Xhevat Mustafa: Kriza e Ukrainës dhe ndikimi në Kosovë

239
Sigal

 “…Kriza e Ukrainës nuk mund të shkaktojë vetëm të mira për Rusinë dhe të këqija për SHBA, BE, Ballkanin, Kosovën, Shqipërinë…Mundet që kjo krizë, si kundërpërgjigje ndaj synimeve dhe planeve ruse, mund të ndikojë në Uashington dhe Bruksel për të forcuar praninë dhe rolin e tyre në Ballkan, rrjedhimisht të shpejtojë ardhjen e disa të mirave, që kemi vite që i presim…”

Sipas meje në konfliktin apo “bisnesin” për shtrirje nga Lindja  SHBA-NATO) dhe Rusi (për ndikim më të madh në hartën e ish Bashkimit Sovjetik dhe moslejimin e Ukrainës të anëtarësohet në NATO), nuk përfshihet në axhendën e mundshme të bisedimeve e sotmja dhe e ardhmja e Kosovës dhe e disa vendeve të tjera të vogla…E kam fjalën për vendet baltike, Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda si dhe të vendeve ballkanike,  Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje- Herzegovina…! Jo rastësisht, Putin, pas bisedës telefonike të dt.12 shkurt me presidentin e SHBA, Biden, kur e pyetën për natyrën e bisedës, u përgjigj se ishte një “bisedë bisnesore”! Kjo shpreh apo fsheh se Putin, pavarësisht kërcënimeve dhe ofrimeve të trupave dhe mjeteve të shumta ushtarake drejt Ukrainës, më shumë se një copë Ukrainë dëshiron të mbajë këtë vend larg NATO- s dhe NATO- n larg Lindjes së Europës. Njëkohësisht, Putin është bërë tejet agresiv dhe këmbëngulës në kërkesat dhe presionet e tij edhe duke “fshehur”, herë me përkujdesje e herë aspak, një qëllim tjetër. Fjala është për të detyruar SHBA dhe BE që, në mos t’ia heqin krejt sanksionet Rusisë, pas pushtimit apo rrëmbimit të Krimesë, të paktën t’ia kufizojnë ndjeshëm, që të mos ia rëndojnë edhe më shumë krizën ekonomiko-financiare-sociale rreth 7 vjeçare…, si ndëshkim i Perëndimit për këtë aneksim të dhunshëm të Krimesë nga harta e Ukrainës… Putini po bën “lojë të zgjuar” përballë një Bide-ni “të lodhur” fizikisht dhe psikologjikisht, edhe nga  hallet fizike e familjare apo, dashtë Zoti, të paprekur nga “skleroza”., Kam opinionin krejt subjektiv se Putini i sotëm nuk do të sillej me kaq agresivitet, arrogancë, këmbëngulje apo kokëfortësi nëse do të kishte përballë, nga Uashingtoni ish presidentët Bill Clinton, Xhorxh Ë. Bush(Junior), Donald Trump…Ndoshta  Putinin e avantazhon fakti se ka si Ministër të Jashtëm një “ujk dhe dhelpër” të vjetër në diplomaci, si Lavrov, ndërsa Biden, ka në këtë funksion një diplomat jo me të njenjtin nivel karriere dhe përjetimi krizash ndërkombëtare, si Blinken. Njëherazi, Rusinë dhe Putinin, falë “armës kolosale të gazit rus” po e ndihmon dhe avantazhon edhe mungesa e unitetit në interesa, mendime, veprime, strategji, angazhim kundërvënie…e vendeve kryesore të BE, sidomos e Gjermanisë ( me qeverisje nga e majta), Francës, Spanjës, Austrisë, Greqisë, Kroacisë…Franca, nëpërnjet vizitës së Macron, më shumë u turpërua në Moskë, më 11 shkurt,  përballë Putinit, në bisedën në tavolinën ovale rreth 4-5 metra të gjatë dhe deklarimeve prepotente të Putinit…Vetëm Britania e Madhe po shpreh mbështetje konkrete, edhe me njësi dhe forca ushtarake, ndaj SHBA-së. Turqia, si një fuqi e madhe ushtarake e NATO-s gjithashtu, ka treguar angazhim vetëm diplomatik, shprehur më qartë gjatë vizitës së Presidentit Erdogan në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës më 5 shkurt 2022. Këto ditët e fundit, duket se Gjermania po ndërrron qëndrim ndaj Moskës dhe detyrimeve të saj ndaj BE-së dhe NATO-s. Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi, më 13 shkurt 2022, Rusinë për sanksione dhe i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të zbusë tensionet lidhur me Ukrainën. Scholz u  takua të hënën në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe të martën në Moskë me Presidentin Putini si pjesë e përpjekjeve diplomatike për të ulur tensionet. Janë domethënëse dy deklarime të Putinit para fillimit të bisedimeve: “…bashkëpunimi ruso-gjerman për energjinë ishte një prioritet për Moskën”. Në fjalën e tij të hapjes, Putini theksoi lidhjet ekonomike, ndërsa vuri në dukje “diskutimet e nxehta” rreth Ukrainës. “Fatkeqësisht, ne do t’i kushtojmë një pjesë të konsiderueshme të kohës tonë çështjeve që lidhen me situatën në Evropë dhe sigurinë”, tha Putini. Po kështu, janë shprehëse edhe deklarimet e deputetit konservator gjerman, Thomas Silberhorn, publikuar në DW (Deutsche Welle), në një koment për takimin Putin-Scholz. Sipas tij, ‘…udhëtimi i Scholzit është një “përpjekje e minutës së fundit… për të shmangur luftën”, por “i takon Putinit të dërgojë sinjale të deeskalimit tani. I pyetur për qëndrimin e Gjermanisë për NordStream 2, Silberhorni tha se “Gjermania është e gatshme të përfshijë gazsjellësin Nord Stream 2 në një sërë sanksionesh nga vendet perëndimore”, “Është e nevojshme të shprehemi qartë, se në rast të një agresioni ushtarak kundër Ukrainës që do të kërcënonte integritetin e saj territorial dhe sovranitetin e saj, do të kishte reagime dhe sanksione të forta, që ne i kemi përgatitur me kujdes me aleatët tanë në Evropë dhe në NATO dhe që mund të hyjnë në fuqi menjëherë, së bashku”. Unë jam optimist se ushtria ruse do të ndalet, sepse shpejt do “të ndërrojë mendje, Putini, si fitues, kur Biden të pranojë kërkesat e tij: bllokimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO; zbutjen e ndjeshme të sanksioneve të SHBA dhe BE ndaj Rusisë, si ndëshkim për aneksimin e Krimesë; vazhdimin deri në funksionim të punimeve për gazsjellësin Nord Streeam 2…Kjo do të pritet dhe përjetohet si fitore e tyre edhe në Beograd, nga Vuçiç dhe qeveria e tij. Pas kësaj “paqeje” apo  “zgjidhjeje” të përkohëshme, delegacionet serbe në bisedimet me delegacionet e Kosovës, me shumë gjasa, do të vazhdojnë të jenë më këmbëngulës dhe arrogantë në qëndrimet e tyre të njohura dhe diskriminuese për Kosovën.

Ne shqiptarëve mund të na e shtojë dozën e optimizmit kërkesa e para pak ditëve, saktësisht e dt.8 shkurt 2022, e presidentit Joe Biden, adresuar Vuçiçit që në takimin më të afërt mes dy delegacioneve të njohë sa më parë të jetë e mundur Kosovën…Kjo kërkesë vjen pak ditë pas deklarimeve të ambasadorit të ri amerikan në Kosovë, Hovenier dhe të Sekretarit të Departamenit Amerikan të Shtetit, Blinken se pala serbe duhet të heqë dorë nga mosnjohja e pavarësisë, e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Duke mos menduar e besuar se Rusia, më saktë Putin dhe Lavrov, do të arrijnë të detyrojnë SHBA-në  dhe BE-në që të tërhiqen edhe nga Ballkani, për ta lënë si rajon nën ndikimin apo mbizotërimin rus, personalisht, gjykoj se kriza e Ukrainës, me shumë gjasa është e favorshme për Serbinë, duke e shtyrë pak e jo pafundësisht në kohë detyrimin e saj për të njohur pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, kam opinionin me dozë të fortë optimizmi se kriza e Ukrainës nuk mund të shkaktojë vetëm të mira për Rusinë dhe të këqija për SHBA, BE, Ballkanin, Kosovën, Shqipërinë…Mundet që kjo krizë, si kundërpërgjigje ndaj synimeve dhe planeve ruse, mund të ndikojë në Uashington dhe Bruksel për të forcuar praninë dhe rolin e tyre në Ballkan, rrjedhimisht të  shpejtojë ardhjen e disa të mirave, që kemi vite që i presim…Ndoshta Greqia dhe Qipro, nga fundi i pranverës dhe fillimi i verës 2022, mund të na befasojnë me njohjen e Kosovës. Më vonë, Spanja, Rumania, Sllovakia…,përse jo edhe Ukraina, mund të ndjekin shembullin e këtyre vendeve, ndoshta nga vjeshta ose fundi i këtij viti, nëse ndaj tyre forcohet ndjeshëm edhe presioni amerikan dhe nga BE. Rritjet e volumit të shkëmbimeve tregtare të këtyre vendeve këto vitet e fundit me Kosovën, natyrisht duke mbizotëruar dukshëm importet nga këto vende në krahasim me eksportet e tyre nga Kosova, mund të interpretohen edhe si sinjale pozitive për ndryshimin e qëndrimit dhe raporteve politiko- diplomatike. Të shpresojmë e besojmë se koha do të punojë, sado pak, por, pa u ndalur më, edhe në të mirë të Kosovës, Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar!