Prof. Dr. Bajram Hysa/ Prioritete kombëtarë të Arsimit të Lartë: Diploma me vlerë profesionale sipas ofertës së tregut të punës

233

Nga Prof. Dr. Bajram Hysa

Ministria e Arsimit ka rishikuar së fundmi kushtet për licencimin e universiteteve. Udhëzimi i ditëve të fundit përmban kritere më të forta për licencimin e subjekteve të huaja për të operuar në sektorin e arsimit të lartë në vend. Udhëzimi kërkon që subjektet që licencohen në arsimin e lartë duhet patjetër që të hapin degë që lidhen me tregun e punës. Ministria e Arsimit kërkon që të interesuarit duhet të identifikojnë se si programi i propozuar përshtatet me politikat kombëtare të punësimit.

***

Prej tri dekadash arsimi dhe tregu i punës zhvillohen pa lidhje me njëra- tjetrën. Sistemi arsimor në vend nuk po lidhet me prioritetet kombëtare për të ecur me hapin e kohës. Paradoksi është se sistemi arsimor në vend po riorientohet në nevojat që ofron tregu u jashtëm i punës se sa vendi. Mund të kesh përfunduar shkollën e lartë, por nuk arrin dot të mbrosh diplomën e dhënë nga universiteti. Ky fenomen po ndodh sot me të diplomuarit e universiteteve,  por në mënyrë të veçantë me të rinjtë që dalin nga shkollat e larta private. Shqipëria ka nevojë për qytetarë të formuar dhe edukuar mirë, si edhe për një forcë pune më të aftë, me qëllim që të ndërtojë një shoqëri të së ardhmes. Kjo mënyrë e re konceptimi dhe funksionimi të arsimit të lartë  hap sërish dialogun mbi atë se nga duhet të drejtohet arsimi? Duhet thënë se forumet e hapura të debateve dhe diskutimeve janë mëse të domosdoshme, pasi  arsimi i lartë, jo vetëm që është factor thelbësor për zhvillimin, por është edhe një politikë thelbësore sociale, që duhet të shoqërohet me politika adekuate, të cilat kanë të bëjnë me tregun e lirë të ekonomisë dhe me tregun e punës. Lidhjet e universitetit me tregun e punës, me ndërmarrjet dhe shërbimet shoqërore, duhet të jenë të drejtpërdrejta.

***

Nuk duhet lejuar kurrsesi që arsimi i lartë të bëhet rutinor dhe pasiv.  Duhet frenuar ulja e vlerës së diplomave dhe diskreditimi i studimeve të kryera. Kjo do të hidhte baltë mbi emrin e mirë të universiteteve. Ky do të ishte shpërdorimi më tragjik i potencialit njerëzor. Nuk duhet injoruar përgjegjësia respektive e studentëve ndaj shoqërisë, kontrata që ata kanë me shoqërinë, pasi shoqëria, duke investuar në fushën e arsimit, presupozohet se kryen kështu investimin më aftagjatë dhe më fitimprurës. Prandaj studentët duhet të marrin përsipër detyrimet, përkundrejt përfitimeve materiale dhe intelektuale që kanë përfitur. Papunësia e të diplomuarve është krejtësisht fatale për të ardhmen tonë. Këtu duhet përmendur edhe fenomeni i rritjes së  numrit të të diplomuarve në disa degë të veçanta, ku shanset për punësim janë të pakta. Ndërkohë në sektorë jetikë të vendit ka mungesa të ndjeshme specialistësh. Deficitet në arsim, gjatë viteve të zgjatura të tranzicionit të shumëfishtë, kanë thelluar pabarazitë shoqërore e kulturore, dhe bashkë me to edhe problemet sociale, kryesisht papunësinë.

Kjo situatë nuk mund të tolerohet më gjatë.  Zhvillimi i shoqërisë dhe promovimi i standardeve të demokracisë nëpërmjet edukimit të studentëve për një jetë qytetare aktive, zhvillimi ekonomik i vendit në përgjithësi dhe atij rajonal në veçanti, nëpërmjet formimit të një force pune të kualifikuar, përmbushja e aspiratave të brezit të ri për zhvillim , konsolidimi i një baze të gjerë e të përshtatshme dijesh në shërbim të vendit, mbeten domosdoshmëri që i dikton procesi ku ka hyrë Shqipëria, integrimi evropian i vendit.

***

Arsimimi dhe kualifikimi shkencor duhet të konsiderohen si kushte paraprake, në mënyrë që tregu të funksionojë.  Shkollimi i lartë universitar duhet të sigurojë diploma profesionale, si dhe tituj të tjerë kualifikimi, me orientim të fortë nga tregu. Ato mund t’i japin një nxitje të rëndësishme zhvillimit të biznesit  dhe industrive të reja. Një nga preokupimet e përhershme për çdo qeveri duhet të jetë gjetja e mënyrave për të siguruar arsim sa më cilësor për sa më shumë studentë. Nëse të rriturit dhe të rinjtë që hyjnë në tregun e punës nuk kanë aftësi , një gjë e tillë është pengesë e patejkalueshme për zhvillimin e ekonomisë. Një ndër dobësitë kryesore që ka karakterizuar universitet tona deri tani ka qenë qëndrimi larg biznesit. Kjo dukuri nuk mundëson krijimin e baraspeshës në mes të ofertës së programeve mësimore nga universiteti  dhe kërkesës së tregut.  Dobësi tjetër është edhe fakti se universitetet tona nuk kanë arritur që, në masë të duhur dhe në mënyrë institucionale, të përfshijnë palët me interes nga ekonomia dhe shoqëria në hartimin e kurrikulave për studimet pasuniversitare (master dhe doktoraturë). Edhe pse ekzistojnë iniciativa në disa prej njësive akademike  për zhvillimin e programeve në konsultim të ngushtë me palët e interesit, një praktikë e tillë ende nuk është e formalizuar, gjë që ndikon në masë domethënëse që dija që ofrohet në studime të mos jetë në përputhshmëri me kërkesat dhe nevojat e ekonomisë dhe shoqërisë. Universiteti duhet të jetë  në proces të zhvillimit të kurrikulave që ofrojnë ndërlidhje më të mirë me tregun e punës, konform përvojave të universiteteve më të mira evropiane.

***

Në kuadrin e aspiratave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, sfida kryesore, përsa i takon sektorit të arsimit, është zhvillimi i një sistemi dhe i institucioneve, që përgatisin kuadro rezultativë në tregjet e punës, për t’u bërë qytetarë aktivë dhe për të kontribuar në konkurueshmërinë e Shqipërisë. Rëndësia e investimit në kapitalin njerëzor është edhe më e theksuar në një vend si Shqipëria, ku burimet janë të pakta.  Reformimi i sistemit të arsimit të lartë duhet të jetë në përputhje me objektivin afatgjatë të integrimit të vendit në BE dhe me nevojat e ardhshme të tregut të punës dhe dëshirat e studentëve për të hyrë në sistemin e arsimit të lartë.  Si një ekonomi në tranzicion, kushtet e tregut të punës në vend janë larg të qenit të stabilizuara dhe për pasojë duhet që zgjerimi i sistemit të jetë gradual dhe jo i menjëhershëm. Një numër i madh të diplomuarish do të punësohen në të ardhmen në veprimtari të sektorit privat që sot mund të mos ekzistojnë – dhe ata duhet të jenë të përgatitur për t’u riorientuar profesionalisht dhe ripunësuar disa herë gjatë jetës së tyre. Përvoja e vendeve të tjera sugjeron  konsiderata të rëndësishme lidhur me trajtimin e nevojave perspektive të tregut të punës. Kryesorja është që të diplomuarit duhet të jenë të përgatitur me shprehi të përgjithshme dhe të transferueshme, si ato të analizës, të të menduarit, arsyetimit, paraqitjes dhe komunikimit. Tregu i punës në Shqipëri ndoshta ende nuk e koncepton plotësisht nevojën e një përgatitjeje të tillë, prandaj mund të kërkohen veprime aktive nga ana e qeverisë për të inkurajuar punëdhënësit që të njohin dhe t’u përgjigjen sfidave të së ardhmes.