Europa lë jashtë pasardhësit e Skënderbeut

505
Sigal

Pas copëtimit barbar të vendit tonë në konferencën e Londrës më 1913-n, dje u vendos refuzimi dhe shtyrja e Shqipërisë për në BE

 Njëqind e një vjet më parë dhe pikërisht në 17 dhjetor të vitit 1912 ambasadorët e 6 Fuqive të Mëdha të akredituar në Britaninë e Madhe u takuan në Londër nën kryesinë e ministrit të Jashtëm anglez, Eduard Grey, për të mbikëqyrur procesin e paqes në Ballkan dhe për të mbrojtur interesat e Fuqive të Mëdha në rajon. Ndërsa 101 vjet më vonë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian rrëzuan kërkesën e Shqipërisë për statusin e BE-së, duke krijuar kështu një koincidencë të çuditshme midis dy fataliteteve të 17 dhjetorit. Konferenca e Londrës më 17 dhjetor të vitit 1912 u realizua me cilësinë e “Mbledhjes së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha nënshkruese të Traktatit të Berlinit”. Në këtë mbledhje morën pjesë: ambasadori i Rusisë, Gjermanisë, Austrisë, Italisë, Francës dhe Britanisë. Takimi vazhdoi gjatë çdo dite me ndonjë përjashtim të vogël për shkak të luftës ballkanike. Në këtë konferencë që vazhdoi për rreth 8 muaj, Shqipëria u copëtua barbarisht, duke i rrëmbyer në mënyrë të padrejtë afro gjysmën e territoreve të veta, të cilat i përvetësoi Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Pesë Fuqitë e Mëdha të Evropës u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre në Londër, ndërsa Anglia dërgoi aty ministrin e vet të jashtëm, Eduard Grej. Austro-Hungaria u përfaqësua nga ambasadori Mensdorff, Gjermania u përfaqësua nga ambasadori Lichnoësky; Italia u përfaqësua nga ambasadori Imperiali, Franca nga ambasadori Cambon, Rusia u përfaqësua nga diplomati Benckendorff, ndërsa Britania u përfaqësua nga ministri i Jashtëm i saj Eduard Grej. Për disa aspekte të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Sir Eduard Grej shkruan edhe në librin e tij “Memoires”, botuar në Londër, më 1925-n. Në Konferencën e Londrës nuk morën pjesë shtetet e interesuara drejtpërsëdrejti: as Shqipëria, as aleatët ballkanikë. Aleatët ballkanikë (Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi) kishin të drejtë t’i formulonin zyrtarisht kërkesat e tyre në një konferencë tjetër që u mbajt në të njëjtën kohë në Londër, pra në Konferencën e Paqes ndërmjet shteteve ballkanike fitimtare dhe Turqisë së mundur. Vetëm zëri i Shqipërisë mbetej pa u dëgjuar, për arsye se formula e pavarësisë vazhdonte të mos përfillej dhe Qeveria e Vlorës mund të vepronte pak a shumë nga jashtë, pa e obliguar fare Konferencën dhe Fuqitë pjesëmarrëse. Punimet vazhduan të tensionuara dhe të gjashtë fuqitë e mëdha mbrojtën interesat e veta duke e lënë në baltë Shqipërinë. Dhe duke i përdorur trojet e saj si kompensim për pushtuesit ballkanikë, të cilët mbroheshin nga Franca dhe Rusia. Ndërsa Shqipëria mbrohej formalisht nga Austro -Hungaria, Italia dhe Gjermania, të cilët në fakt kishin interesat e tyre këtu. Kështu në fund të konferencës, më 29 korrik 1913 u mor vendimi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Ndërsa kufijtë, pas shumë diskutimesh u caktuan por duke lënë jashtë tyre Kosovën, Shkupin, Gjakovën, Ulqinin, Dibrën e Madhe, Janinën, Çamërinë, etj., por duke lënë brenda kufijve territore që sot janë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë si p.sh. Shën Naumi

Pasojat

Kështu shqiptarët e trojeve që u lanë jashtë kufijve, në Mal të Zi, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Greqi, morën rrugën e u dyndën si refugjatë brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Londrës. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile dhe u krye spastrim etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare. Copëtimi i trojeve shqiptare la jashtë kufijve më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët historikisht, dhe më shumë gjysmën e popullsisë shqiptare të asaj kohe. Në Kosovë, trupat serbe ushtruan terror dhe u munduan ta ndërrojnë përbërjen e popullsisë me anë të shpërnguljeve me dhunë. Gjuha shqipe u ndalua, dhe dhjetëra mijëra serbe kolonë u vendosën në tokat e shqiptarëve të vrarë ose të përzënë. Më shumë se 150 000 shqiptarë u detyruan të lenë Kosovën në vitet 1912-1920. Shumica e tyre u vendosën në Shqipëri, në zonat e Fierit, Lushnjës, Durrësit, e Kukësit. Po ashtu, popullsia çame u spastrua në përmasa të mëdha, duke lënë në Çamëri vetëm një pjesë të popullsisë çame të besimit ortodoks, që sot numëron 30-70 mijë banorë në Çamëri.

Tre komisionet

Punimet e konferencës që u mbyllën më 29 korrik 1913, caktuan dy komisione ndërkombëtare për kufijtë veriorë dhe jugorë të Shqipërisë, si edhe një komision ndërkombëtar për qeverisjen e vendit tonë. “Dihet se me këto kufij të caktuar prej Konferencës së Ambasadorëve në Londër, gjysma e trojeve mbeti jashtë e shtetit shqiptar. Kjo ka qenë padrejtësi e madhe, që ua dha gjysmën e kombit të huajve”, vëren profesori Arben Puto. Këtë e ka pranuar edhe Kryetari i Konferencës së Ambasadorëve, Eduard Grey i cili në fjalimin e fundit tha: “Në maj 1913, ai bëri një deklaratë në Dhomën e Komuneve dhe tha: Po të gjykohet çështja nga një pikëpamje e thjeshtë lokale, do të ketë vërejtje shumë serioze, çfarë u bë aty. Po të shikohet nga rasti i veçantë ka padrejtësi dhe do të ketë shumë vërejtje, por ky vendim qe i detyrueshëm për të ruajtur harmoninë mes Fuqive të Mëdha, për të ruajtur paqen në Europë”, kujton Puto. Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek, ndërsa një tjetër komision u ngrit për kufirin shqiptaro-serb. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimet që morën konferencat qenë mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Këto vendime të padrejta i dhuruan Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Ndërsa në Veri, u bë një masakër e madhe me Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike

 ——————————————

Shtyhet statusi për Shqipërinë, 5 vende propozojnë qershorin

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë të ndarë dje, në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht, se të gjithë njohin përparimin e bërë. Ndërsa shumica e tyre ishin në favor, burime diplomatike i thanë Zërit të Amerikës, se pesë shtete anëtare Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e pasdites së djeshme një ndryshim në tekstin e projekt përfundimeve, ku kërkojnë që Statusi të jepet qershorin e ardhshëm. “Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”, lexohet në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare, ku janë dhe ato me peshën me të madhe në Bashkimin Europian. Ajo që bie në sy në këtë propozim është se kërkohet edhe që Komisioni europian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë, pavarësisht se ai ka deklaruar se vendi i ka përmbushur detyrimet e tij ndaj Brukselit për çështjen e Statusit.
“Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”, përfundon teksti i propozuar, i cili parashikohet të shoqërohet me debate gjatë mbledhjes së pasdites së sotme dhe komplikon dukshëm situatën.
Javën e shkuar tetë vende anëtare, përmes një letre drejtuar presidencës lituaneze të BE-së dhe Përfaqësues së lartë për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shprehën në favor të Statusit për Shqipërinë duke vlerësuar se ajo i kishte përmbushur detyrimet e saj. Vendimi përfundimtar duhet të merret nga Këshilli Europian, i përbërë nga kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare, por që pritet të pasqyrojë të njëjtat qëndrime të ministrave të Jashtëm.

Pas shtyrjes së statusit për në muajin qershor, ka reaguar menjëherë kryesia e Partisë Aleanca Kuqezi, e cila ka fajësuar politikën shqiptare për moszbatimin e detyrave të përcaktuara nga BE. Për këtë arsye në njoftimin e kësaj partie mësohet se: “Ditën e sotme në orën 11:00, Aleanca Kuq e Zi do të zhvillojë protestën e radhës përpara Ministrisë së Integrimit, në shenjë proteste kundër refuzimit të qeverisë shqiptare nga BE, për dhënien e statusit të vendit kandidat. Me këtë rast ajo i bën thirrje anëtarëve të saj, të marrin pjesë në këtë tubim.

 Ministrja Gjosha: Do t’ia dalim për 6 muaj

 Pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, reagoi edhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjoshi, e cila tha se, Shqipëria është e gatshme të realizojë objektivat e kërkuara. “Këshilli ka vlerësuar progresin domethënës dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar punën në kuadër të procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe marrja e statusit është vetëm çështje kohe. Këshilli i ka cilësuar mbresëlënëse hapat e ndërmarra sidomos sa i përket reformave integruese, duke vënë theksin te konsensusi i arritur nga klasa politike”. Ajo shtoi se: “Do të vijojmë të përmbushim angazhimet dhe detyrimet tona kundrejt qytetarëve shqiptarë dhe do të intensifikojmë përpjekjet tona, pasi hapat që po ndërmarrim, kanë ndikim të drejtpërdrejtë, jo vetëm në procesin e integrimit, por kryesisht  në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë”.

 Topalli: Berisha ua la gati, Rama- Meta e bllokuan

Ish – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli akuzoi dje, Ramën dhe Metën për bllokimin e statusit për të tretën herë. Në një reagim në Facebook, deputetja e PD-së, Topalli shprehet se Shqipëria mbeti sërish pa status, edhe pse Berisha e la gati atë. “Pa status! Berisha ia la gati statusin! Por pas shtatorit pamë me zë e figurë se si Rama – Meta blenë votën edhe me 2000 lekë! (E njëjta gjë ka ndodhur edhe më 23 Qershor)! Demontimi i ligjit, revanshi i papërmbajtur, spastrimi i administratës, shkelja e kushtetutës, shkatërrimi i shtetit ligjor, rrokullisja e ekonomisë, arroganca dhe arbitrariteti i dyshes Rama – Meta bllokuan për të tretën herë statusin! Rama nuk e donte statusin se kjo i shtonte kontrollin shokëve të qeverisë! Tani të ruajmë vizat!”,- shkruan Topalli.

Fule: Nuk ka kushte të reja, vijoni reformat

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian se perspektiva për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë nuk është dhjetori, ka reaguar eurokomisioneri Stefan Fule. “Presim që Shqipëria të punojë mirë. Është në dorën e Shqipërisë për të marrë statusin në qershor”, u shpreh ai, gjatë konferencës për shtyp. Fule më tej vlerësoi hapat që ka kryer shteti shqiptar në rrugën drejt integrimit si dhe konsensusin e arritur nga klasa politike. “Shqipëria ka bërë hapa impresiv përpara, sidomos reforma e integrimit në shumë fusha, nga shtatori nuk ka shumë por qeveria dhe parlamenti i ri kanë treguar se kanë mundësi për të mbajtur një konsensus politik. Bëhet fjalë për konsensusin dhe siç e thashë në shënimet e mia është çështje kohe dhe Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe do vijojë me reformat dhe kjo çështje do zgjidhet në të ardhmen”. Më tej Fule tha se, nuk do të ketë kushte të reja përveç atyre ekzistuese, megjithatë BE do të vijojë të mbajë nën mbikëqyrje punën me reformat, ecurinë me to dhe dialogun në klasën politike shqiptare. Këto theksoi lidhur me Shqipërinë, dje, eurokomisioneri Stefan  Fule në konferencën për shtyp në Bruksel mbi çështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër në Tëitter Fyle shkroi se: “Njihet progresi domethënës e përpjekjet e qeverisë së re. Perspektivë e qartë për statusin në qershor”, shkruan Fule, në Tëitter duke konfirmuar në këtë mënyrë se vendimi për statusin e vendit kandidat për vendin tonë është shtyrë, ashtu siç kishte kërkuar Holanda dhe Danimarka.

Rama: BE vlerësoi lart punën e qeverisë

Kryeministri Edi Rama nga Azerbajxhani, ku ndodhet për vizitë zyrtare ka reaguar mbi çështjen që Shqipërisë iu shty marrja e statusit të vendit kandidat për integrimin në Bashkimin Europian. Midis të tjerave, Rama theksoi se, BE vlerëson arritjet e qeverisë në këta muaj të drejtimit të vendit.  “BE: Kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërçit të brendshëm jashtë Shqipërisë. Vlerësohet lart puna e qeverisë po vendimi në qershor”, ka shkruar Rama në Facebook.

Lulzim Basha: PD bëri gjithçka, por qeveria Rama -Meta punoi keq

Pas shtyrjes së statusit për në qershor, ka reaguar edhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ka bërë fajtore qeverinë e aleancës Rama-Meta për këtë zhvillim të papritur. Në një konferencë për shtyp, Basha e konsideroi si lajm të keq për shqiptarët shtyrjen e statusit për në muajin qershor duke akuzuar koalicionin e majtë qeverisës për të gjitha pasojat që sollën këtë refuzim.  “Shtyrja e statusit kandidat është përgjegjësi e qeverisë Rama dhe vepër e saj”, tha ai. Sipas Bashës, qeveria e mëparshme la gjithçka gati dhe qeverisë Rama-Meta i kishte mbetur vetëm të shkonte ta merrte statusin. E vetmja gjë që ka ndryshuar në këto muaj, është qeveria”, nënvizoi  ai. “Shtyrja është përgjegjësi e saj dhe vepër e saj. Përmes arbitraritetit, paligjshmërisë skandaloze të tyre, goditjes së institucioneve, spastrimeve në administratë, goditjen e Policisë së Shtetit, kanë ushqyer fuqishëm skeptikët dhe kanë kthyer në skeptikë fuqi të mëdha europiane që deri dje ishin pro statusit”, theksoi Basha. Sipas Bashës, Rama është sot në borxh të madh me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, pasi shtyrja erdhi vetëm për shkak të skepticizmit që ka ushqyer ai. Në fakt lajmi i ke i shtyrjes së statusit për në muajin qershor të vitit 1914, ka tronditur shqiptarët në të gjitha vendet,ku ata jetojnë, sepse deri tani të gjithë shpresonin se marrja e statusit ishte një çështje e garantuar. Për këtë arsye gjatë ditës së djeshme, pas vendimit për shtyrjen e statusit, ka qenë objekti kryesor në të gjitha diskutimet e politikës, por edhe të qytetarëve shqiptarë.