7 ministrat e parë që dorëzojnë mandatin e deputetit

438
Sigal

Ministri për Çështjet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, nëpërmjet rrjetit social njofton se 7 ministra kanë bërë dje dorëheqjen nga mandati i deputetit.  Kjo bëhet në  zbatim të premtimit elektoral të Edi Ramës, i cili më vonë, me krijimin e qeverisë së tij, ka nënshkruar marrëveshje me gjithë ministrat që janë edhe deputetë, se duhet të lënë mandatin e deputetit, për të pranuar të jenë ministra. Celibashi shkruan se: “Sot së bashku me kolegët ministra Eglantina Gjermeni, Milena Harito, Klajda Gjosha, Erion Veliaj Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço dorëzojmë mandatin e Deputetit. Përmbushim një zotim politik për shmangien e funksioneve të dyfishta dhe përqendrohemi në rolet tona ekzekutive. I siguroj qytetarët dhe votuesit e Fierit se angazhimi im për ta është një proces afatgjatë në të cilin jam plotësisht i përfshirë në drejtim të mbajtjes së premtimeve elektorale dhe përmirësimit të jetesës së tyre.”

Mandatin e deputetit pas Celibashit pritet ta marrë Anduel Xhindi, të Erjon Veliaj do ta marrë Vladimir Kosta, të Haritos pritet ta marrë Enkelejda Shkreli Shamku, të Gjermenit pritet ta marrë Adelina Rista, të ministrit Haxhinasto mund ta marrë Miranda Rira, të Klajda Gjoshës Kejdi Mehmetaj dhe të Nasip Naços pritet ta marrë Selfo Kapllani.