Agim Toro: OSBE-ja ka të drejtë, ja përse nuk u zbatua ligji i pronave nga qeveria

493
Sigal

INTERVISTA/Flet sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro për aktin normativ

Çështja e pronave dhe pronarëve ka qënë një ndër pikat më kritike të raportit të OSBE-ODIHR-it, që u publikua para pak ditësh. Këtij raporti i jep plotësisht të drejtë edhe sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, në një intervistë për “Telegraf”. Sipas zotit Toro, raporti është i drejtë dhe kritikat janë me vend pasi në Shqipëri ka ligje por nuk zbatohen. Kështu ndodhi edhe më ligjin e pronave sipas sekretarit të Përgjithshëm të shoqatës zotit Toro. Ndërkohë që, aktin normativ për lirimin e banesave deri në datën 1 nëntor ai e sheh si një gjë pozitive, por është paksa skeptik për realizimin e tij në kohë.

-Zoti Toro, para pak ditësh ka dalë raporti i OSBE-së, ku ka kritikuar mjaft punën e bërë për kthimin e pronave. Ju si e komentoni këtë raport?

-Konstatimi i OSBE-së është shumë i saktë dhe shumë me vend. Sepse OSBE-ja në vitin 2004 kur u miratua ligji i pronave ishte institucioni ndërkombëtar që monitoroi zbatimin e ligjit. Në fillimet e veta dha një kontribut të madh përsa i përket dixhitalizimit të të dhënave si dhe për aktet ligjore etj. Pra ishte një institucion ndërkombëtar që u ngarkua dhe e ndoqi nga afër të zbatimit të ligjit. Në këtë aspekt vlerësimi që i ka bërë është tepër i saktë, që këtu ka një zvarritje të pajustifikueshme për kthimin e pronave. Kështu që është një nga detyrat që nuk është zbatuar që i ka ngarkuar edhe komisioni europian Shqipërisë.

-A mendoni që këto kritika që janë bërë në raportin e OSBE-së do të ndikojnë pozitivisht në përshpejtimin e zgjidhjes së problemit të pronave?

-Vlerësimet që i kanë bërë ndërkombëtarët janë vlerësime, të cilat ndikojnë në ecurinë e mëtejshme. Sepse në një farë forme ato përkthehen në detyrat që duhet të bëjë qeveria dhe parlamenti për ecurinë e mëtejshme të problemeve që janë ngritur edhe për zbatimin e të drejtave themelore të njeriut. Është shumë e qartë që qeveria shqiptare duhet të angazhohet më shumë me akte me veprime, sepse kemi konstatuar që në Shqipëri ka ligje por zbatimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Edhe ligji i pronave pavarësisht nga mundësia që ai kishte për të zgjidhur problemin praktikisht nuk u zbatua asnjëherë.

-Sa pozitiv e shihni miratimin e aktit normativ për lirimin e banesave deri në datën 1 nëntor?

-Ai është një akt normativ, që ka disa afate dhe disa detyrime dhe të drejta që janë vënë një grupi të caktuar interesi për eliminimin e një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut të pronarëve të ligjshëm të këtyre banesave. Të cilët kanë njëzet vjet që nuk i gëzojnë këto banesa, pra nuk posedojnë pronën dhe si qëllim nuk gëzojnë as frytet e tyre. Kjo ka ndodhur për arsye se janë bërë padrejtësi në kurriz të këtyre pronarëve të ligjshëm për tërë këto vite. Ka më shumë se njëzet vjet që të drejtat tona si pronar po nëpërkëmben dhe nuk është bërë asgjë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Megjithatë miratimi i këtij akti për lirimin e banesave tani është një gjë pozitive, por e theksoj që edhe tani është vonë për të zgjidhur këtë problem.

-Afati i vendosur nga qeveria deri në datën 1 nëntor a është i mjaftueshëm për ta mbyllur këtë proces?

-Ky afat deri në datën 1 nëntor është nja afat që ne na shqetëson dhe na duket shumë i shpejt. Por këtë ne duhet të ja lëmë kohësh, pasi ne nuk e dimë se çfarë masash ka marrë qeveria për të përmbushur këtë detyrim në kohën e paracaktuar. Po gjithsesi ne duhet të shohim se çfarë do të bëhet deri në datë 1 nëntor. Pra në kuptimin e afatit unë do të thoja që do të vijë një ditë që këto shtëpi do të lirohen dhe do tu kthehen pronarëve të tyre. Pikërisht kjo ka munguar deri më sot dhe këto shtëpi kanë njëzet vjet që mbahen të zëna. Sot është vendosur një afat për lirimin e tyre që duket disi i pamundur, por gjithsesi nuk mund të flasim ende. Qeveria mendoj që kërkon ende që të marri votat e pronarëve dhe prandaj po ecën më këtë plan që ka nisur me shtëpitë e pronarëve. Por po ofrohet një zgjidhje dhe nuk e di nëse do të marri zgjidhje.

-Nëse nuk do të mbahet premtimi nga ana e qeverisë për lirimin e banesave deri në afatin e caktuar, a do të merret ndonjë masë nga pronarët. Ju si përfaqësues i shoqatës së pronarë, mund të na jepni ndonjë informacion më shumë?

-Nëse nuk do realizohet ky detyrim që qeveria ka ndaj pronarëve shqiptare, pronarët do të marrin masa konkrete dhe për këtë janë të vendosur. Ashtu si edhe me parë që janë dërguar çështjet për zgjidhje në gjykatën e Strasburgut, ashtu do të vazhdojnë edhe tani. Të tërë pronarët që nuk do të gjejnë zgjidhje do ti drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të marrë zgjidhje për atë që nuk kanë gjetur zgjidhje në Shqipëri. Ato do ti drejtohen kësaj gjykate për të marrë zgjidhje për pronën e tyre, pasi më këtë është bërë dhe një nga shkeljet e të drejtave të njeriut. E përsëris që duhet t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, pasi çështja e tyre nuk merr zgjidhje në Shqipëri. Në çdo gjykatë që të shkojnë edhe në atë Kushtetuese mundësia është shumë e vogël për të gjetur zgjidhje, për të mos thënë fare.