Vangjush Saro: Sa shumë zhurmë në trojet shqiptare!

178
Sigal

“Po ashtu në shtyp thuhet se në aktakuzën për McGonigal, “kryeministri Rama përmendet 14 herë”. Le të mbetemi te ky numër i frikshëm në të cilin mbështetësit e PS-së, çuditërisht, nuk gjejnë kurrfarë gjëje, për të kuptuar se ndonjëherë s’ke ç’i bën zhurmës”

Vërtet, shumë zhurmë, në Shqipëri e në Kosovë. Ndoshta edhe në troje të tjera ku jetojnë shqiptarë. Madje edhe në ato segmente të Diasporës ku ka shqiptarë. Zhurmat përfshijnë e rrëmbejnë të mëdhenj e të vegjël, të njohur e të panjohur, TV, gazeta, emisione të caktuara, shkrimtarë, politikanë; mjedisi shqiptar është një vorbull thashethemesh e fjalësh që rrallë herë gjejnë njëra-tjetrën. Ndonjëherë pyes veten: E manipulojnë mediat këtë zhurmë apo është në natyrën tonë e në fatin tonë të bërtasim vend e pa vend? Sa është kjo zhurmë punë mediash dhe sa për faktin që ky vend nuk zë vend? Thoshte dikur i shumëvuajturi Pjetër Arbnori që mediat atë punë kanë, duan të shiten… Dhe kjo puna e të shiturit është bërë një pikëpyetje e madhe. (Po hidhen paratë gjithandej, si në dasmat e shkalluara të të malluarve për dasmë e për bujë.) Ja disa nga zhurmat më të mëdha të këtyre ditëve.

Kryeministri i Kosovës është kundër detyrimit të formuluar ‘Asosacionet Serbe në Kosovë’. Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj deklaron që po, duhen, për të shkuar te një marrëveshje finale. Një gazetë ndër më të lexuarat në Shqipëri, këto ditë gjithashtu e kundërshtoi këtë nismë, madje duke shprehur dhimbje e duke përdorur edhe sarkazmë. Në Shqipëri dhe në Kosovë, për këtë dhe për tema të tjera të mëvetësisë e perspektivës, po bëhet një zhurmë kaq e madhe; dhe ajo që të dhemb më shumë, është roli edhe më zhurmues i politikës shqiptare, andej dhe këtej kufirit administrative. A thua nuk ka apo nuk ndërton dot ky komb një tryezë për bisedime mbarëkombëtare? Nuk ka ndonjë njësi a komision të përbashkët për politikat esenciale? Nuk paska një vizion sa më të përafërt e ku ta gjejnë veten qytetarët dhe ata që po i drejtojnë këto vende, aq sa po e bëjnë këtë! E madhe zhurma gjithashtu për përfshirjen e politikanëve shqiptarë – dhe disa të tjerë, pothuaj të harruar, që të habisin me protagonizmin e tyre në këto ndodhi – në skandalin me emrin e Charles McGonigal. Unë e kuptoj që shumë njerëz, madje edhe të quajtur apo të vetëquajtur analistë, nxitohen teksa shpërthejnë në publik aq gjëra sa dinë, në mos mendojnë ata që i dinë, apo duke e treguar ‘historinë’ ashtu siç e do klani, kahja e momentit, lidhja ku ata ‘kanë lidhur gomarin’; më falni për gjuhën.  Unë e di që ata asnjëherë nuk kërkojnë sa duhet në një çështje, nuk i marrin në sy të gjitha, pa le më të presin të marrin një udhë ngjarjet. Por edhe ata që përpiqen të fshehin disa fakte e të dhëna të dukshme, nxitohen jo më pak teksa përpiqen për ta ‘zhveshur’ Kryeministrin e Shqipërisë dhe Qeverinë e tij nga çdolloj përgjegjësie në këtë episod të vështirë. Siç thuhet në shtyp, ofiqari i FBI-së, në këto vite të fundit, “ka qenë në Shqipëri, ka synuar të ketë një biznes të përbashkët, ka shëtitur në gjysmën e vendit, është takuar me njerëz të politikës, të biznesit, ka marrë ndonjë titull nderi”, etj. Po ashtu në shtyp thuhet se në aktakuzën për McGonigal, “kryeministri Rama përmendet 14 herë”. Le të mbetemi te ky numër i frikshëm në të cilin mbështetësit e PS-së, çuditërisht, nuk gjejnë kurrfarë gjëje, për të kuptuar se ndonjëherë s’ke ç’i bën zhurmës. Ç’është për të thënë, do thuhet; ç’është për t’u bërë, do bëhet, s’ke nga mban. Po që ne bëjmë zhurmën më të madhe në rajon, kjo është kaq trishtuese. Dhe unë prapë pyes veten: E manipulojnë mediat këtë ‘zallamahi’ apo është në natyrën tonë e në fatin tonë të bërtasim vend e pa vend? Dhe kështu, ndërmend pastaj konstatimet e hidhura të asaj kompanisë holandeze, sipas së cilës Shqipëria zinte vendin e parë në Evropë për sharje në portale dhe internet (!) Vetëm për kaq, mo? Të ish kështu, po e hanim turpin me bukë. Ani. Përtej të vërtetave, zmadhimeve dhe ironisë, nëse në këtë histori do të përjashtonim nga protagonizmi qytetarët, që më e shumta janë viktimë e kësaj zhurme, i bie që fenomeni është pjellë dhe përgjegjësi e dyshes ‘besnike’ politikë-media, koalicion i shfaqur dhe heraherës i fshehur, që përmbush interesa të vjetra dhe të reja e për të cilat nuk është vendi në këto radhë. Një mundësi për ndonjëlloj ekuilibri – për çfarë u tha më lart se shkon keq – do të ishte ndryshimi i kastave të politikës (në demokraci politikën s’e zhbën dot, veç duhet t’i vësh ‘kufirin te thana’) dhe rishikimi i raporteve të saj me aktorët e tjerë të jetës, përfshi biznesin, mediat dhe shoqërinë civile. Por kjo kërkon që këto të fundit të kenë më shumë fushë veprimi, më shumë autoritet e mëvetësi. Realisht, për gjithë shoqërinë shqiptare lipset një emancipim, në kuptimin më korrekt të fjalës, që do të thotë një rilindje, fjalë me të cilën këto kohë kemi bërë gallatë…