80 % e Shqiptarëve: Parlamenti vuan nga korrupsioni

383
Sigal

Anketimi i Institutit të Studimeve Politike

Qytetarët të zhgënjyer nga Kuvendi. 94% e qytetarët: Jo “të fortëve” në parlament. 82% e qytetarëve besojnë se deputetët janë nën nivelin mesatar kulturor të shoqërisë. 86% mendojnë se deputetë nuk mbrojnë interesat e qytetarëve. 75% e qytetarëve mendojnë se deputetët biznesmenë fokusohen në interesat e tyre ekonomike. 58% e qytetarëve mendojnë se parlamenti nuk i përmbush përgjegjësitë kushtetuese

 

Instituti i Studimeve Politike Anketim 2020: Perceptimi qytetar mbi deputetët dhe parlamentin

Instituti i Studimeve Politike (ISP), në kuadër të projektit për monitorimin e parlamentit 2017-2020, zhvilloi një anketim online me qytetarët. Përgjigjet e anketimit janë anonime, dhe rezultatet e paraqitura janë përmbledhje e të gjitha opinioneve të dhëna nga qytetarët.

Qëllimi

Qëllimi kryesor ishte marrja e perceptimeve qytetare mbi deputetët, parlamentin, aktivitetin përfaqësues, debatin zgjedhor, sugjerimet për përmirësim e pritshmëritë në të ardhmen. Qëllimi nuk ishte afatshkurtër (njohja e perceptimit qytetar mbi parlamentin dhe deputetët në momentin aktual), por edhe retrospektiv (vlerësimi i legjislaturave parlamentare të tranzicionit), si dhe i fokusuar tek e ardhmja (pritshmëritë ndaj deputetëve, ndaj sistemit zgjedhor dhe legjislaturës së ardhshme parlamentare). Për shkak se në tërësi anketimet dhe sondazhet e zhvilluara në Shqipëri nuk përfshijnë elementët e jetës parlamentare, kjo përpjekje e stafit të ISP-së mbetet burim informimi dhe referimi, si dhe një shtysë për vijimin e anketimeve periodike në vitet e ardhshme.

Qytetarët: Zhgënjim ndaj parlamentit

Qytetarët shprehin zhgënjim të madh qytetar ndaj politikës dhe parlamentit (jo vetëm atij aktual), si dhe kanë kuota minimale të besimit për një ndryshim cilësor të gjendjes në të ardhmen e afërt. Mbi 86% e qytetarëve ndjehen të papërfaqësuar në parlamentin aktual dhe mbi 93% e qytetarëve kërkojnë ndryshim dhe prurje të reja në parlament në vitin 2021.

59%: Parlamenti nuk është përfaqësues

Lidhur me rolin e parlamentit në sistemin politik, shumica qytetare beson se ai nuk është përfaqësues (59%), dy të tretat mendojnë se parlamenti aktual nuk e kontrollon pushtetin ekzekutiv, mbi 60% mendojnë se parlamenti aktual vepron si institucion formal, si dhe mbi 58% e qytetarëve mendojnë se parlamenti nuk i përmbush përgjegjësitë kushtetuese.

94%  e qytetarët: Jo “të fortëve” në parlament

Qytetarët demonstrojnë vullnet të qartë kundër karrierës politike të “të fortëve” dhe prurjeve imponuese nga biznesi. Mbi 94% e qytetarëve kërkojnë ligj për ndalimin e zgjedhjes të “të fortëve” në parlament dhe mbi 75% e qytetarëve mendojnë se deputetët biznesmenë fokusohen në interesat e tyre ekonomike.

80 % e qytetarëve: Parlamenti vuan nga korrupsioni dhe konflikti i interesit

Shumica absolute e qytetarëve janë kritikë me legjislaturën aktuale parlamentare. Mbi 80% e tyre deklarojnë se parlamenti vuan nga korrupsioni dhe konflikti i interesit, mbi 82% e qytetarëve besojnë se deputetët janë nën nivelin mesatar kulturor të shoqërisë, mbi 86% mendojnë se deputetë nuk mbrojnë interesat e qytetarëve, dhe si rrjedhojë, mbi 75% e qytetarëve janë kundër rizgjedhjes së deputetëve aktualë në zgjedhjet 2021. Lidhur me dorëzimin e mandateve nga opozita (2019), në çdo 3 qytetarë, 2 besojnë se opozita gaboi që dorëzoi mandatet parlamentare, por ndërkohë 73% e qytetarëve besojnë se opozita e re parlamentare nuk vepron si opozitë e vërtetë.

71% e qytetarëve: Numri i deputetëve të jetë 100

Lidhur me reformën në përfaqësimin politik,  71,3% e qytetarëve mbështesin idenë e uljes së numrit të deputetëve nga 140 në 100, mbi 64% e qytetarëve mbështesin idenë e krijimit të Senatit si dhomë e dytë e parlamentit, si dhe vetëm një e treta e qytetarëve mbështet lejimin e partive fetare, etnike dhe lokale.

94%  e qytetarëve: Jo ndalimit të koalicioneve parazgjedhore

Lidhur me reformën zgjedhore, 83% mbështesin idenë e një sistemi zgjedhor me lista të hapura ose mazhoritar, 65% e qytetarëve kërkojnë që diaspora të ketë vende të rezervuara në Kuvend, 73% e qytetarëve mbështesin idenë e më shumë deputetëve të pavarur, 71% e qytetarëve duan të ketë më shumë se 2-3 parti në parlamentin e ri, si dhe 6% më shumë janë pro ndalimit të koalicioneve parazgjedhore sesa pjesa kundër.

70% e qytetarëve: Deputetët nuk janë transparentë dhe llogaridhënës

Media vijon të jetë burimi kryesor i informimit të qytetarëve mbi parlamentin (67%), ndërkohë që 59% e qytetarëve nuk janë në gjendje të identifikojnë një deputet në zonën ku banojnë, dy të tretat e qytetarëve mendojnë se deputetët nuk janë transparentë dhe llogaridhënës dhe 64% mendojnë se perceptimi kritik publik ndaj deputetëve nuk është paragjykues dhe apriori, por realist.

98%  e qytetarëve: Duam deputetë të ndershëm dhe të pakorruptuar

Lidhur me cilësitë e deputetëve, 98%e qytetarëve duan që deputetët të jenë të ndershëm dhe të pa korruptuar, si dhe të kenë sjellje etike e qytetare; 96% e qytetarëve duan që deputetët të fokusohen në procesin ligjvënës dhe iniciues të ligjeve në parlament; 95% duan që deputetët të mbajnë lidhje direkt me zgjedhësit, 94% duan që deputetët të mos bëjnë premtime që nuk i mbajnë dot, 71% duan që deputetët të mos u binden urdhrave politikë të partisë, etj. Ndonëse deputetët nuk kanë kompetencë për punësime, por de facto merren me to, edhe për qytetarët 81% duan që deputetët të ndihmojnë në punësimin e qytetarëve.

somario

80% e tyre deklarojnë se parlamenti vuan nga korrupsioni dhe konflikti i interesit

82% e qytetarëve besojnë se deputetët janë nën nivelin mesatar kulturor të shoqërisë

86% mendojnë se deputetë nuk mbrojnë interesat e qytetarëve

75% e qytetarëve janë kundër rizgjedhjes së deputetëve aktualë në zgjedhjet 2021

94% e qytetarët: Jo “të fortëve” në parlament

58% e qytetarëve mendojnë se parlamenti nuk i përmbush përgjegjësitë kushtetuese

59%, dy të tretat mendojnë se parlamenti aktual nuk e kontrollon pushtetin ekzekutiv

60% mendojnë se parlamenti aktual vepron si institucion formal

75% e qytetarëve mendojnë se deputetët biznesmenë fokusohen në interesat e tyre ekonomike