Abaz Hoxha: Ne presim nga miqtë tanë të mëdhenj, SHBA, ndihmë konkrete dhe jo qëndrime të njëanëshme

282
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Letër e hapur drejtuar Ambasadores së SHBA, Yuri Kim

Në vëmendje të Ambasadores të SHBA

Zonja Ambasadore, Yuri Kim.

Unë që po ju shkruaj nuk jam as politikan dhe as militant ose anëtar i ndonjë partie. Unë jam thjesht një qytetar dhe historian arti që kërkon që çdo veprim të mbështetet në drejtësi dhe ligje. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem kundër çdo veprimi të kundërligjshëm dhe predikimeve që na bëhen nga ndërkombëtarët për mosndërhyrjen në organet gjyqësore. Por, fatkeqësisht po shoh se porositë që na jepen ne dhe partive politike për të mos u ndërhyrë organeve gjyqësore, bien në kundërshtim me veprimet tuaja. Ne kemi respekt të madh dhe mirënjohje absolute për përkrahjen që SHBA, i ka bërë vendit tonë, e konsiderojmë si simbolin e demokracisë. Por nuk mund të pajtohemi me disa veprime të gabuara të disa ambasadorëve jo vetëm me ndërhyrjet në punët e brendshme, por e pozicionimit të tyre në mbrojtje të hapur të një pale, kundër forcave opozitare, që përfaqësojnë gati gjysmën e popullit shqiptar. Nuk besoj të mos e kuptoni se këto qëndrime krijojnë tensione politike, përçarje dhe sfumojnë veprimtarinë e opozitës për t’ju kundërvënë fenomeneve negative të qarqeve qeveritare. Këto veprime e qëndrime tuaja të përsëritura, mund të shpien edhe në konflikte shoqërore. Dhe një acarim i situatës nuk i shërben as vendit, dhe as SHBA.

“Ju shpallët “non-grata” kryebashkiakun e Durrësit, Edi Rama doli hapur në përkrahje të tij duke u shprehur se, ai ishte miku i tij dhe nuk donte t’ia dinte çfarë thotë DASH. Asnjë reagim.”

Ne presim nga ju, të denonconi fenomenet negative, korrupsionin galopant, trafikantët dhe në veçanti të mos rikthimit të vendit tonë në një diktaturë të cilën populli shqiptar, edhe me ndihmën tuaj, e përmbysi. Nuk ju takon ju të dilni në mitingje për t’u bërë thirrje deputetëve të opozitës të ngrihen kundër udhëheqjes së tyre, siç bëri paraardhësi juaj, Donald Lu. Nuk mund t’i mirëkuptojmë thirrjet që u bëni vazhdimisht politikanëve të mos ndërhyjnë në punët e gjykatave dhe në të kundërtën, të ndërhyni tek gjykatat dhe Prokurinë e Përgjithshme, për të ndërprerë një proces gjyqësor, që ishte hapur për çështjen e naftës në Fier, siç bëri po ambasadori Donald Lu. Ju keni bërë vazhdimisht thirrje që të mos lejojmë të vijnë në pushtet ish- funksionarë të lartë të regjimit të kaluar, por në të kundërtën, jo vetëm që heshtni, por e ftoni në Washington ish-Ministrin e Brendshëm të regjimit të kaluar Gramoz Ruçin, i cili gjatë gjithë periudhës së tranzicionit vazhdon të jetë në krye të Partisë në Pushtet, e siç është shkruar në shtyp, edhe në Ambasadën tuaj veprojnë disa ish-punonjës të sigurimit të shtetit. Ju personalisht keni bërë thirrje të vazhdueshme, që të bëjme zgjedhje të lira dhe të ndershme që çdo votë të evidentohet dhe shkelësit të marrin dënimin më të rëndë. Ju keni bërë thirrje që Tom Doshi të mos përfshihet në parlament dhe qeverisjen e vendit. Ai u zgjodh me manipulime dhe besoj se e kuptoni se ai u tërhoq si deputet, por figuron kryetar i një Partie që ka deklaruar se do të jetë me partinë Socialiste, se edhe tre deputetët e zgjedhur të tij, janë ish-funksionarë të Partisë Socialiste. Zgjedhjet e 25 Prillit u bënë dhe siç po vërtetohet, se ka një numër të madh kontestimesh për vjedhje, përdorimi i gjithë administratës shtetërore në fushatë për Partinë në pushtet, mos lejimin e emigrantëve të votojnë duke vënë pengesa artificiale, manipulime skandaloze paszgjedhore, ndërhyrje në fletët e votimit, etj., siç u vërtetuan katërcipërisht me disa sondazhe në Berat e Gjirokastër. Ju nxituat t’i shpallni ato të ligjshme dhe deklaruat zyrtarisht, se ato i fitoi partia në pushtet, biles edhe sipas njoftimeve, që i dhatë ju administratës në Washington, ata edhe uruan Edi Ramën, si kryeministër dhe i bëtë thirrje opozitës të marrë pjesë në parlament dhe t’i njohë zgjedhjet. Ky veprim, bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe ligjet tona, por edhe ato ndërkombëtare, se zgjedhjet konsiderohen të përfunduara vetëm mbasi të jenë hetuar të gjitha ankimimet dhe rezultati përfundimtar jepet vetëm atëherë. Ju edhe sot bëni thirrje të hetohen manipulimet dhe blerja e votave, por çfarë kuptimi kanë këto thirrje kur ju, i keni shpallur ato të përfunduara?  A nuk mendoni se kjo është një thirrje e organeve gjyqësore të mos i hetojnë ato, se ju i keni shpallur të fituara? Nuk është ky veprim i juaji një ndërhyrje direkte në organet gjyqësore dhe KAS, që të mos miratojnë ankesat siç po bëjnë praktikisht që refuzojnë krejtësisht ankesat e opozitës ? A nuk e kuptoni se ky veprim i juaji, i thotë opozitës mbyllni gojën dhe shkoni në parlament, se ato i kemi vendosur ne. A nuk është kjo një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme dhe në përkrahje të njërës palë, a nuk mendoni se kjo mund të çojë në konflikte sociale dhe në një destabilizim të vendit?

Unë kam qenë dhe jam vazhdimisht në përkrahje të çdo opozite sepse mendoj, që rotacioni është i domosdoshëm, por kur ajo opozitë merr pushtetin dhe ka mashtruar dhe gënjen, por nuk përmban premtimet që ka dhënë, atëhere unë përsëri jam opozitari parë kundër saj.

“Ne presim nga ju të denonconi fenomenet negative, korrupsionin galopant, trafikantët dhe në veçanti të mos rikthimit të vendit tonë në një diktaturë të cilën populli shqiptar, edhe me ndihmën tuaj, e përmbysi. Nuk ju takon ju të dilni në mitingje për t’u bërë thirrje deputetëve të opozitës të ngrihen kundër udhëheqjes së tyre”

Psikologjia ime nuk i honeps mashtruesit e demagogët që sa marrin pushtetin e vënë atë në shërbim të tyre dhe privilegjeve dhe përfitimeve personale. Unë kam denoncuar  jo një herë, edhe veprimet e gabuara të Berishës dhe Partisë Demokratike dhe këto i kam bërë hapur në shkrimet dhe librat e mi, por nuk jam nihilist edhe për anët pozitive të tyre në shumë fusha. Por, më duket si shumë i diskutueshëm  veprimi juaj që Berisha shpallet “non-grata”, pikërisht në këtë situate, që zgjedhjet ende nuk kanë mbaruar, kur ai ka 8 vjet, që nuk është në pushtet dhe ende në mes të zgjedhjeve. A nuk kishit kohë ta bënit këtë më parë, a nuk është ky një ndikim direkt politik që ta detyroni opozitën të heshtë, të shkojë në parlament bile, edhe të futet në bashkëqeverisje ?  A nuk mendoni ju, se bashkëqeverisja është një vetëvrasje dhe kthimi në sistemin monist të dikurshëm, a nuk mendoni se bashkëqeverisja eliminon opozitarizmin dhe nuk mund të ketë ecje përpara mbasi dihet se zhvillimi është luftë e të kundërtave. Këto veprime tuajat zonja ambasadore, me qëllim ose pa qëllim, shpien në destabilizim të vendit dhe në konflikte të rënda sociale dhe ne presim nga ju drejtësi, paanësi dhe jo veprime të tilla që shpien në destabilizim.

U bë një marrëveshje midis palëve në zyrën tuaj, u miratua nga të gjitha palët por, nuk kaloi shumë kohë dhe ajo marrëveshje u shkel hapur. Ju e denoncuat me gjysëm zëri por e quajtët të ligjshëm ndryshimet që ju bë asaj në një parlament të paligjshëm. Ju shpallët “non-grata” kryebashkiakun e Durrësit, Edi Rama doli hapur në përkrahje të tij duke u shprehur se, ai ishte miku i tij dhe nuk donte t’ia dinte çfarë thotë DASH. Asnjë reagim.

Në një intervistë me kryeministrin E.R në emisionin “Opinion” nga B.Fevziu ishin renditur në ekran 17 premtime që kishte bërë ai në prag të zgjedhjeve të kaluara dhe rezultoi që asnjëra prej tyre nuk ishte mbajtur. Pas zgjedhjeve shtypi prestigjioz ndërkombëtar denoncoi vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe kjo u vendos edhe si një nga kushtet për të hapur negociatat. Kjo ende nuk është hetuar biles një nga ata, që i manipuloi u emërua edhe si kryetar i reformës zgjedhore, ju edhe për këtë heshtët. Si mund të qeverisë një qeveri që vjedh zgjedhjet dhe nuk përmbush asnjë premtim?

Zonja Ambasadore, ne presim nga miqtë tanë të mëdhenj SHBA ndihmë konkrete dhe jo qëndrime të njëanëshme, përkrahje të hapur të njërës palë dhe veprimeve të kundërligjshme që bien ndesh edhe me Demokracinë e madhe Amerikane, pasi këto qëndrime shkaktojnë destabilizim dhe konflikte sociale, se jemi lodhur tepër me konfliktet që po na pengojnë të ecim përpara dhe të mbetemi shteti më i varfër në Evropë e Botë, ndonëse kemi pasurira të mëdha ekonomike dhe intelektuale.