Akademik Artan Fuga: Shteti i lashtë shqiptar

643
Sigal

Më 28 Nëntor ne përulemi përpara veprës të Ismail Qemal Vlora, dhe të gjithë përpjekjeve për të rilindur shtetin shqiptar të pavarur nga Osmanët dhe që deshi të jepte një formë moderne. Por, nuk duhet harrojmë gjenezën e vërtetë të shtetit të Arbrit që është në 28 nëntor 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin në kështjellën e Krujës! Jam i bindur se ishte një shtet kombëtar!

Mund të vërtetohet!

Kush mendon se ndërgjegjja kombëtare nuk ishte zgjuar ndër elitat shqiptare të shekullit të 15-të, njësoj sikur kishte nisur të lindte e dobët gjithandej në Evropë, nuk e njeh mirë historinë e kulturës evropiane dhe arbërore. Ngaqë prej shekujsh humbi disi, mendojnë se nuk ekzistonte më parë. Sikurse arkeologu zbulon qytete dhe qytetërime poshtë shtresave të tokës. Gërmon për të gjetur qytetërime të zhdukura por që kanë qenë. Po, shteti i Skënderbeut ishte kombëtar nga ndjenja, frymëzimi, shtrirja, aleancat dhe ndërgjegjja e vetvetes. Ashtu e njihnin edhe fuqi të rëndësishme evropiane të kohës. Gjergji si sundimtar i Arbrit. Ai shtet nuk jetoi vetëm disa muaj ose nuk kishte shtrirje vetëm Vlorë – Berat – Elbasan por shumë më gjerë, Jug e Veri. Ai mbijetoi për më shumë se dy dekada dhe mbeti në kujtesën e shqiptarëve anembanë Shqipërisë dhe përtej si ideja shtetërore shqiptare. Fakti se Osmanët e shtypën nuk do të thotë fare asgjë. Ai jetoi në ndërgjegjen politike arbërore. Kush nuk e di në filozofinë politike që shteti është fillimisht ide pastaj realitet!!! Nëse ndonjë budalla nuk e di le t’i hedhë një sy veprës të Hegelit mbi fenomenologjinë e shpirtit! Po e lexoi dot! Shteti shqiptar është i lashtë prej më shumë se 500 vjetësh. Nuk ka lindur para një shekulli, ndonëse ngritja e Flamurit në Vlorë pati një rëndësi të jashtëzakonshme për të rilindur atë në momente shumë kritike idenë e shtetit shqiptar.

Por vetë ideja dhe realiteti i shtetit arbëror janë qindra vite më parë

Por politikanët e kohëve të ndryshme vlerësojnë veprën e tyre dhe harrojnë historinë. Mbivlerësuan shtetin e 1912-s dhe lanë shtetin e Gjergjit. Sikurse komunistët vlerësuan 29 Nëntorin duke zbehur 28 Nëntorin 1912. Për priftin e fshatit, peshkopi i krahinës është më i madh sesa Papa, kurse për Kryepeshkopin, Papa është më i rëndësishëm sesa vetë Jezusi. Ky është fati i njerëzve të mëdhenj. Edhe i vetë politikanit të madh Ismail Qemali. Babai i shtetit shqiptar në shekullin e 20-të. Por, jo themeluesi i idesë shtetërore arbërore, i asaj ka qenë Gjergji i Madh.

Perse na paraqitni para botës sikur jemi me kujtesë shtetërore të shkurtër?

Kujt i ka interesuar ta fshehë këtë, kjo përtej miopisë sonë egoiste? Kujtoja se aktivitetet shkencore për Skënderbeun do të sillnin një dritë të re metafizike duke pohuar të vërteta të mëdha, të lëna poshtë nga dogmat ideologjike staliniste, por në vend të tyre dëgjova një referat të një studiueseje kineze për romanin “Kështjella”, roman i bukur në fakt, por që është letërsi dhe jo histori. Sa shumë përtypim dogma dhe hiqemi sikur janë të vërtetat e fundit shkencore të historisë. Të stërthëna prej dekadash të tëra.

Pse kështu?

Përulem para Ismail Qemal Vlora, babait të shtetit shqiptar në shekullin e 20-të! Shoh te shteti i Arbrit i shekullit të 15-të, gjenezën kur lindi ideja dhe realiteti i shtetit kombëtar shqiptar!