura në kujtesën time.

Interesant është fakti se edhe fjalët e thëna për mua në një kontakt të vetëm që pata me ish-kryeministrin Ibrahim Bej Biçakçiu, më 1975 që, për një ndërhyrje ndaj dikujt që po e fyente dhe kërkonte ta poshtëronte, iu kundërvura dhe i dola në krah njerëzisht të birit të Aqif Pashë Biçakçiut që Enver Hoxha e kishte poshtëruar duke e lënë punonjës të banjave publike në merkatën e vjetër të Elbasnait. Këshilla e ish-kryeministrit ishte “Ruaje veten djalë, duaje veten shumë!”.

Edhe pse në këtë vendin tonë ndodhën ndryshime të rëndësishme të sistemit politik nga diktaturë në një tranzicion për demokraci, edhe pse kanë kaluar 28 vjet e ca, kemi arritur në një kohë që duhet të vetë-përmbash fjalët, se mos merr ndonjë denoncim për gjyq me epitetin shpifje apo fyerje ndaj pushtetarëve. Me një fjalë jemi në pikën e një rikthimi në një post-diktaturë ku “Ha dhe hesht!” është një këshillë që të ruan nga e keqja.

Në çdo sektor të jetës publike dhe, veçanërisht, për ata që janë në punë në institucionet shtetërore, duhet ta masin mirë fjalën se jo vetëm të spiunon shoku apo shoqja tek shefi dhe të rrezikohet vendi i punës, por edhe mund të përfundosh në dyert e gjykatave. Edhe sikur të kesh të drejtë, gjyqtarët kanë frikë të japin vendime në dëm të pushtetit se e pësojnë dhe në vetting do dalin detyrimisht me njollë në biografi. Ka edhe spiunë të emëruar nëpër institucione që bëjnë edhe investigime se me kë e pi kafen pasdite, me kë shoqërohesh në kafe apo se çfarë mendimesh ke, je “i joni” domethënë i PS-së apo jo dhe gjithçka regjistrohet.

Me një fjalë këshilla “Ha dhe Hesht” është bërë proverbial, se edhe mediat duhet të mos shfaqin ligësitë, korrupsionin, të fshehtat e pushtetit, por të jenë media limonadë, që të japin përrallat e kryeministrit, të shfaqin komeditë me barsoleta dhe lojëra fjalësh që bën kryetari i qeverisë në dëgjesat publike. Besoj se janë të freskëta debatet e kryeministrit me studentët apo studente apo ndërhyrjet e tij në Parlament me një gjuhë rrugaçërie apo fyerje si në rastin për Edi Palokën etj.

Kush mund të guxojë të flasë para Damian Gjiknurit që mund të bëjë gjithçka për të realizuar që të të mbyllë gojën, tamam si gjyshi i tij, Naun Bodurri që me plumba i mbyllte gojën dhe jetën pas çlirimit nga nazifashistët.

Kush guxon t’i thotë të vërtetën një ministri, apo ministreje, apo ndonjë socialisti me pozitë, se do gjendet nën breshërinë e një analize të biografisë se “kush është ky, ku punon, kë ka kushëri, ku i punojnë…, çfarë lidhjes fisnore ka” me qëllimin e vetëm që të hakmerren aty ku të djeg më shumë. Janë të bëra, ndaj dhe i them me sigurinë e lartë, se jemi rikthyer në një situatë ku njeriu ka frikë të shprehet, ka frikë me kë të shoqërohet e të pijë kafe, ka frikë se kush e ndjek dhe kush e përgjon apo edhe se ku mund ta pësojë një të keqe. Domethënë “Ha dhe Hesht!” mbetet në fuqi, “Ruhu nga çdo gjë!” apo që të bësh kujdes në çdo hap që hedh.

Përkundër këtij realiteti njerëzit e pushtetit edhe mund të thonë gënjeshtra për punët e tyre që nuk janë në shërbim të qytetarëve, edhe të fyejnë po u the apo i kritikon për ndonjë të vërtetë, edhe qeshin e zgërdhihen me paudhësitë që bëjnë dhe, kur ua thua ti qytetari apo ti opinionisti, do të gjendesh nën rrebeshin e fjalëve pa doganë që bien si rrufe që të mos gjesh derman nga e keqja që mund të shoqërojë në jetë. Bile një ministër, mik i kryeministrit i tha punonjësit të vet që thatë vërtetën “Suksese në jetë!”, çka do të përkthehet që “Ç’pate që fole, si nuk heshte që të haje bukën tënde?!” etj etj.

Ndaj kishte të drejtë im atë kur më tha “Ha dhe Hesht!” për atë kohë, por nuk e dinte ai që do vinte një ditë që në një sistem të ashtuquajtur demokratik, do të vinte një qeveri që do vepronte njëlloj si në diktaturë sa fjala “Ha dhe Hesht!” duhet të shoqërohet edhe nga këshilla tjetër “Hesht, se e pëson!” nga pushteti i Edi Ramës. Vetëm pse tha të vërtetën gazetari gjerman i “Bild”, kryeministri gjeti avokatin më të shtrenjtë në botë. Po për qytetarin e thjeshtë kush mund të dalë avokat, kujt ia mban përballë pushtetit ? Këtë ka dashur të thotë edhe George Oruell, kur ka thënë se “Në një botë ku mashtrimi është bërë i zakonshëm, të thuash të vërtetën është si të bësh revolucion.” Në fakt, ka ardhur koha për një “revolucion” në shoqërinë tonë civile dhe politike. Por para së gjithash, çdo shqiptar duhet të ndryshojë vetveten për të ndryshuar këtë shoqëri dhe Shqipërinë.