Frank Shkreli*: Harmonia fetare në shkollën jezuite,“Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër

780
Sigal

 

                

                                                 

 

 

Fjala është për ish-kolegjin saverian, sot gjimnazi
privat “Atë Pjetër Meshkalla” – Shkodër.  Me titullin, “Shqipëria: Si Shën Injaci
bashkon të Krishterët dhe Myslimanët”, gazeta e njohur italiane, La Stampa e
Torinos shkruan mbi bashkëjetesën paqësore midis të krishterëve dhe myslimanëve
shqiptarë, mbi edukimin që ofron ky gjimnaz klasik që drejtohet nga jezuitët,
mbi entuziazmin e studentëve, mbi rolin e Papa Françeskut si dhe për
lumturimin, këtë fund jave, të 38-martirëve shqiptarë.
Korrespondentja e
gazetës La Stampa, Kristina Uguccioni njofton nga Shkodra lexuesit e vet, se
ndër 38-martirët e regjimit komunist të Enver Hoxhës që do të lumturohen janë
edhe tre jezuitë, Atë Gjon Fausti, Atë Daniel Dajani  dhe vëlla Gjon Pantalia.  Mbrëmjen e datës 31 dhjetor, 1945, Atë Gjon
Fausti (zëvendës provincial) dhe Atë Daniel Dajani (Rektor i Kolegjit Saverian
dhe i Seminarit) u arrestuan.  Pas një
procesi të rremë u pushkatuan të dy më 4 mars, 1946.  Disa muaj më vonë u burgos edhe Vëlla Gjon Pantalia,
përgjegjës i Shtypshkronjës “Zoja e Papërlyer”, i  cili pasi u torturua mizorisht, vdiq në
shtator të vitit 1947.   Ndër të tjera, At
Gjon Fausti njihej edhe si studiues i Islamizmit, i cili i kishte kushtuar
vëmendje të posaçme dhe kohë të konsiderueshme dialogut midis të krishterëve
dhe myslimanëve, ndërkohë që kishte botuar edhe një numër shkrimesh në lidhje
me këtë subjekt.
Gazeta La Stampa shkruan, se pas periudhës së zezë të
regjimit komunist, shkolla e mesme u rihap nga Jezuitët në vitin 1998 dhe mori
emrin,”Pjetër Meshkalla”, është emri i një jezuiti shkodran, i cili për shkak
të përballjes së tij të guximshme me regjimin komunist, u bë simbol feje,
kulture dhe lirie. Shkolla e mesme “Pjetër Mëshkalla”, e cila, sipas gazetës
italiane konsiderohet si një qendër e shkëlqyeshme arsimi me standarde evropiane,
ka gjithsej 500 studentë të moshave 15-18 vjeçare që i përkasin fesë katolike,
myslimane, evangjelistë dhe ortodoksë. Ndonëse shkollë katolike, në radhët e 48
arsimtarëve të saj ka edhe të tillë që i përkasin fesë myslimane, shkruan La
Stampa, si për shembull 30-vjeçarja Alda Laska, e cila jep biologjinë, si edhe
28-vjeçarja Dorela Smajli, e cila jep matematikën.  Alda shpreh respektin e thellë që ka për
jezuitët që drejtojnë shkollën, “për frymën dhe entuziazmin e tyre që është shembull…
përkushtimin e tyre ndaj përhapjes së diturisë, përfshirë njohuritë shkencore,
por edhe për jetën shpirtërore të studentëve.” 
 Ndërsa Dorela shprehet për
gazetën italiane se, “Ne vlerësojmë metodat e mësimdhënies të kësaj shkolle si rregullat
e mira dhe disiplinën, të cilat ndihmojnë në formimin e studentëve që të bëhen
burra dhe gra të përgjegjshme për familjen dhe shoqërinë në të cilën jetojnë…Ne
vlerësojmë objektivat e etërve jezuitë në përpjekjet e tyre për të edukuar
rininë tonë në kultivimin e aftësive të tyre, në mënyrë që ata të mund t’u
shërbejnë të tjerëve dhe të ndihmojnë njëkohësisht edhe përparimin e
shoqërisë”, ka thënë mësuesja Dorela Smajli. Ndërsa
Drejtori i gjimnazit, “At Pjetër Meshkalla”, 42 vjeçari At Roni Alessio tha, se
programi arsimor i shkollës bazohet në parimet e Shën Injacit, themeluesit të
Jezuitëve, e që fokusohet në të gjitha fushat e zhvillimit personal të
studentëve, për të siguruar sipas tij, që studentët të kenë një bazë të fortë
dhe solide intelektuale, por që të jenë gjithashtu të balancuar nga pikëpamja
emocionale dhe të jenë të aftë të gjykojnë, të jenë të përgjegjshëm ndaj vetes
dhe të tjerëve dhe që të përdorin talentet e tyre në shërbim të tjerëve, ka
thënë për La Stampa drejtori i shkollës, At Roni Alessio.  Ai ka theksuar gjithashtu, se studentët e
kësaj shkolle, çdo vit, marrin pjesë në aktivitete shoqërore për të ndihmuar më
të nevojshmit e shoqërisë, përfshirë edhe pjesëmarrjen në projektin që
mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë, projekt në të cilin marrin pjesë
edhe shkollat myslimane, me qëllim identifikimi të praktikave që mund të
promovohen për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të zgjidhë problemet me të cilat
ajo përballet sot. At Roni Alessio shtoi, se studentët e krishterë dhe
myslimanë, në gjimnazin që ai drejton, 
shkojnë jashtëzakonisht mirë me njëri tjetrin dhe interesohen të mësojnë
për fenë dhe traditat fetare të njëri tjetrit. Ne të rriturit, tha ai,
përpiqemi tu ndihmojmë atyre të kuptojnë më mirë besimet dhe fenë e të tjerëve,
duke shtuar se, “Mësuesit shqyrtojnë karakteristikat themelore të secilës fe
dhe gjatë këtij procesi identifikojnë elementët që mund të formojnë bazën për
një dialog të frytshëm dhe pozitiv” midis tyre. Arsimtaret Alda dhe
Dorela kanë thënë për gazetën “La Stampa”, se marrëdhëniet ndërfetare në
Shkodër dhe në mbarë vendin në përgjithësi janë shumë të mira dhe
karakterizohen nga një frymë respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Ne besojmë,
u shprehën ato për gazetën italiane, se gjimnazi At “Pjetër Meshkalla”, ku ato
japin mësim, “Si një institucion që është,  luan një rol kyç në këtë atmosferë bashkëjetese
paqësore”, midis shqiptarëve.  Ndërsa
Drejtori i shkollës jezuite në Shkodër, At Roni Alessio i dha La Stamapës
vlerësimin e tij të harmonisë fetare midis shqiptarëve duke thënë se, “Këtu në
Shqipëri, atmosfera paqësore që dallon marrëdhëniet midis burrave dhe grave që
i përkasin feve të ndryshme të këtij vendi, nuk janë as false as nuk janë
formalitet, por ato rrjedhin nga pranimi i diversitetit dhe ndryshimeve që
ekzistojnë, ndërkohë që dallimet që ekzistojnë nuk mohohen, por njihen dhe
pranohen si të tilla… Ndryshimet nuk nënkuptojnë medoemos abuzimin dhe dhunën,
por janë fillimi i një realizimi të një objektivi për të gjetur rrugë të reja bashkëpunimi
që garantojnë përparimin e komuniteteve të ndryshme, në një mënyrë të drejtë
dhe bashkërisht duke komunikuar dhe duke dëgjuar me respekt pikëpamjet e njëri
tjetrit.”   Në lidhje me vizitën e fundit
të Papa Françeskut në Shqipëri shtatorin e vitit 2014, Drejtori i gjimnazit
jezuit të Shkodrës, Atë Roni u shpreh për gazetën La Stampa se, “Megjithëse
ishte një vizitë e shkurtë, vizita e Atit të Shenjtë tregoi kujdesin dhe
interesimin e tij të madh për këtë vend. 
Papa Françesku po ndihmon këtë Shqipërinë që të njoh rolin që ky vend
mund të luaj jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe në Europë. Duke u gëzuar
për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare që ekziston midis feve të ndryshme dhe
duke konsideruar këtë bashkëjetesë si një përfitim me shumë vlerë për vendin,
Papa Françesku mbështetë fuqishëm dialogun ndërfetar dhe rrugën që ka ndërmarrë
kombi shqiptar”, përfundoi komentet e tija për gazetën italiane La Stampa, At
Roni Alessio.  Ndërsa mësueset e
gjimnazit jezuit të Shkodrës, Alda dhe Dorela e vlerësuan vizitën e fundit të Papa
Françeskut në Shqipëri si një vizitë që u mirëprit nga i mbarë vendi, ndërsa u
shprehen se lumturimi këtë fund jave në Shkodër i 38-martirëve të Kishës
Katolike është për ‘to një burim frymëzimi, i thanë ato gazetës La Stampa. “Për
faktin se ne vazhdojmë të besojmë në këtë vend dhe se njëkohësisht po përpiqemi
të bëjmë më të mirën që mundemi për vendin tonë, për këtë ne i kushtojmë
pjesërisht falënderimet dhe mirënjohjen tona këtyre burrave si dhe dëshmisë së
tyre të sakrificës, mëshirës dhe guximit”. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Një
deklaratë e tillë, nga dy protagonistët kryesore të artikullit të gazetës
italiane La Stampa, Alda Laska dhe Dorela Smajli, shqiptare të fesë myslimane
dhe mësuese në gjimnazin jezuit, “Pjetër Meshkalla” në Shkodër, na bën krenar
dhe na frymëzon, se Shqipëria dhe shqiptarët si gjithmonë gjatë historisë, do
të kenë burra dhe gra si Alda dhe Dorela, që megjithë vështirësitë e momentit,
me sakrifica dhe guxim, do të vazhdojnë të punojnë për të mirën e përbashkët kombëtare,
në harmoni dhe bashkëjetesë me njëri tjetrin, megjithë dallimet fetare dhe
politike që ekzistojnë. Ah, sikur harmonia dhe bashkëjetesa fetare të
transferohej edhe në fushën politike!  Për
kombin shqiptar nuk do të kishte dhuratë më të madhe në këtë etapë të historisë
së tij!