Sigal

Gazetari Milazim Krasniqi shpreh mosbesimin ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deklaratave të bëra pas mbledhjes së qeverive në Pejë. Krasniqi thotë se “kush i beson Edi Ramës, thënë figurativisht, vërtet është gomar.”

Krasniqi e akuzon Ramën se po çon përpara idenë e Aleksandar Vuçiçit, president i Serbisë, që parashikon shkëputjen e veriut të Kosovës dhe pjesa tjetër t’i bashkohet Shqipërisë, por jo si shtet sovran.

Sipas gazetarit, Edi Rama duhet të deklarojë zyrtarisht nëse kërkon bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, me kufijtë aktual, në të kundërt duhet të ndërpresë diversionin.

Reagimi i plotë i Milazim Krasniqit:

KUSH I BESON EDI RAMËS, THËNË FIGURATIVISHT, VËRTET ËSHTË GOMAR

Takimi i sotëm i dy qeverive në Pejë, i ka shërbyer Edi Ramës si rast ideal, që ta shtyejë përpara idenë e Vuçiqit për “ kufizimin ndërmjet serbëve e shqiptarëve”, duke e zhbërë krejtësisht Kosovën si shtet. Sipas projektit të Vuçiqit veriu, deri në Urën e Ibrit, i amputohet Kosovës dhe i aneksohet Serbisë. Pjesa që mbetet, sipas atij plani, lihet që asocohet diqysh me Shqipërinë, si njëfarë entiteti, por jo si shtet sovran. (Loja e Edi Rames me bashkimin doganor është në këtë funksion, për të na hedhur hi syve.) Prandaj, nuk mjafton vetëm kundërshtimi i sotëm i shprehur nga kryeministri Haradinaj. Politika diversioniste e Ramës kundër pavarësisë së Kosovës, e cila po paketohet si gjoja politikë e bashkimit kombëtar, duhet të denoncohet. Duhet të kërkohet që paraprakisht qeveria e Shqipërisë të dalë me deklaratë zyrtare se nëse aspiron bashkimin me Kosovën, kjo duhet të realizohet në kufijtë e tashëm që Kosova i ka. Nëse e shpall Shqipëria zyrtarisht këtë zotim, atëherë jemi në rregull me procesin e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete të pavarura, që mund të formojnë një federatë a asociacion të përbashkët shtetëror. Por, nëse nuk pranohet kjo, Rama do të duhej të bllokohej, pra të mos i lejohet të flasë në emër të Kosovës, me termat e tij hileqartë, të akorduar me Vuçiqin e mbase edhe me Institutin ‘Lindje Perëndim” të Kameron Manterit, me Sorosin dhe me Llavrovin. Nëse nga qeveria e Kosovës nuk bëhet kjo gjë e domosdoshme, Rama do ta vazhdojë diversionin. Shenjat janë se Rama është pjesë e ekipit, që po punon për zhbërjen e Kosovës si shtet. Kushdo që ka dyshime për qëllimet e errëta të Ramës kundër Kosovës së pavarur dhe sovrane, thënë figurativisht, vërtet është gomar.