Dr. Erion Piciri/ Tentativa për grusht shteti dhe raportet shqiptaro–turke

584
Të gjithë e mbajmë mend, tre vjet më parë kur një mazhorancë e re erdhi në pushtet, në Shqipëri. Kryeministri i ri i vendit, shpalli Turqinë e Erdoganit partner strategjik dhe që atëherë filluan të na quajnë vëllezër të vegjël dhe t’i quajmë turqit vëllezërit tanë të mëdhenj. Kështu filloi vendosja simbolike dhe psikologjike e një marrëdhënie hierarkie, përkujdesjeje dhe dominimi alla otoman midis vendeve tona. Këtu fillon keqkuptimi. Partneriteti pan-europian dhe euro-atlantik u përkthye me apo pa dashje në vëllazëri fetaro-orientale. Si pasojë e këtij statusi, e keqmenaxhimit të politikës së jashtme, qeveria aktuale turke filloi të influencojë politikën tonë të brendshme, të ketë prioritet në investime strategjike, të ndërhyjë në koncesione, të influencojë në komunitetet fetare dhe së fundmi të na kërkojë të përndjekim elitat, të cënojmë lirinë e medias, lirinë e fjalës dhe të mendimit. Tashmë është kaluar kufiri i partneritetit dhe kemi hyrë në një marrëdhënie influencimi. Atë që rilindasit e vërtetë dhe patriotët shqiptarë e nxorën me pushkë e penë nga jeta e kombit tonë një shekull më parë, po na i kthejnë për një grusht interesash të paqarta, amatorët politikë të tranzicionit. Kështu kemi hyrë në një rrugë pa krye në marrëdhëniet tona bilaterale dhe po cenojmë marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve. Paqartësia në pozicionim, mosshpjegimi i rrugëtimit tonë tek partnerët si Turqia ka krijuar keqkuptime të dëmshme për të ardhmen e bashkëpunimit tonë. Ridimensionimit të politikës së jashtme turke në Ballkan dhe më gjerë ne nuk i jemi përgjigjur në mënyrën e duhur. Si pasojë e përulësisë të pashpjegueshme të autoriteteve të Tiranës (ndoshta edhe të Prishtinës), por edhe një qasjeje të re paternaliste të Turqisë së Erdoganit, në jemi gjetur të papërgatitur. Ata me qëllime të qarta politike, ekonomike, fetare dhe gjeostrategjike të pa orientuar, të paqartë në rrugëtimin tonë, tolerues dhe përfitues të rëndomtë inaugurimesh elektorale. Përpara se të jap disa opinione mbi qartësimin dhe ridimensionimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke, do ndalem shkurtimisht tek ndryshimi ideologjik i politikës së jashtme turke në kohë nga Ataturku tek Erdogani.

Turqia, nga Qemalizmi te Neotomanizmi

Me krijimin e republikës turke, më 1923, pas traktatit të Lozanës, politika e jashtme turke u mbizotërua nga ideologjia shtetformuese e Ataturkut. Ndonëse me pothuajse të gjithë territorin në Azi, dhe me një popullsi të besimit islam, Ataturku zgjodhi sekularizmin europian. I lindur në Selanik, në një qytet multikuturor mes shqiptarësh, turqish, grekësh, sllavësh dhe hebrenjsh ai kishte një forcë të brendshme origjine që e tërhiqte drejt Europës. Me këtë forcë ai e tërhoqi Turqinë drejt një rruge të re që e ndante nga otomanizmi dhe rrënjët e origjinës së saj orientale. Studiuesit e fushës evidentojnë se që prej krijimit të republikës Turqia u distancua nga Lindja e Mesme dhe në mënyrë të veçantë nga fqinjët arabë, çliroi vendin nga traditat otoman-islamike, lëvizi nga bota Islame drejt Perëndimit, zëvendësoi fenë me sekularizmin, zëvendësoi alfabetin arab me atë latin, hoqi kalifatin, sharian dhe influencën e dervishëve. Lëvizjet e tij ishin vazhdim i Iluminizmit në Perëndim për një ndarje definitive të influencës fetare në shtet dhe shtetit në fe. Me reformat që ndërmori Ataturku i dha kombit turk një vend të respektuar në Europë dhe në botë. Efektet e saj u ndjenë edhe në politikën e jashtme përgjatë gjithë shekullit të XX. Siç do ta profilizonte edhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare Mustafa Aydin “Turqia e re nuk ishte perandori por relativisht një shtet-komb i vogël; jo një autokraci apo teokraci por një demokraci parlamentare; jo një shtet i themeluar mbi parimet ekspansioniste, por i dedikuar në ruajtjen e status-quo-së; jo një shtet multinacional, multiracial dhe multifetar siç ishte Perandoria (Otomane), por një shoqëri më “homogjene”. Për këto ndryshime shumë popuj nën ish-Perandorinë Osmanë e kanë parë ndryshe Turqinë e shekullit të fundit. Raportet e respektit reciprok midis vendeve që ai kultivoi normalizuan marrëdhëniet e shumë vendeve me Turqinë. Por mesa duket paqja me jashtë, nuk gjeti paqen me Turqinë e brendshme. 

Kuptohet që Qemalizmi ka krijuar një ndarje në shoqërinë turke, elitat civile dhe ushtarake që shohin nga perëndimi dhe një pjesë e popullsisë dhe përfaqësuesve të tyre konservatorë fetarë që shohin nga traditat, historia dhe origjina në Lindjen e Mesme. Herë pas here orientimi properëndimor është vendosur me dorën e fortë të ushtrisë, që me atribute kushtetuese i lejohej të ndërhynte sa herë vihej në pikëpyetje orientimi sekular dhe perëndimor i Turqisë. Ngjarjet e ditëve të fundit po tregojnë se trashëgimia e Ataturkut është në pikëpyetje. Ka dyshime të forta se Turqia po largohet nga qasja Qemaliste e shekullit të XX, duke u zhvendosur në një qasje NeoOtomaniste, që buron nga logjika e influencës perandorake të qeverisë konservator-fetare të Erdoganit dhe të tijve. Prej më se një dekade Turqia po kërkon të zëvendësojë respektimin reciprok të sovranitetit të shteteve në ish-perandorinë osmane në një Commonwealth Otomano-Islamik. Ahmet Davutoglu, figurë qendrore e politikës turke si ish-ministër i jashtëm në vitet 2009-2014 dhe më pas kryeministër i saj në vitet 2014-2016, ishte promotori i rivlerësimit të trashëgimisë së përbashkët otomane të Turqisë dhe vendeve të Ballkanit dhe ndërtimit mbi të, të një projekti të përbashkët që do na risillnin, sipas tij, lavdinë e dikurshme të mesjetës. Në një fjalim në Sarajevë në 16 tetor 2009 Davutoglu evidenton me nostalgji epokën otomane në Ballkan si një histori suksesi që duhet rikrijuar. “Si në shekullin e 16, që u pa ngritja e Ballkanit Otoman si një qendër e politikës botërore, ne do bëjmë Ballkanin, Kaukazin dhe Lindjen e Mesme, së bashku me Turqinë, qendrën e politikës botërore të së ardhmes”. 

Ai na qetëson duke na thënë se nuk është fjala për një shtet otoman në formën klasike, por për një trashëgimi otomane që do jetë bazamenti ku do riintegrohet Ballkani, Lindja e Mesme dhe Kaukazi. Ai apelon për një ribashkim të shumë shteteve që janë afër Turqisë në fe dhe tradita, se ato kanë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët. Me fjalë të tjera Shqipëria sipas kësaj logjike duhet ta shikojë si alternativë një ndarje nga Franca, Gjermania dhe vende të tjera të Europës për t’u investuar në një projekt me Turqinë, Turkmenistanin, Sirinë, Irakun, Palestinen dhe vendet e Lindjes së Mesme nga Jemeni deri në Libi. A është e dobishme për ne shqiptarët një alternativë e tillë? Duke lënë mënjanë disa suksese ekonomike relative dhe kalimtare a mundet Turqia të përmbushë etjen tonë fiziologjike për civilizim, kulturë, model politik/shoqëror dhe identitet europian në hapësirën tonë kombëtare? Deri para pak kohësh edhe vetë turqit nuk besonin tek aktualiteti i civilizimit otoman dhe prej një shekulli bën çmos të oksidentalizoheshin. Nëse ata u rimenduan, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë këtë. Politika turke po ndryshon edhe me Lindjen e Mesme. Në ideologjinë e Ataturkut duhej një distancim me botën arabe dhe një afrim i fuqishëm me oksidentin. Për interesat e veta që lidhen me nacional-separatizmin kurd, me marrëdhëniet e gjata dhe të pakurorëzuara me BE-në, me luftërat në kufirin e saj jugor, terrorizmin dhe energjinë, rrymat e brendshme konservatore, Turqia ka zgjedhur të përfshihet fuqishëm në zonë. Është e drejta e saj t’i mbrojë interesat por kjo është një trajektore që nuk ngjan me atë tonën dhe kjo na diferencon. Në këtë kontekst, Turqia mund t’ia lejojë vetes të luajë në atë zonë, të mbrojë çështjen palestineze kundër Izraelit, të konfliktohet me Amerikën dhe BE-në, të ngrohi dhe të ftohi marrëdhëniet me Rusinë, të gjejë aleanca me këtë të fundit dhe me vende të tjera, por kjo nuk është rruga dhe aleancat tona. Për këtë Turqia duhet të qartësohet. Ne nuk mund të japim (si për shembull) një votë për Palestinën në OKB për ‘vëllazërinë’ me Erdoganin dhe të hyjmë në kontradiktë me politikën e jashtme të aleatit tonë parësor, Shtetet e Bashkuara. Nga amatorizmi politik apo nga sentimentalizmi vëllazëror, dikush e dha atë votë, por nëse ndodh sërish ne mund të minojmë marrëdhëniet me partnerët parësorë. Nëse Turqia po rizbulon Lindjen e Mesme, ka parë interesat e saj kombëtare dhe dëshirën për riinfluencim perandorak, kjo nuk është çështja jonë. Nëse Turqia është e ngazëllyer për kthimin në shtëpinë e saj të Orientit, siç thotë Stephen Larrabee, për ne kjo kthesë është një rrugë e mbyllur përgjithnjë. Nëse Turqia ka vendosur të jetë një aktor në Lindjen e Mesme, Kaukaz, ish-republikat sovjetike, Ballkan dhe Azinë Qendrore për çështje të ekonomisë, sigurisë, energjisë dhe influencës është punë e tyre por ne nuk jemi satelit i interesave të askujt. Ne duam të ruajmë hapësirën tonë, ta integrojmë në BE, të mbajmë lidhje të forta me SHBA dhe të avancojmë në forcimin e identitetit tonë europian dhe perëndimor.

Shqipëria, nga Rilindja Kombëtare te Europ-atlantizmi

Rreth 150 vjet më parë shqiptarët nisën një nga lëvizjet më të rëndësishme të historisë së tyre moderne për një rikthim tek qytetërimi dhe vlerat perëndimore. Burra të mençur dhe të arsimuar ndërmorën një lëvizje për iluminim të kombit të quajtur Rilindja Kombëtare. Ata përcaktuan Perëndimin si ana, nga lind dielli ynë, ata përcaktuan shqiptarinë si fe të shqiptarit, gjakun dhe gjuhën si identifikim të vëllazërisë, latinitetin si shkrim, veri-perëndimin si frymëzim. Ata projektuan lirinë e kombit përmes laicitetit, dijes, shkencës dhe kulturës perëndimore. Ata projektuan standarde të larta, majat ku duhet të ngjitemi dhe gabimet që nuk duhet të përsërisim në rrugëtimin tonë drejt krijimit të një kombi të respektuar të Europës. Nën frymën e Rilindjes Kombëtare, të traditës dhe trashëgimisë të burrave të pavarësisë dhe deri tek mendimtarët e kohërave tona si Rugova, Kadare e të tjerë, ne duhet të kemi disa linja të panegociueshme dhe të patjetërsueshme në politikën tonë të jashtme.

Mosidentifikimi i kombit me fenë

Sipas Numan Kurtulmush, zëvendëskryeministër i Turqisë “Kosova është pika më e rëndësishme e gjeografisë islame në perëndim” (zëri.info, 23 prill 2016). Ka pasur edhe ndonjë lider perëndimor që për të dhënë shembuj të një islamizmi të moderuar e ka paraqitur Shqipërinë dhe Kosovën me etiketime fetare. Kjo duhet të korrigjohet. Ne nuk identifikohemi me asnjë besim. Ne kemi republika sekulare që shprehin neutralitet fetar. Kështu identifikohen shumica e vendeve të Europës, Amerikës së Veriut por edhe vetë Turqia sipas kushtetutave të saj të shekullit të XX. Ne nuk identifikohemi si komb me fenë dhe nuk duhet pranuar që në këtë formë të na etiketojnë të tjerët. Të dy shtetet shqiptare respektojnë çdo fe monoteiste dhe janë neutralë ndaj secilës prej tyre. Ne nuk krijojmë aleanca me bazë fetare dhe nuk jemi pjesë e ndonjë fronti fetar në Europë a më gjerë. Këtë traditë e kemi trashëgim nga Rilindja Kombëtare dhe nga mendjet e ndritura të kombit, këtej dhe andej kufirit. Për ne si shqiptarë, ky pozicionim ka një rëndësi të shumëfishtë sepse do na ruante nga ndasitë mes besimtarëve të feve të ndryshme, por edhe midis besimtarëve dhe jobesimtarëve. Me këtë pozicionim, ne nuk mohojmë historinë tonë, nuk mohojmë e as paragjykojmë besimet e shqiptarëve në kohë të ndryshme. Asnjë s’e ka këtë të drejtë. Ajo është çështje zgjedhjeje individuale dhe duhet respektuar. Njëherësh nuk bëjmë një vlerësim, mbi a nënvlerësim të Islamit a të ndonjë feje tjetër. Në këtë pikë duhet të jemi neutralë. Neutralë ndaj fetarizimit, konvertimit dhe indiferencës ndaj besimeve. Ajo që nënvizojmë ka të bëjë me parimin iluminist perëndimor të ndarjes së fesë nga shteti, mospasjes së një ngjyrimi fetar të republikës tonë.

Sekularizëm dhe frenim të ekspansioneve teokratike

Ne duhet të bëjmë kujdes me ekspansionin e rrymave dhe investimeve fetare nga vendet e Lindjes së Mesme dhe kryesisht nga vende si Turqia apo edhe të tjera afër nesh. Këto vende shquhen për një model shoqëror dhe politik që nuk ndan qartë raportet e shtetit me fenë dhe jo pak herë feja përdoret si pararojë për rritje influence social-politike. Situata e brendshme orienton politikën e jashtme. Ndryshimet në raportet sekular-perëndimore në ato fetar-konservatore ndikuan në riorientimin e Turqisë dhe do synojë që diçka e tillë të ndodhë edhe me vende si Kosova dhe Shqipëria. Ata që kanë humbur influencat dhe territoret në Ballkan, e inkurajojnë dhe mezi e presin që ne të gabojmë në këtë drejtim, të ndahemi me Perëndimin dhe të lihemi nën patronazhin e fqinjëve dhe të fuqive që na kanë dominuar në shekujt e kaluar. Ne jemi pjekur nga përvojat tona që të dimë të orientohemi siç duhet në epokën që jetojmë dhe të refuzojmë qasjet që na dëmtojnë. Ne duhet që sponzorizimin e objekteve të kultit në hapësirën shqiptare ta bëjmë nga vetë komunitetet fetare, besimtarët dhe nga ndonjë fond publik. Kjo e fundit jo për krijimin e një tradite të re të sponsorizimit të fesë nga buxheti publik, por si një shlyerje e përkohshme e detyrimeve që shteti shqiptar ka ndaj shembjeve të objekteve të kultit dhe dëmit që regjimi komunist u krijoi komuniteteve fetare në vend. Ne duhet të monitorojmë dhe parashikojmë me kujdes pasojat e investimeve të huaja në komunitetet tona fetare. Liria e fesë është e garantuar, por infiltrimet e çdo radikalizmi apo politike me fenë duhet të jenë të ndaluara. Ne duhet të garantojmë, si kudo në perëndim, respektin e besimit në shtëpi, kishë e xhami, respektim të sekularizmit dhe neutralitetit fetar në institucione shtetërore dhe hapësirë publike. Kjo do ta ngrejë harmoninë tonë fetare dhe konsolidojë shoqërinë shqiptare. Në duhet të krijojmë marrëdhënie të qarta dhe të vendosim kornizat e bashkëpunimit dhe interesit tonë kombëtar. Ne kemi profilin tonë, harmoninë e brendshme sociale dhe fetare, orientimin tonë që nuk duhet ta negociojmë apo tjetërsojmë për asnjë partner në arenën ndërkombëtare.

Perëndimi, si orientim i vetëm

Ka vende si Turqia që kanë fatin të shtrihen në dy kontinente, që i përkasin dy botëve, ne shqiptarët kemi vetëm një kontinent, vetëm një shtëpi të vetme, Europën. Ne nuk mund të jemi edhe Lindje edhe Perëndim, as Lindje dhe as Perëndim, por vetëm Perëndim. Ne nuk duam të zëvendësojmë Europën me asnjë projekt jashtë-komunitar, ne nuk duam të rilindim në formë moderne Perandorinë Osmane si bashkësi shtetesh vasale me qendër Stambollin. Ajo qendër perandorish lindore na ka sjellë shumë fatkeqësi dhe tjetërsime identitare. Në fillim Kostandinopoja dhe më pas Stambolli na ndau forcërisht prej mbi dhjetë shekujsh nga familja europiane që i përkisnim në mënyrë natyrale. Sot kjo ka marrë fund. Me vullnet të lirë ne shqiptarët kemi zgjedhur të orientohemi nga dy qendrat e Veri-Perëndimit: Brukseli dhe Uashingtoni. Europa është nëna jonë e vërtetë, shtëpia jonë e dashur. Ne nuk mund ta pranojmë asnjë qasje që na ndan nga Europa dhe na dërgon në Azi. Ne nuk duam ta rishkruajmë historinë me optikën e fqinjëve, ne nuk duam të fetarizojmë politikën dhe shoqërinë, ne nuk duam vëllazëri fetare që zëvendësojnë vëllazërinë pan-shqiptare. Ky qëndrim duhet të reflektohet mendësinë, gjuhen dhe komunikimet tona bilaterale. Qeveria shqiptare duhet mos përdori më termin oriental fetar ‘vëlla’ në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në veçanti me Turqinë. Ato duhet të zëvendësohen me termat ‘aleat’, ‘partneritet’, ‘respekt reciprok të sovranitetit dhe interesave’, ‘frymë miqësore’, që karakterizon marrëdhëniet tona me anëtarët e NATO-s, vendet mike dhe ato që kemi pasur marrëdhënie të qëndrueshme në kohë.

(Marrë me shkurtime)
Sigal