Vangjush Saro: Statistikat ‘tradhëtojnë” qeverinë dhe mbështetësit e z. Rama

177

“…krahas ‘rekordeve’ në kërkesat për azil, shkeljet e paligjshme të kufijve, përfshirja në tregtinë e drogës, numri i bandave brenda dhe jashtë vendit, etj. – janë jashtë kontrollit edhe një sërë tregues të tjerë, që duhej të ishin më mirë në vëmendjen e Qeverisë e të administratës së saj…”

Sigal

 

 

Shoqëria shqiptare po kalon dekada të vështira, në të cilat krahas arritjeve – pjesërisht punë qeverish, por ndonjëherë thjesht qasje vetjake a familjare – është bërë problem i madh përballja me të vërtetën. Ditën për diell, nuk po merremi vesh për atë që është mirë dhe për atë që është keq. Interpretimet rreth disa temave, kanë shtuar groteskun. Dhe këtu, edhe ata që shkruajnë ‘rozë’, edhe ata që ulërijnë, nuk ndihmojnë dot. Mirë është që zërat e paanë të dëgjohen ca më tepër. (“Më shumë se për dashuri, para e famë, kam nevojë për të vërtetën.” H. D. Thoreau). Jam përpjekur gjithnjë t’i shoh me qetësi disa reagime në shtyp të intelektualëve e qytetarëve që i vlerësoj; e kam fjalën për ata që përgjithësisht shkruajnë pa u anuar dukshëm dhe pa fyerje, duke përdorur argumente dhe duke shfrytëzuar jo vetëm çfarë shohin në realitet, por edhe leximet, kulturën e tyre. Gjithsesi, përtej ‘hartimeve’, janë statistikat ato që nuk na lënë të ngremë në katror mëritë, apo përkundrazi, të biem në eufori. Edhe pse nuk janë puna ime e parë, ato flasin qartë për çdokënd. Mandej, edhe ata që shkruajnë ‘rozë’, edhe ata që shajnë vend e pa vend, e dinë shumë mirë që ato, statistikat, “janë zemra e Demokracisë”. (S. Strunsky) Na duhet të përballemi dhe ne nuk e bëjmë këtë, ose e bëjmë duke u fshehur. Fjala ishte që këto kohë, rëndom statistikat janë kundër nesh. Le ta pranojmë. Në këtë temë – krahas ‘rekordeve’ në kërkesat për azil, shkeljet e paligjshme të kufijve, përfshirja në tregtinë e drogës, numri i bandave brenda dhe jashtë vendit, etj. – janë jashtë kontrollit edhe një sërë tregues të tjerë, që duhej të ishin më mirë në vëmendjen e Qeverisë e të administratës së saj. Jo më larg se në majin e 2021, shifrat e World Justice Project (Banka Botërore e BERZH) tregonin se Shqipëria ishte vendi i dytë në botë (midis Egjiptit dhe Zambias a Marokut) për nivelin e ryshfetit; sikundër në lidhje me treguesit që i takojnë sundimit të ligjit, gjendeshim mes Kazakistanit e Afganistanit (!)  Këto edhe manipulohen në interpretim; le të frenojmë pak: Për shembull, të dhënat për papunësinë nuk se janë nga më problematiket, sidomos krahasuar me rajonin. Por s’mund ta themi këtë për… rënien e lindjeve me 19,6% në tremujorin e tretë 2022, krahasuar me tremujorin e tretë 2021. Ndërkohë, janë institucionet e pavarura që gjithashtu vënë gishtin në plagë: Kështu, Konfindustria ka kundërshtuar projekt-paketën fiskale 2023, duke e cilësuar si të paplotë dhe jo profesionale. Thuhet se ajo, paketa, nuk mbron ekonominë kombëtare, dëmton rëndë interesat e prodhimit vendas dhe favorizon lobet importuese. Sigurisht, teksa shprehen kështu, drejtuesit e këtij organizmi kanë pasur parasysh përvoja, statistika, parime. A nuk duhet të përballemi me këtë akuzë? Ja një tablo tjetër, që shihet me sy të lirë: Qeveria dhe përkrahës të saj në medie, nuk shikojnë asgjë të keqe në ndërtimet skandaloze në Tiranë, anipse nuk na flasin për treguesit e ndotjes, për kuotat e ulëta në gjelbërim, për trafikun e rënduar, për mungesën e mjediseve sociale, për shkeljen e ligjeve në mënyrë flagrante, si në rastin e monstrës në krah të Muzeut Kombëtar, etj. që habitën edhe vetë Kryeministrin (!) Dhe, gjithë në statistikë, nuk na tregojnë se në ç’përqindje këto monstra janë të shitura, të banuara apo në përdorim. Atëherë, janë thjesht… zëra këto që ‘akuzojnë’ për pastrim parash? Fundja, le ta gjejmë njëfarësoj përgjigjen te porositë e partnerëve.

“Siç u përpoqa të shpjegoj edhe më lart, krahas atyre që shkruajnë ‘rozë’, një sërë ‘bandillë’, sidomos nga Diaspora, shtiren si të përvëluar për atdheun; por ndërkaq s’ia dalin dot të shprehin diçka më shumë sesa urrejtjet e tyre, ndonjëherë edhe vetjake”

Lidhur me amnistinë fiskale dhe të ashtuquaturat “pasaporta të arta”, KE ka tërhequr vëmendjen se ato “rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit Europian.” Paralajmërimi shkon edhe më tej: “Shqipëria duhet të heqë dorë nga skema e dhënies së nënshtetësisë investitorëve të huaj, pasi kjo paraqet rreziqe lidhur me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe infiltrimin e krimit të organizuar.” (Raport Progresi i KE – Shqipëria 2022). Jam i një mendjeje me disa kolegë që të mos i zmadhojmë gjërat. Edhe vetë kam shkruar në një nga shënimet e botuara këto kohë se ne që kemi zgjedhur të qëndrojmë larg, na takon të flasim më pak. Siç u përpoqa të shpjegoj edhe më lart, krahas atyre që shkruajnë ‘rozë’, një sërë ‘bandillë’, sidomos nga Diaspora, shtiren si të përvëluar për atdheun; por ndërkaq s’ia dalin dot të shprehin diçka më shumë sesa urrejtjet e tyre, ndonjëherë edhe vetjake. Sidoqoftë, edhe të zerosh problemet e rënda që ka vendi dhe të përpiqesh t’i mbulosh ato duke kujtuar që “edhe në Perëndim ka aso”, këtu jemi në rrugë të gabuar; dhe prapë statistikat na heqin nga çdolloj mërie a euforie: Për periudhën 2016-2019, Shqipëria renditej e shtata në botë, nga 154 shtete gjithsej për origjinën, nisjen dhe tranzitin e bimës së kanabisit (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet, UNODC.) E përtej të dhënave nga këto instanca, janë parë sheshit punonjës të MPB të transportojnë drogë; janë parë policë që nuk u ndalojnë kolegëve, sepse kanë ‘mall’ në makinë, etj. Tani, hajde të themi që edhe në Perëndim ndodh kështu. Doemos, por statistikat i rezervojnë për ne renditjet më modeste; pra i bie që jemi keq e më keq se ata me të cilët duam të justifikojmë ngërçet tona. Shifrat gjithnjë na mundin. Bie fjala, ato na kanë treguar që gjatë vitit 2021, 22% e shqiptarëve cilësoheshin si të varfër. (Banka Botërore) Në llogaritjet e fundit të Institutit të Statistikave, 41.6% e shpenzimeve të një familjeje shqiptare shkon për t’u ushqyer (!) E meqë ishim te ushqimi, ditë më parë, Kryeministri shtroi vakt për artistë e sportistë, mes tyre, edhe shumë e shumë anonimë, por assesi ata që e kishin kritikuar apo ata që janë kundër tij. (“Mësojmë duke u zbrapsur.” E. Dickinson) Edhe kjo sjellje është pjesë e statistikës, e mosndryshimit. Unë dua të besoj se ka njerëz në administratën qendrore dhe atë vendore që punojnë e përpiqen të ketë ndonjë rezultat. Po ashtu, besoj që një pjesë e njerëzve të angazhuar në shtyp, me të drejtë përpiqen të sjellin edhe episode pozitive, përkundër atyre që nuk kontrollojnë dot emocionet, që bërtasin, fyejnë e mallkojnë… Por ne prapë ngecim te statistikat. Duhet të kuptojmë se në shifrat dhe renditjet që publikohen – brenda vendit apo nga organizma të ndryshme në Evropë a më gjerë – në to, pra, s’mund të hyjë askush; dhe asnjë lloj propagande nuk i zhbën dot. Që andej, po, mund t’ia fillosh të mendosh për të ndryshuar.