Zija Çela: Urata në erë …

43
Sigal

“Të dëgjoj. Po pra, të dëgjoj. Por nuk të shoh. Rruga e mbarë, rruga e mbarë, e mbarë u qoftë, o Zot!”

E ndjeva se kisha folur me vete. Fshehur mes reve, diku atje lart, gumëzhinte një avion me udhëtarë të panjohur në bord. Sa ishin, kush ishin, nga vinin, ku shkonin?

Teksa bëj ecjen e zakonshme mbrëmjeve, kjo nuk është as e fundit dhe as e para herë që lëshoj urta në erë. Si, si thashë, i lëshoj dhe humbin në erë?! Ah, jo kurdoherë.

Me të zbardhur mëngjesi i asaj natës, kur nuk e shquaja dot avionin, në telefon gjeta këtë mesazh:

“Kohë pa komunikuar, por jo pa u kujtuar. Je bërë prej kohësh një nxitës për ne. Edhe kur duam ta “mallkojmë” letërsinë, që natyrisht s’na i ka fajet, themi: Shkruan ende Zija Çela! Dhe kjo me plot kuptim.

Ç’kohë!… Politika ka futur hundët edhe në shuajtjen hyjnore të Apollonit. Por vuajtjen e kësaj katrahure ti e tret në historitë magjike të romaneve të tua. Le të marrim shembull, do të vijë një ditë… Jetuam njëfarësoj si artistë, tash jemi thjeshtë emigrantë të copës së bukës. Na e bëre nderin me pash në këtë botë dorërrudhur… Shkruaj, i dashur mik, siç di ti, shkruaj në fushën e minuar. Dhe si një çmontues i duruar, bëje këtë edhe për ne, të ikurit.”

Për të arritur deri tek unë, sado që logjikisht nuk pritet përgjigje për një urim në erë, edhe ky mesazh kishte udhëtuar në eter. Miqtë, me të cilët shihesh fort rrallë, ose që kurrë s’je takuar fizikisht, çuditërisht ruajnë përherë një enigmë, një si befasim me ca gëzim, me ca trishtim.

Në erë, në erë, hidhni urata përherë.