Tirana, vatra kryesore e koronavirusit, 21 raste në kryeqytet

304
Sigal

Ndërkohë që rritet ndjeshëm numri i të prekurve me koronavirus, vijnë edhe lajme të mira për ata që e mundin sëmundjen. Në 24 orët e fundit janë të shëruar nëntë qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije sot se deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050.

Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Vatra kryesore e koronavirusit në vend është tashmë Tirana, e cila ka shënuar në 24 orët e fundit edhe gjithë rastet e reja, plot 21 persona.

“Në 24 orët e fundit vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve të reja të prekur me Sars-Cov2 në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera rezultojnë pa raste të reja”- njoftoi Ministria e Shëndetësisë, duke theksuar se “nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit”.

Prej tyre nëntë janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa katër pacientë janë transferuar në spitalin infektiv.

Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 101
Durrës 51
Krujë 23
Shkodër 12
Kamëz 9
Berat 6
Fier 2
Korçë 1