Afera e plehrave! SPAK mbyll hetimet për inceneratorin e Fierit.

103
Sigal

Sistemi TIMS nxjerr zbuluar Ahmetaj, fluturimet përkojnë me datat e hoteleve luksoze të paguar nga Zoto i inceneratorëve në kërkim. VOA: Ish- ministri  është i implikuar, ja si u fshehën provat. Kryemadhi: Pse  nuk preken nga organet e hetimit VKM-të e Agaçit

 

Afera me inceneratorin e Fierit/ SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 19 të tjerë

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, sekretari i përgjithshëm Alqi Bllako dhe 19 persona të tjerë të përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit tashmë janë në bankën e të akuzuarve për 7 vepra penale. SPAK ka arritur të provojë 8 fakte që i ngarkojnë me përgjegjësi penale të dyshuarit. Konkretisht, SPAK ka provuar se ish-ministri Lefter Koka dhe anëtarët e komisionit kanë shkelur ligjin në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës për inceneratorin e Fierit. Po ashtu është shkelur ligji gjatë shpronësimit të pronës ku u ndërtua kjo vepër që me firmën e Lefter kokës dhe Alqi Bllakos u shndërua nga tokë arë në tokë truall duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 14 milionë lekë. SPAK ka provuar se të pandehurit Alqi Bllako, Arben Dervishaj dhe Etleva Kondi, kanë marrë përfitime të parregullta nga i pandehuri Klodian Zoto. Por ndërsa 3 zyrtarët tashmë janë në bankën e të akuzuarve në gjykatën e posatçme, ish-ministri i Financave, Arben Ahmertaj, i cili po ashtu ka përfituar nga Zoto bileta avioni dhe suita hoteli bileta, ai nuk është hetuar nga SPAK dhe nuk është përfshirë në këtë dosje. 146 milionë lekë sipas SPAK janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga shoqëria që përfitoi koncesionin dhe nga ajo që ndërtoi inceneratorin. Nga shoqëritë janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. 14 milionë lekë janë përftuar në mënyrë të tërthortë nga Alqi Bllako pasi babai i tij u punësua fiktivisht si drejtor kantieri. Ndërsa 59 mln lekë ishte dëmi në buxhetin e shtetit nga skema mashtruese mbi tatimin mbi vlerën e shtuar që të akuzuarit kishin ndërtuar.

TIMS-i rrëzon Ahmetajn/ Fluturimet përkojnë me datat e hoteleve të paguara nga Zoto, SPAK mbylli sytë para provave

Pak ditë më parë në një emision televiziv, ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, ngriti dyshime për vërtetësinë e provave të publikuara nga gazetari Adriatik Doçi. Ahmetaj tha se faturat e hoteleve të publikuara ditët e fundit, nuk janë origjinale. “Nuk janë dokumente origjinale. As kam udhëtuar e as kam përdorur kartën e ndokujt. Nuk kam asnjë lidhje me procedurën. Nuk kam udhëtuar kurrë me Zoton dhe as kam përdorur kartën. Një tufë me media i marrin të mirëqena letrat”. Por si qëndron e vërteta e këtij pretendimi të ish zv.kryeministrit të Shqipërisë, i cili është një nga personat që ka dhënë dakordësinë dhe më pas ka firmosur për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. Top Channel ka siguruar ekskluzivisht hyrjet dhe daljet e Arben Ahmetajt, nëpërmjet sistemit TIMS. Duke iu referuar provave, që ka paraqitur gazetari Adriatik Doçi, rezulton se udhëtimet e Ahmetajt janë në të njëjta data dhe destinacione sipas hoteleve që ka rezervuar shtetasi në kërkim Klodian Zoto. Në e-mailet e kompjuterit të Zotos, për të cilën prokurorët e SPAK nuk i panë, sipas kallëzimit të gazetarit Doçi, prova 2 tregon rezervimin e hotelit “Principe di Savoia” në Milano për datat 20 deri në 22 qershor 2014, për Arben Ahmetajn. Nëse i referehohesh sistemit TIMS të siguruar nga Top Channel, ish-ministri ka udhëtuar pikërisht në këto data në Milano, pra ka shkuar në 20 qershor dhe është rikthyer në 22 qershor 2014 në Tiranë.

Vijojmë me provën numër 3, për rezervimin e hotelit Mandarine në Milano, ku vetëm për 1 natë nis çmimi mbi 1500 euro. Data e rezervimit është 9 shtator 2016 për bashkëjetuesen e Ahmetajt, Erjola Hoxha. Nëse shohim sistemin TIMS, ish-ministri ka udhëtuar pikërisht në këtë datë drejt Milanos, në aeroportin e Bergamos në 9 shtator 2016.

Në provën 4 të paraqitur nga gazetari Adriatik Doçi, Zoto ka rezervuar një hotel te “Sans Suice” në Vjenë për datën 21 shkurt 2014. Pikërisht në këtë datë, Ahmetaj udhëton drejt Vjenës, sipas sistemit TIMS.

Në provën 5, të depozituar në kallëzim, flitet për një rezervim hoteli me 5 yje në Bukuresht, në datën 13 qershor 2017 mbërritje. Në sistemin TIMS, Ahmetaj ka dalë në datën 13 qershor 2017 nga pika kufitare e Kapshticës me makinën tip “Range Rover” me targa AA 908 PY, për të udhëtuar më pas nga Maqedonia e Veriut drejt Rumanisë. Datë kthimi nuk ka për ish-ministrin e Financave, pasi në ditën e kthimit ai është aksidentuar në pikën kufitare Tabanoc – Kumanovë, pikërisht me makinën, që kishte udhëtuar drejt Bukureshtit. Fotot e qarkulluara në internet, tregojnë targën e makinës, që Ahmetaj ka përdorur në këtë udhëtim.

Të gjitha udhëtimet e Arben Ahmetajt janë lehtësisht të verifikueshme, mjafton që dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi të verifikonin sistemin TIMS dhe të dërgonin një letër-porosi te hotelet ku ka paguar Zoto dhe ka qëndruar Ahmetaj me bashkëjetuesen e tij. Por mesa duket, dy prokurorët e SPAK që akuzohen për devijim hetimesh dhe shpërdorim detyre, nuk i kanë parë këto e-maile, që fundosin ish zv.kryeministrin Ahmetaj.

Kryemadhi reagon për dosjen e SPAK: Po Agaçi dhe Rama ku janë?

Deputetja Monika Kryemadhi reagoi pas lajmit se SPAK ka dërguar në gjykatë dosjen për inceneratorin e Fierit. Sërish në këtë dosje bie në sy se në gjykatë nuk kanë përfunduar ‘peshqit e mëdhenj’. “SPAK apo “pak”?? U njohëm sot me vendimin e S(PAK) për dërgimin e aferës së inceneratorit të Fierit në gjyq. U njohëm edhe me subjektet dhe me veprat penale konkrete që akuzohen. Habi e madhe të akuzosh propozuesit e një VKM-je për një shpronësim të paligjshëm dhe të mos akuzosh miratuesit e po kësaj VKM-je. Po Subashi, po Agaçi, po Rama, ku janë? Si i bie tashmë? SPAK apo “pak” fare?!” shkruan Kryemadhi.