Agustin Mirakaj: Për fatin e PD-së, vendosin demokratët dhe jo të huajt !

345
Sigal

Një shtet i huaj nuk mundet të vendosë fatin e Partisë Demokratike

Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimin dhe opinionin zyrtar të Federatës Vatra.

Bërthama e Partisë Demokratike është e përbërë nga interesaxhinj dhe jo idealistë. 330 humbës mbajnë peng Partinë Demokratike dhe i qëndrojnë pranë humbësit në vazhdimësi për interesa personale. Lideri që unë dhe Ju mbështetëm ka shkatërruar frymën e lirisë. Ka shkundur Partinë Demokratike, partinë që i hapi sytë dhe zemrat shqiptarëve pas një makthi 50 vjeçar komunist.

Lideri i partisë duhet të ketë shtyllë kurrizore e në këtë rast, liderit të PD-së i mungon. Nëse lideri i PD do të kujdesej vërtet për Shqipërinë, ai do të hapte rrugën për dikë me më shumë aftësi, për të sjellë ndryshimin në vend e mos ta mbante partinë peng për vite e vite me radhë. Ai vendos dhe vepron si diktator në partin tonë, pa u menduar 2 herë.

Harron se aleati strategjik për momentin është vetëm sipërfaqësor dhe tmerrësisht shkatërrues. Frika nga gjykimi i të huajve (komunist) nuk i lejon Partisë Demokratike të mendojë për të ardhmen, por vetëm besimi dhe mbështetja juaj mund të ndriçojë rrugën e të cilës Partia Demokratike do të udhëtojë për ta bërë Shqipërinë perëndimore.

Sot Shqipëria nuk do të ishte në hartë nëse nuk do të ishte për punën e palodhur të patriotëve që e kanë dashur kaq shumë Shqipërinë. Ata gjithmonë kanë punuar me të huajt për ta ndërtuar Shqipërinë dhe jo për ta shkatërruar atë.

Tashmë dukshëm Partia Demokratike është bërë vegël e të huajve. Ku me forcë, pa të drejtë, kërkojnë heqjen e simbolit të demokracisë duke shantazhuar vetëm një njeri, kryetarin, njeriun që ne së bashku e besuam se do ishte i pathyeshëm nga cilido entitet i brendshëm apo i jashtëm. Kryetari i Partisë Demokratike duhet të jetë shpresë dhe jo fatkeqësi e një kombi.

Vlerat e Partisë po rrezikohen nga e majta radikale, nga të huajt, të cilët kërcënojnë këdo për të shkatërruar LIRINË. Lirinë tonë që e fituam me shumë përpjekje nga komunistët, vite më parë. Ata duan të heshtin zërin tonë, të shkatërrojnë Zërin e lirisë dhe Demokracisë në Shqipëri.

Komunistët gjithmonë kanë përdorur armën e përçarjes midis nesh. Këtë bën e keqja, këtë do e keqja; që ne shqiptarët të mos jemi asnjëherë të bashkuar. Bëhuni të fortë ndaj së keqes dhe reagoni tani për të ardhmen e vendit tonë, për Shqipërinë e së ardhmes.

Në demokraci askush nuk mund të jetë mbi votën. Uniteti ynë është mjeti i vetëm për të sjellë uraganin e fitores ndaj mafjes së kuqe dhe atyre që mundohen të shkatërrojnë egzistencën e lirisë në Shqipëri.

NEË YORK – USA

26 Shtator 2021