Zija Çela: Ku fillon Atdheu

448
Sigal

“Heshtja është flori”, thotë një fjalë, që përsëritet dendur ma tëpër si justifikim, sesa nga urtësia. Ndoshta sepse shpesh rezulton një flori aq kallp, sa duke të dhënë një përfitim të vogël, dalëngadalë të zhveshë nga dinjiteti. E humbasin dinjitetin përnjëherësh vetëm ata, që një shuk parash ua mbyll gojën brenda natës, mundësisht në orën kur hëna ende s’ka perënduar dhe dielli ende nuk ka lindur.
Ndonëse përfundimi është i njejtë, shkaqet përse mbyllet goja janë të ndryshme. Dhe është e çuditshme se si, duke pësuar ndonjë mutacion, vesi i heshtjes nga regjimet totalitare mbartet në demokracitë hibride. Në formacionet që e përfaqesojnë, repartin e këmbësorisë e përbëjnë frikacakët e rëndomtë, tipologjia klasike e gjithëkohshme. Këta e mbyllin gojën pa ndonjë vrasje të ndërgjegjes. Madje edhe kur u flitet për çështje të mëdha të vendit, e deklarojnë haptazi moton e tyre: “Atdheu fillon nga lëkura ime.” Veçse këta nuk duhen ngatërruar me “nevojtarët”, kalorësinë e madhe të nëpunësve që kanë lidhje punësimi, interesash e karriere me pushtetin. Një individ i tillë ose bëhet shërbëtor besnik i regjimit, edhe kur regjimi e shfytyron demokracinë, ose shërben me brengë në zemër, ose nuk pranon ta mbyllë gojën, madje rebelohet.
Dhe çfarë ka përballë e gjithë kjo ushtri e heshtjes? Përballë ka egocentrizmin tjetër, hipokritin dhe mizorin, atë që përfaqesojnë shumë xhahilë të pushtetit dhe rufjanë të politikës, të cilët i bashkon e njëjta sjellje. Motoja e tyre është: “Atdheu fillon nga portofoli im.” Nuk po vazhdoj me tipologji të tjera. E marrë me mend se, të paktën, për njerën do të kujtoheni vetë. Dhe e kam fjalën për delirantët, motoja e të cilëve u ndiehet nga ekstaza. Cila është? Ja, kjo është: “Atdheu fillon nga bëmat e mia dhe lavdia ime.”